Gjykata e Tiranës ka dënuar me tri vite burg një 29-vjeçar, i cili i ka shitur 200 euro pasaportën e tij. Ermal Beka u shpall fajtor për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kallëzim të rremë. Sipas dosjes, u provua se më datë 12 shtator 2014, është kapur në Aeroportin e Sofjes në Bullgari, Imer Kortoçi, 31 vjeç, nga Tropoja, pasi ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme duke përdorur për ngjashmëri pasaportën biometrike të lëshuar në emër të të pandehurit Ermal Beka. Qëllimi i Kortoçit ka qenë për të vazhduar udhëtimin më tej në drejtim të Gjermanisë. Nga hetimi ka rezultuar se Imer Kortoçi e kishte blerë pasaportën nga i pandehuri Ermal Beka, duke i paguar këtij të fundit për qëllime fitimi, shumën prej 200 eurosh, me qëllim për ta përdorur këtë pasaportë për të udhëtuar jashtë shtetit, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme e duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike mes tyre.
Ky fakt është konfirmuar edhe nga deklarimet e Ermal Bekës, të dhëna në hetim. Sipas vendimit të gjykatës, Imer Kortoçi i ka premtuar të pandehurit Ermal Beka, sipas deklarimeve të këtij të fundit, se kur të kalonte jashtë shtetit dhe të shkonte në destinacion, do t’i kthente pasaportën e tij, si dhe do t’i dërgonte një sasi tjetër të hollash. Në vijim të këtyre fakteve, thotë gjykata, pasi Imer Kortoçi ka kaluar kufirin shtetëror nga Qafë-Thana më datë 10.09.2014, personi që i ka shitur pasaportën, pikërisht i pandehuri Ermal Beka, më datë 16.09.2014 ka bërë njoftim të rremë në Komisariatin e Policisë Nr. 4 sikur i kishte humbur pasaporta e tij biometrike, duke u mbajtur edhe një procesverbal nga punonjësi i policisë për këtë rast.
I pyetur gjatë fazës së hetimeve paraprake, Ermal Beka, me cilësinë e personit nën hetim, ashtu dhe me cilësinë e të pandehurit, i ka pranuar akuzat dhe ka shprehur pendim të thellë për kryerjen e tyre, duke deklaruar ndër të tjera se Imer Kortoçin e ka njohur në “Facebook”, ku në adresën e tij ka pasur dhe numrin e telefonit 0685607… dhe ky shtetas e ka marrë në telefon. Kartoçi i ka thënë se donte ta takonte për një punë dhe e kanë lënë të takoheshin në Bathore afër Repartit Ushtarak 5009 te një kafe pranë një pike karburanti. Kur janë takuar, Kartoçi i ka thënë që i duhej pasaporta për të shkuar jashtë dhe se pasi të kthehej do ia jepte përsëri. I pandehuri ka rënë dakord për këtë gjë, ku Imeri i ka premtuar 200 euro dhe i ka dhënë 100 euro, ndërsa pjesën tjetër do t’ia jepte më vonë pas 10 ditësh. Pas rreth 10 ditësh, Imer Kortoçi e ka marrë në telefon të pandehurin dhe i ka thënë të takoheshin për t’i dhënë shumën tjetër prej 100 eurosh dhe janë takuar te një kafe te stacioni i trenit në Tiranë, ku ai i ka dhënë shumën tjetër prej 100 eurosh dhe më pas janë larguar. Të njëjtat shpjegime ai i jep edhe gjatë pyetjes së tij me cilësinë e të pandehurit.
Shqip