Avokati Idajet Beqiri ka paditur në SPAK, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrat dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur poste në kohën kur Berisha ishte kryeministër. Ky kallëzim penal është bërë për shitjen e ARMO-së, rafineria e Fierit dhe e Ballshit nga Berisha në 2008-ën.
Në kallëzimin e tij, Beqiri në cilësinë e avokatit thotë se Berisha, me pjesëtarët e tjerë të grupit, që avokati e cilëson si grup kriminal kanë kryer korrupsion pasiv, një krim të rëndë shtetëror.
Një pjesë nga kallëzimi në SPAK!
“I nderuar Zoti Drejtues i SPAK,
Unë, kallëzuesi, bazuar në nenin 283 të Kodit Procedures Penale depozitoj këtë kallëzim penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur për kryerjen e veprave penale respektive, pasi jam vënë në dijeni si qytetardhe si avokat të fakteve me përmbajtje si dyshime të forta të arsyeshme se nga ana e SALI BERISHA, ish Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, GENC RULI, ish ministër i ekonomisë, RIDVAN BODE, ish ministër i Financave, Florian Mima, ish ministër I Ekonomisë, SOKOL DERVISHAJ, ish Zëvëndësministër i Energjitikës, Neritan Alibali, ish zëvëndësministër I ekonomisë, REZART TAÇI, LIRI BERISHA, Fondacioni Fëmijët Shqiptar “Domenico Scaglione”, ARGITA BERISHA,ERINDA BALLANCA, Erinda Ismailaj, BRISIDA SHEHAJ, FATJON VEIZAJ, JAMARBËR MALLTEZI, FLUTURA KOLA, janë konsumuar veprat penale të rënda të cituara në objektin e kallëzimit.
Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, akte të cilat do t‘i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë, të gjithanshme, objektive, të ndershme, shteruese, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të rënda të paligjshme, dhe që kanë sjellë pasoja shumë të rënda për ekonominë dhe financat e republikës së Shqipërisë.
Bazuar në faktin se disa prej personave që kallëzoj kanë patur funksionet më të larta në shtetin shqiptar dhe pranë tyre dhe në shërbim të tyre, qoftë nga pikpamja e ushtrimit të detyrave shtetërore, ose e të qënurit të tyre pjesë e një grupi të strukturuar kriminale, çka do të hetohen nga organi juaj, si dhe për shkak se në këtë organizatë, ka dyshime të arsyeshme se si ndihmës të tyre janë të përfshirë edhe ish këshilltarë të tyre, por edhe gazetarë, analistë etj, për të mos prishur provat, për të mos i fshehur dhe asgjesuar ato, për të mos ndikuar te dëshmitarët okularë, të aplikohen ndaj të kallëzuarëve masa sigurimi personal sipas parashikimeve të neneve 228, 237 dhe 238 të Kodit Penal.
Për të njëjtat arsye që theksojmë sa sipër ndaj personave të kallëzuar të aplikohet sa më parë sa parashikohet në nenet 208 e vijues, në nenet 221 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.
Për disa dëshmitarë që japin të dhëna, prova dhe fakte për të kallëzuarit, si të dyshuar për kryerje të krimeve të rënda të kërkohet zbatimi i programit të mbrojtjes së tyre ose sa parashikohet në nenin 165/a i Kodit të Procedurës Penale.
Ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me pjestarë të tjerë tëgrupit të strukturuar kriminal, ka kryer krimin e rëndë shtetëror, duke i shitur “de jure” Rezart Taçit Shoqërinë Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO, në datën 27 nëntor 2008, me vlerën prej 128 milionë Euro, por që “de fakto”, sikurse do të parashtrojmë në vijim, kishte si blerës real Sali Berishën, Liri Berishën, Argita Berishën, Shkelzen Berishën si dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Strukturuar Kriminal, njerëz shumë të afërt me Familjen Berisha, ERINDA BALLANCA, ERINDA ISMAILAJ, BRISIDA SHEHAJ, FATJON VEIZAJ, JAMARBËR MALLTEZI, FLUTURA KOLA.
Albania Refining and Marketing of Oil, ARMO, përveç dy rafinerive të Naftës Fier dhe Ballsh, përfshinte në asetet e saj tre degë të shtijes me shumicë, një institut kërkimor, një terminal eksporti si dhe kapacitete depozitimi prej 220 mijë metër kub.
Rafineria e Fierit është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh u vu në shfyrtëzim në vitin 1975. Të dy rafineritë ishin nën pronësinë e Albpetrolit- i cili u nda në vitin 1999 në tre kompani, SERCOM për shpërndarejn e naftës, ARMO për rafinimin dhe Albpetrol për prodhimin e naftës bruto.
Në radhë të parë, shitja e ARMO ishte një akt i rëndë kriminal, i bërë në pragë të Fushatës Elektorale të vitit 2009, me qëllim që Sali Berisha, për mes korrupsionit dhe pastrimit të produkteve që rrjedhin prej këtij krimi, domethënë prej shitjes “de jure” të ARMO, të kishte bollëk eurosh në familjen e tij, si dhe për të patur para të bollshme për fushatën elektorale për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2009, siç i fitoi, pasi kishim të bënim me një pasuri të rëndësishme kombëtare, e cila u përkiste gjithë shqiptarëve, të cilët kishin kontribuar, kishin sakrifikuar, kishin derdhur djersën e deri gjakun e tyre për të.
ARMO ishte dhe duhet të mbesë si pasuria më e madhe kombëtare e shtetit, si monopol i saj, prej të cilës duhet të përfitojnë të ardhura gjithë shqiptarët dhe jo vetëm Sali Berisha dhe pjestarët e grupit të tij të strukturuar kriminale.”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin e Beqirit.
Dita / a.r