Përmes proceseve të digjitalizimit, 11.2 milionë aplikimeve online në e-albania, vetëm për shërbimet shëndetësore, qytetarët po marrim sot frytet e një sistemi shëndetësor më cilësor dhe më të shpejtë. Nuk ka më shpenzime në lekë e kohë, radhë e copa letrash të panevojshme në qendrat shëndetësore e poliklinika si më parë, falë shërbimeve të shumta, që ofrohen sot në e-Albania: si rezultatet e kontrollit shëndetësor bazë, regjistrimi i vizitave mjekësore, rekomandimet mjekësore, recetat e rimbursueshme apo raportet mjekësore që po jepen elektronikisht etj. Këto procese digjitalizimi dhe shfrytëzimi efikas i teknologjive të reja po mundësojnë prej vitesh uljen e informalitetit dhe evazionit në sektorin e shëndetësisë.
Ishin këto disa nga pikat kryesore të fjalës që drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj mbajti sot në Kongresin e Parë për Shëndetësinë, ku po diskutohen vizioni, politikat e duhura dhe mbështetja e domosdoshme financiare për bluzat e bardha.
Pasi ndaloi në një analizë të detajuar në shifra e fakte: 3.9 milionë receta elektronike të lëshuara gjatë vitit 2022 në sistemin e-Receta; 5.8 milionë vizita të regjistruara në sistemin e-Vizita; 1.8 milionë referime për ekzaminime të avancuara mjekësore të regjistruara në sistemin e-Referimi, nga mjeku i familjes për te mjekët specialistë; 167,000 raporte mjekësore të implementuara që në vitin e parë të implementimit të sistemit e-Raporte, duke automatizuar procesin e dhënies dhe nënshkrimit të raportit mjekësor; 265 milionë transaksione të gjeneruara në total nga të gjitha sistemet dhe shërbimet online në e-Albania gjatë vitit 2022… etj, Karçanaj shtoi se siguria është rritur më tej falë sistemit të kontrollit elektronik të subjekteve shëndetësore dhe të depove farmaceutike dhe se sot, një bar kontrollohet lehtësisht nga momentin që hyn në Shqipëri deri sa konsumohet nga pacienti, duke garantuar origjinën, cilësinë dhe çmimin.
Emergjenca e krijuar nga pandemia Covid 19, duke garantuar kujdes dhe rimbursim ilaçesh për të sëmurët, regjimi të rregulluar të lëvizjes pa ndaluar asnjë moment të gjitha shërbimet e tjera online, implementimi në kohë rekord të vaksinimit ndaj COVID si dhe certifikatës së vaksinimit, testimit dhe shërimit, e cila shkarkohet në kohë reale nga e-Albania dhe validohet elektronikisht, duke lehtësuar kështu lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit falë integrimit me sistemin “Green Pass” të BE-së, ishte një tjetër moment i përballuar me sukses.
Më tej Karçanaj shtoi se në sfidat e së ardhmes për të ulur edhe më tepër kostot, për të rritur cilësinë e shërbimit shëndësor dhe menaxhimit më të mirë të burimeve tona, do të aplikohen në hallka të ndryshme të sektorit teknologjitë e reja. “Nuk kemi përfunduar ende. Së shpejti edhe spitalet rajonale do aksesojnë online informacionin shëndetësor të pacientëve të tyre. Procesi i nisur për ngritjen e sistemit të informacionit spitalor për 4 spitalet rajonale do të shtrihet edhe në 7 spitale të tjera duke informatizuar gjithe proceset e punës dhe dokumentet mjekësore në spitalet rajonale. Në fokus janë edhe përmirësimi i sistemit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekesore (QKUM), ngritja e site Business Continuity Center (BCC) dhe përmirësimi i infrastrukturës hardëare për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor dhe degët rajonale për të siguruar rritje të eficiencës së shërbimit ndaj qytetarëve. Jemi në përfundim të vënies në punë të sistemit e-Vaksina, sistemit kombëtar të vaksinimit dhe imunizimit por edhe të inventarit dhe shpërndarjes së vaksinave në qendra shëndetësore, bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve për vaksinim. Kjo do të optimizojë ndjeshëm menaxhimin e stokut të vaksinave.
Përmes sistemit të Bankës së Gjakut që po shtrihet në të gjithë vendin, dixhitalizohet tërësisht informacioni mbi proceset nga dhurimi i gjakut deri në ruajtjen dhe vënien e tij në dispozicion të pacientëve në nevojë”- tha Karçanaj, duke e mbyllur fjalën e saj me premtimin se gjithçka është bërë deri tani është vetëm fillimi i një ndryshimi të madh e të pakthyeshëm, se projekte të mëdha e transformuese e presin Shqipërinë dhe shqiptarët e në veçanti brezin e ri për të qënë gati në një ekonomi globale e cila po ndryshon çdo ditë.