Nga Blend Çobani
Duke u ngatërruar gjatë leximit me vështirësi të një liste me dhjetë emra e funksione të disa punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, sikur të ishin shkruar arabisht, shoqëruar gjatë gjithë kohës me nënqeshjen ironiko nervastenike aq të njohur për të gjithë, tregues i mungesës së thellë të seriozitetit, ish presidenti, ish kryeministri dhe ish kryetari i partisë, pra Ish-i në kub, nga një studio televizive si një prokuror i vërtetë i formatit donkishotesk e shpalli heretik sipas midesë së tij institucionin e SHISH. Duke e etiketuar me këmbëngulje atë institucion si të zaptuar nga sigurimi i shtetit(!), bashkëpunëtorët e vëllezërit e trafikantëve të drogës, militantët e PS, etj., tani menjëherë pas largimit të “engjëllit mbrojtës”.
Pra me sa mundi të deklamojë, sipas tij nisi “Lufta e Madhe”(me mullinjtë e erës)! Pas prokurorisë tani kryqëzohet edhe SHISH. Dakort, por pse tani, afro shtatë muaj nga ikja me dorëheqje e ish drejtorit të propozuar nga ai vetë e miratuar nga ish presidenti i partisë. Kjo dukshëm si pasojë e ikjes nga foleja e “qytetarit dixhital” dhe ku akoma në grykë me sa kuptohet ka shijen e hidhur të asaj që ndodhi me ish drejtorin, kur ky i fundit si asnjëherë më parë, bëri lëvizjen më spektakolare të këtyre viteve ku si një pelivan i vërtetë duke kaluar nga një kolltuk tek tjetri la të shokuar e me gisht në gojë të gjithë ata që me sa duket e sa u tha më pas kishin shpresa të mëdha tek roli “detonues” që prezumohej të luante ai në pengimin e makinës qeveritare drejt realizimit të objektivave për këtë katërvjeçar. Pra misioni i ngarkuar nuk u arrit dhe kjo solli gjendje shoku, çoroditje dhe dëshpërim. Dhe ata që kishin shpresa tek ai person nuk ishin dhe janë njerëz dokudo, por ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra, deri tek drejtuesit e opozitës së sotme, në mos edhe ndonjë tjetër që operon në ndonjë godinë në fillim ose në fund të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, varet se nga e shikon atë bulevard.
Tani ti referohemi paksa ligjit e më pas retorikës të zhanrit thriller të përdorur në komentet shoqëruese të listës me dhjetë emra, që me sa u kuptua ishte shkruar nga ndonjë kapter i nivelit fundor të partisë ose me nxitim nga ndonjë mi zyrash(pinok dixhital) që lëvrin nëpër zyrat e SHISH.
Ligji 8397, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, ka një nen interesant i cili mban numrin 10, e në të cilin shkruhet, paragrafi i parë: “Shërbimi Informativ Kombëtar përjashtohet nga detyrimet që kërkojnë publikimin e metodave të punës dhe të burimeve të informacionit, të informacionit të klasifikuar, të strukturave, të funksioneve, të emrave, të titujve zyrtarë, të pagave e të numrit të personelit……”. Pra në këtë kuptim edhe vetë SHISH-it nuk i lejohet në asnjë rrethanë të publikojë emra, funksione, struktura, detaje, numra, paga, etj. Nga ana tjetër në këtë dispozitë nuk ka përjashtime për deputetë ose funksionarë të tjerë të shtetit, të cilët me ose pa vetëdije mund të deklarojnë të dhënat si më lart. Tani del një deputet i Kuvendit të Shqipërisë në një televizion dhe me të drejtën e katundit politiko zakonor, publikon me zë dhe figurë sipas tij emra të drejtuesve të strukturave të SHISH-it, së bashku me numrin e përgjithshëm të drejtorive duke dhuruar papritmas për të gjithë të “interesuarit” në këtë drejtim, gjëra të padëgjuara më parë dhe për të cilat organizma të caktuara duhet të paguajnë mirë për të marrë këto informacione, kryesisht krimi i organizuar dhe derivatet e tij. Por jo nuk ka nevojë të shpenzojnë se sa hap e mbyll sytë pa pikën e përgjegjësisë demek duke e paraqitur si një zbulim të madh në kuadrin e kryqëzatës “kundër” sigurimit të shtetit të cilën ka 28 vjet që nuk po e fiton dot, hop dalin veresie në ekran “kuriozitete” tërësisht kundër interesave të shtetit. Neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë, ku shkruhet për deputetin, në pikën 1 të tij shprehet se “…deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë në Kuvend….”, pra vetëm në Kuvend, ndryshe thënë në vendin e tij të punës. Por kur ky deputet nxjerr me zë dhe figurë elementë të sekretit shtetëror jo në Kuvend por në një tavolinë studioje televizive, sa që ngatërroi edhe drejtuesin e emisionit me paqartësitë që shprehte, atëherë çfarë pasoje ligjore mund të ketë. Në retrospektivë ky person, pra Ish-i, gjatë opozitës së mëparshme kur ishte edhe kryetar partie, nuk mbahet mend në tërësinë e tonelatave të nxjerra nga goja me etiketime, sharje, mallkime, baltë e qymyr, të ketë publikuar të tilla gjëra nëpër studio televizionesh apo ambiente të tjera publike. Kjo ka të bëjë ndoshta edhe me situatën patologjike të personit, pasi edhe vitet bëjnë të vetën(këtu kam parasysh pohimin skandaloz të pak kohëve më parë kur deklaronte pa pikë turpi se kishte vënë snajper për të goditur liderin e opozitës së kohës gjatë protestës së 21 janarit), por gjithsesi është e palejueshme dhe ligjërisht e dënueshme. Kjo situatë mund të përkthehet edhe si qesharake e parë në një plan tjetër, duke mos u marrë shumë seriozisht lexuesi i listës, i cili për nga mënyra se si e lexonte atë dukej që nuk e kishte idenë se për kë dhe për çfarë po fliste. Pra për të mbyllur aspektin ligjor të shfaqjes teatrale, kjo është e dënueshme qoftë ky edhe deputet(aq më keq akoma) dhe në këtë pikë si jurist do të sugjeroja kallzim penal të menjëhershëm ndaj tij dhe kujtdo, i cili me qëllim shkel haptaz e publikisht me të dyja këmbët një ligj të shtetit që ka të bëjë me një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Kjo masë duhet të aplikohet ndaj cilido që guxon dhe publikon me të gjitha llojet e format e mundshme publike, ato që një ligj i ndalon aq më tepër në planin e sigurisë kombëtare ku dëmtohen haptaz interesat e larta të shtetit. Kjo është një masë kundërvepruese ligjore që mund të merret në këto raste flagrante.
Tani po ndaloj tek aspekti tjetër, ai i retorikës thriller, e cila shpjegon më së miri siç shkrova më lart edhe situatën patologjike të lexuesit të listës. Për mendimin tim kjo mund shpjegohet përsëri në dy mënyra, e para – nga ajo çka ai arriti të lexojë dhe të dëgjohet nga të gjithë, pretendoi se emra të asaj liste ishin oficerë të sigurimit të shtetit, bashkëpunëtorë e vëllezër të trafikantëve të drogës, militantë të PS e të tjera plot. Në rast se presupozojmë për një moment se kjo është e vërtetë, pavarësisht se 99% e anëtarëve të asaj liste kur sigurimi i shtetit uli qepenat në vitin ’91, ishin fëmijë, adoleshentë dhe djelmosha të grupmoshës 7-26 vjeç, gjatë gjithë periudhës që ky institucion u drejtua nga drejtori tashmë ambasador, jo vetëm kanë qenë në detyra të ndryshme në institucion por një pjesë e tyre kanë patur edhe funksione drejtuese. E jo vetëm kaq, por ish drejtori i fundit, një pjesë të madhe të ish punonjësve të sigurimit të shtetit të cilët i gjeti në institucion kur ai u rikthye në vitin 2012, jo vetëm nuk i preku aspak dhe i la në detyrat e mëparshme, por ndonjë e ngriti edhe në detyrë. Këtu nuk ka asgjë të keqe, në fund të fundit ai institucion për këtë lloj profesioni ka më së shumti nevojë dhe në bazë të atij formimi profesional funksionon. Ky nuk është sekret, sikurse nuk është sekret se shumë ish punonjës të sigurimit të shtetit, të mos keqkuptohemi punonjës jo bashkëpunëtorë, kanë qenë dhe janë njerëz të ndershëm, që kanë kryer me ndershmëri punën e tyre në shërbim të shtetit pa asnjë përfitim material apo të ndonjë natyre tjetër, e një pjesë shumë e madhe e tyre e kanë ngrysur jetën në apartamentet parafabrikat me një dhomë e kuzhinë. Këtë e di shumë mirë Ish-i. Sikurse di edhe atë tjetrën që shumë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit gjetën “El Dorado-n” në këto vite, e më së shumti në partinë që e ka drejtuar dhe drejton ai vetë si de jure ashtu edhe de facto. Atëherë çfarë ndodhi me Ish-in, pse u tërbua dhe serviri pa asnjë doganë emra dhe funksione të punonjësve të SHISH-it dhe pse ne opinioni publik t’i marrim ato të mirëqena dhe të vërteta, apo se po na i servir “udhëheqësi” i shumëinformuari nga pinoku dixhital apo nga ndonjë karrigethyer anonim.
Dëshmi dhe trillime të tilla pjesë e botës së krijimeve thriller, për të cilat autori i tyre është i mirënjohur historikisht, për mendimin tim nuk mund të shpjegohen ndryshe veçse si pasojë e shijes jashtëzakonisht të hidhur që i ka lënë Ish-t të lodhur e të frikësuar, ikja e padëgjuar dhe e paparë në skenën e katundit politiko fisnor shqiptar e drejtorit të emëruar nga ai vetë. Ai drejtor që ai i referohet me emër dhe mbiemër, zgjodhi mbylljen e karrierës në një kolltuk të rehatshëm ambasadori dhe jo duke përfunduar rrugëve me gurë, vezë, domate, apo ndonjë molotov për të goditur e djegur godinat ku ka punuar vetë. Për mua si qytetar normal bëri zgjedhjen e duhur si një pragmatist i vërtetë, pavarësisht nga kuptimi dhe interpretimi që mori kjo lëvizje e beftë dhe e çuditshme, e panjohur për natyrën agresive e primitive të politikës shqiptare(prapë gol i Kryeministrit). Sa për ish drejtorin tjetër të cilit i referohet akoma sot e kësaj dite si puçist, (skandaloze), sot këshilltar i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Ish-i nuk ka lënë gjë pa bërë për ta shkarkuar nga detyra e denigruar gjatë gjithë periudhës që Ish-i ishte kryeministër dhe tjetri drejtor i SHISH. Kjo dihet botërisht, nuk është sekret shtetëror. Dhe tani gjoja i nxjerr një meritë sot për një punonjës që përsëri gjoja paskësh qenë agjent i një shërbimi sekret të huaj dhe që ky ish drejtor paska dashur ta heqë. Ç’është kjo hipokrizi e pështirë? Po përse nuk e hoqi? Çfarë e pengoi? A ishte vetë kryeministër e mund ta urdhëronte sa herë të donte e kur të donte për ta larguar menjëherë nga detyra? Apo kur erdhi drejtori i tij e bëri funksionar!? O z.Ish dhe ju të tjerët pas tij, kur merrni përsipër të transmetoni diçka, përpiquni ta verifikoni mirë para se ta nxirrni nga goja, se ndryshe u katranos fare, siç edhe ndodhi në fakt. Psh bie fjala për një familjar të afërt të Ish-t që punon sot e kësaj dite në SHISH., përse nuk foli e ti tregonte opinionit publik me transparencë se çfarë funksioni e detyre ka patur dhe ka sot e kësaj dite. Apo për atë funksionon ligji, ndërsa për këta “sigurimsat” 7-26 vjeçarë, jo. Faktet janë kaq kokëforta sa përplasesh e thyen kokën në to, si psh për njërin nga ata të listës së famshme dhjetëemërore që e etiketoi me theks si oficer i sigurimit të shtetit, kur në të vërtetë në ’91, kur ai “dyqan” u mbyll, ka qenë vetëm 15 vjeç!
Si përfundim të gjithë kësaj si qershia e helmatisur mbi tortë, hodhi edhe tezën aq të dëshiruar të tij atë të dasisë krahinore, në veriorë e jugorë. Gjithë jetën e tij politike të paktën, mbeti po ai. Kot nuk thonë se huqi del me shpirtin.
Tani ka besueshmëri më(?), a mund të ekzistojë ndonjë fije besimi tek gjithë ajo retorikë “e ashpër” dhe njëkohësisht qesharake për ne të gjithë. Apo si ky përgjimi i fundit butaforik që u shfaq sikur u zbulua “çelësi i jetës mbi tokë”! Mosni bre burra se është turp, e keni katandisur atë parti në agjenci përgjimesh e spiunazhi të niveleve të rrugëve, për turp të Zotit, duke mos kryer asnjërën mirë dhe me efikasitet. Merreni andej këndej me njerëz ordinerë, rrugaçë e drogaxhinj të dënuar nga drejtësia, të nivelit “Babale”, duke i kthyer me dashje në aleatë, me materiale, emra, funksione, të qena e të paqena dhe keni vënë ca axhamij ti transmetojnë si zbulimet e shekullit dhe në fund….. efekti bumerang. Madje më tutje i’a vënë edhe “udhëheqësit” përpara ti lexojë, e ai nuk i lexon dot. E kupton se në çfarë niveli jeni katandisur apo jo? Për mendimin tim krejt amatoresk dhe asfare politik. Një pikiatë e vërtetë e pashpresë. Mirë do të jetë që këto “zbulime të mëdha” t’ja lini t’i kryejnë ato emisionet televizive që merren me këto punë e me këto nivele. Më këto marifete shumë të lodhura e diskredituara, pushteti që dëshironi të ktheni më duket më larg se Hëna.
Nejse kjo është puna juaj.
E dyta dhe më e rëndësishmja, si nuk tha asnjë fjalë Ish-i, i shumëinformuar për drejtorin e ri të SHISH, kandidaturës së të cilit edhe nga ai vetë me sa duket nuk ju gjet ndonjë “cen” me sigurimsa dhe trafikantë. Apo se dukshëm nuk po e kapërdin dot faktin se edhe kësaj here, si gjithmonë më parë, Kryeministri e tejkaloi, e befasoji, e ç’armatosi duke emëruar një drejtor jashtë kazanit të politikës, të papërlyer nga balta që shpërndahet lart e poshtë dhe që i përket tërësisht atyre burrave e grave, djemve e vajzave që punojnë atje të heshtur e me dinjitet, si patriotë të vërtetë, me plot halle e sakrifica, e përpos të gjithave të anatemuar pafundësisht deri në tallje me emrat e mbiemrat e tyre njerëzorë nga individë të kallëpit të Ish-t dhe shokëve të tij. E vështirë apo jo për Ish-n, të pranojë një person pa asnjë të metë dhe të aprovuar pa asnjë diskutim edhe nga aleatët e mëdhenj amerikanë, por edhe e dhimbshme se i iku përfundimisht nga duart një institucion i tillë. Ngeli duke ngrënë gola. Për pak harrova, po këta amerikanët si i kanë lënë këta sigurimsat të marrin në dorë frenat e SHISH-it?! Kësaj here nuk qenkan treguar vigjilentë! Hajde ç’vete hajde, telenovelë me një aktor dhe me një regjisor, e ku me sa kuptohet “lepuri fle gjetkë”. Më duket se tek ato të flamosura negociata me BE, pengim me çdo mënyrë, deri edhe me kartën donkishoteske të “sigurimsave”.
Në epilog se e kam merak, herën tjetër thuajuni atyre minjve që t’ua sjellin emrat dhe datëlindjet e sakta, se nuk ka lezet fare. Turp i madh! Nuk mund ta degradoni deri në këtë nivel “udhëheqësin”, se e bëtë qesharak fare. Jo për gjë po erdhi koha tani që po na servirni edhe telenovela të lodhura me fëmijë të atyre viteve si oficera të sigurimit të shtetit! /JavaNews