Kërkesa e Shqipërisë ishte për 300 deri në 500 milionë euro borxh dhe është plotësuar e gjitha, nga ofertat që janë dhënë në ankandin e zhvilluar këtë të enjte. Tani do të jetë qeveria, ajo që do të vendosë shumën e saktë që do të marrë, me interesa që janë jo më shumë se 6%.
Një ditë më parë, Ministria e Financave njoftoi zyrtarisht se pagoi 300 milionë euro për të shlyer eurobondin e marrë në vitin 2010, për shkak të maturimit. Sipas ministrisë, nga këto, 250 milionë euro u siguruan nga kredia e Bankës Botërore, ndërsa 50 milionë euro të tjera u morën borxh në tregun e brendshëm, përmes ankandeve të zakonshme të letrave me vlerë.
Likujdimi i 300 milionë eurove të marra borxh në 2010-n e ka lënë buxhetin në nevojë për likuiditet në valutë, i cili shërben për të financuar operacionet e përditshme të qeverisë.
Edhe pse kushtet në tregjet ndërkombëtare të financave nuk janë aq të lehtësuara, sa ç’ishin disa muaj më parë, duket se qeveria ka marrë zyrtarisht miratimin nga dy menaxherët e projektit, “Deutsche Bank” dhe “G.P. Morgan” për të tentuar operacionin, i cili duket se i ka siguruar fondet e nevojshme me një interes rreth nivelit 6 për qind.
Eurobondi i maturuar një ditë më parë, që u emetua në vitin 2010, ishte i pari në historinë e vendit. Në atë kohë, Shqipëria e siguroi borxhin me një interes prej 7.5 për qind, ndërsa këtë herë, borxhi është marrë me një interes që pritet të jetë rreth 6 për qind.
Vitet e fundit, interesat në tregjet ndërkombëtare kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike, dukshëm më ulët nga sa ishin 5 vite më parë, për shkak të politikës agresive që ka ndjekur Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale për të ndihmuar ekonomitë.
Disa vende, si Meksika apo Polonia, kanë arritur këtë vit të sigurojnë borxhe me interesa realë negativë, pra me një kosto më të ulët sesa inflacioni. Por muajt e fundit, tregjet u trazuan sërish për shkak të krizës greke, ngadalësimit të Kinës, çfarë rriti shqetësimet mbi gjendjen e ekonomisë botërore.
Përtej këtyre faktorëve, edhe rritja e borxhit publik të Shqipërisë, nga nivelet 60 për qind që ishte 5 vite më pare në 72 për qind aktualisht, duket se ka penguar që vendi të sigurojë interesa edhe më të ulëta sesa kaq.
/ Top Channel