Dyqanet që shesin bizhuteri me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar janë në rritje në Shqipëri dhe specialistët bien dakord se kjo mund të quhet vërtet ‘epoka e diamanteve’. Sipas aktorëve të tregut, kërkesa për të blerë bizhuteri luksi është rritur ndjeshëm. Megjithatë, dëshira për të blerë dhe fuqia blerëse nuk kanë ecur paralelisht me njëra-tjetrën. INSTAT raporton për rritje të importeve të gurëve të çmuar dy vitet e fundit, ndërsa argjendarët pohojnë se kanë tashmë një gamë të gjerë të bizhuterive të luksit, ku kryeson diamanti…
Pavarësisht se jeton mes tyre, ajo nuk është e “dehur” nga magjia që ato kanë. I prek çdo ditë, por rrallë mban një të tillë në dorë. Alba Ruço nuk është nga ato vajzat e veshura në diamante, por që qëndron gjithë kohës mes tyre. E ndërsa mban në dorë një nga ato lupat që kemi parë në filma nga ekspertët e gurëve të çmuar, tregon se në përvojën e saj shumëvjeçare në këtë fushë, nuk ka parë kurrë në argjendari dy gurë të çmuar njësoj. Bie dakord ta kurorëzojë “diamantin” si mbretin e gurëve të çmuar, megjithatë teksa flet për tendencat e blerjeve në Shqipëri, Alba, pinjollja e cila vijon traditën e familjes Ruço si argjendarë shqiptarë, rendit edhe gurët e tjerë të çmuar.
Mjaftonte një dorë, pesë gishta dhe plot 10 mijë euro bizhuteri… Në Shqipëri ka evoluar dëshira për të bukurën dhe luksin, ndonëse aktorët kryesorë të tregut pohojnë se bëhet fjalë për një treg të vogël sa i përket fuqisë blerëse.
Treg në zgjerim
Njëzet minuta në një nga dyqanet e kryeqytetit do të mjaftonin për t’i mbushur mendjen vetes se nuk do të dilnit prej andej pa bërë tuajën një unazë me një gur mikroskopik, por ‘të kripur’ në çmim. Jo më shumë se 30 vjeç, një vajzë del nga një argjendari në zemër të Tiranës me një unazë diamanti në gisht.
Marsel Shaho, drejtues i “Armar Gold” thotë për “Monitor” se në dyqanin e tij, klientët nuk janë rastësorë. Ata janë besnikë që rikthehen apo vijnë nga sugjerimet e miqve të tyre. Sa i përket tregtimit të stolive me gur të çmuar, ai thotë se prej 10 vitesh, gama e dyqanit të tij është e gjitha me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar.
“Kjo e bën argjendarinë tonë më të shtrenjtë në përzgjedhje produktesh, por ne këtë segment të tregut kemi zgjedhur. Sigurisht, çmimi është më i lartë, por edhe cilësia është e lartë, si dhe e garantuar. Ne u ofrojmë klientëve edhe certifikatën për produktin, por edhe për gurin”,- thotë Marseli.
Por, zgjerimi i tregut nuk vjen pa problematika. Duke parë “maninë” për blerje bizhuterish me gurë të çmuar, ka jo pak raste që mashtrojnë me cilësinë. Drejtuesit e argjendarive në kryeqytet tregojnë se edhe tregu informal i krijon probleme në këtë treg, duke qenë se blihen me një çmim të ulët bizhuteri që reklamohen me gurë “të çmuar”, origjina dhe cilësia e të cilëve nuk verifikohet.
Duke dashur të japë një parashikim për vijimësinë e tregtimit të diamanteve dhe stolive të tjera të çmuara në Shqipëri, Marseli thotë se për 10 vjet, ky treg eci me hapa shumë të ngadaltë në këtë drejtim, për shkak të problemeve në shoqëri dhe fuqisë së dobët blerëse.
“Parashikoj se edhe në 10 vitet e ardhshme, hapat do të jenë të ngadaltë sërish. Kjo ndodh për disa arsye. Së pari, fuqia e dobët blerëse. Bëhet fjalë për një kategori që konsiderohet si produkte luksi, ndaj dhe në krizat e para që njerëzit mund të kenë, kjo lloj zgjedhje hiqet menjëherë nga lista. Së dyti, diamanti njihet pak dhe abuzohet me cilësinë e tyre, duke u ofruar nga dyqane lagjesh me çmime qesharake dhe pa garanci.
Duke mos pasur njohuri, shqiptarët gënjehen dhe blejnë këto produkte të paafirmuara. Së treti, në Shqipëri mungon një bursë e mirëfilltë për diamantin. Duke mos ekzistuar, diamanti blihet në treg të zi. Argjendarët e vjetër në Tiranë, sikurse edhe unë, kemi studiuar jashtë për të njohur dhe për të certifikuar cilësinë e diamantit, në mënyrë që të jemi korrekt me çmimin e blerjes dhe me garancitë që do të japim për atë lloj produkti. Sfida është që punojmë në një treg të parregulluar strukturalisht. Kjo na sjell vështirësi”, – thotë z. Shaho.
Ai shton që tregu i floririt në përgjithësi, ndonëse janë shtuar shumë aktorët, ka segmentimet e veta. Në rastin konkret, z. Shaho pohon se në punishten e tij punohet me flori 18 karat dhe më lart, prania vetëm e gurëve të çmuar, duke u orientuar te klientët më të kamur. “Këtë lloj klientele kërkojmë që të kemi, para 10 viteve hoqëm dorë nga produkte 300 euro dhe me çmimi më të ulët. Besoj se pas 10 vitesh do të kemi një tjetër strukturim. Një pjesë e mirë e klientëve, shpesh nxiten që t’i blejnë vetë jashtë produktet, megjithatë klientët besnikë rikthehen në çdo kohë”- thotë ai.
Importet në rritje
Italia përbën 73% të totalit të diamanteve të importuara në Shqipëri. Fqinji ynë përtej Adriatikut është partneri kryesor tregtar për këtë kategori produktesh, e njëjta tendencë si për floririn apo platinin, metalet e çmuara. Sipas shifrave të analizuara të INSTAT, në 2018 është rritur importi i gurëve të çmuar në Shqipëri. Shifrat tregojnë për një rritje të ndjeshme me rreth 3%, për 11-mujorin 2018.
Për këtë periudhë, vlera e importuar ka arritur 1.5 mld lekë, ndërsa gjatë vitit 2017 vlera ka qenë rreth 630 mln lekë. Për këtë rritje të vlerës së importeve, edhe argjendarët në kryeqytet dëshmojnë që kërkesat kanë qenë më të larta vitin e shkuar dhe parashikojnë një tjetër vit të mirë në blerjet e bizhuterive me gurë të çmuar. Sipas tyre, ka bizhuteri me vlera të ndryshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë një të tillë, duke kurorëzuar diamantin si më të shtrenjtin në mesin e tyre.
Në shtetet kryesore nga ku importojmë kategorinë e gurëve të çmuar, pas Italisë, vjen Kina, Gjermania dhe Zvicra, ndjekur nga Vietnami, Greqia dhe Belgjika.
Gurët e çmuar që tregtohen edhe në Shqipëri, sipas vendeve të origjinës:
Smeraldet: Egjipt, Austri, Afganistan, Brazil etj.
Safirët: Sri Lanka, Tajlandë, Australi dhe Kamboxhia
Akuamarinë: Brazil, Zambia, Mozambik, Angola, Nigeri, Afganistan
Rubinë: Mianmar
Diamante: Kanada, Amerika e Jugut, Afrika e Jugut dhe ajo Lindore, Indi, Rusi, Australi, Azia Lindore etj.
Problematika
Tregtarët e vegjël pohojnë se për të ndjekur këtë tendencë të viteve të fundit, punojnë edhe me gurë imitacion të origjinalëve. Sipas tyre, gurët e unazave zakonisht janë gurë zirkon, imitacione brilantesh, akuamarinë, smerald dhe zafir. Edhe pse në 10 vitet e fundit kanë nisur të shiten gurë të çmuar dhe diamante, tregu në Shqipëri është shumë i vogël, pohojnë disa nga tregtarët e vegjël për “Monitor”.
Ata shtojnë, që ka më tepër kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to, në raste festash ose në verë, megjithatë, këta blerës përbëjnë një përqindje shumë të vogël krahas totalit. Guri më i kërkuar është akuamarina. Ndaj në dyqane të vogla të lagjeve të kryeqytetit, tregtarët pohojnë se kanë unaza me gurë që u ngjajnë gurëve të çmuar, për të cilat ata i vënë në dijeni blerësit, të cilët duan të blejnë diçka të bukur, me pak para. Unazat më të shitura në argjendaritë e kryeqytetit, janë ato me gur akuamarinë, si dhe varëset me gurë të vegjël.
Një unazë me gurë akuamarinë, kushton rreth 700 euro, ndërsa me imitim guri te 20 mijë lekë, në një unazë floriri 14 karat. Megjithatë, çmimi varet nga madhësia e gurit dhe pastërtia e tij. Në lidhje me kërkesat për unaza me gurë të çmuar, pronarët e argjendarive thonë se “i kanë të paktë klientët, pasi dhe ata që kanë mundësi t’i blejnë këto bizhuteri parapëlqejnë t’i blejnë nëpër udhëtime jashtë shtetit”. Në Shqipëri ekzistojnë dy lloje bizhuterish, ato që punohen e prodhohen në vend, si dhe bizhuteri të gatshme që vijnë nga vende si Italia, Greqia apo Turqia.
“Vitet e fundit, në të gjithë botën ka pasur një tendencë për të blerë gurë të çmuar, gjë që është vënë re dhe në vendin tonë”, thotë një argjendar në Bllok. Një unazë e thjeshtë me gurë diamanti kushton minimumi 1,000 euro në ditët e sotme.
Tregtarët e vegjël pohojnë se diversifikimi i produkteve është diçka që ata përpiqen ta bëjnë prej vitesh, duke ofruar edhe stoli me gurë imitacion apo edhe produkte floriri me karat të ulët, për t’i dhënë mundësi çdo kategorie njerëzish që të blejnë. Ata ‘ankohen’ se tatimet dhe taksat janë të larta, qiratë e dyqanit gjithashtu, si dhe një kategori bizhuterish, kineze, të cilat e dëmtojnë tregtinë e tyre.
Marketingu në rrjetet sociale
Nga vëzhgimi i “Monitor” është vënë re se argjendaritë shqiptare i kanë klientët vizitorë të rrallë dhe vetë argjendarët pohojnë se punojnë më tepër online. Por, jo në shitje direkte, por në reklamim të mëparshëm. Sipas tyre, Instagram-i është forma më e mirë e marketimit të produkteve të tyre.
Ata thonë se ky rrjet social përdoret masivisht në Shqipëri, nga grupmosha 25-35 vjeç, që është potenciale e ardhshme për të blerë (në rastin konkret për t’u martuar). Sipas argjendarive të kontaktuara, ata kanë një punonjës specifik që kujdeset për Instagram-in dhe paraqitjen e stolive të tyre, marrjen e kërkesave, dhënien e informacioneve dhe organizimin e fushatave të marketingut për këto produkte. Sipas tyre, është forma më e mirë e marketingut momentalisht dhe në vitin 2018 rezultoi e suksesshme, sidomos në shpërndarjen e përshtypjeve pozitive. Një formë tjetër që ata ndjekin është marketingu nëpërmjet një personazhi publik. Drejtuesit e argjendarive pohojnë se shqiptarët “ndikohen” kur i shohin një VIP të caktuar një bizhuteri dhe shpesh, kërkojnë nga argjendaria të njëjtin model ose gur.
Të analizosh gurët e çmuar, çfarë do të thotë?
Do të thotë të përcaktosh llojin, karatin, ngjyrën, prerjen, pastërtinë dhe vlerën.
Kujdes mashtrimet!
Ky lloj biznesi është i bukur si aksesorët në vetvete, por ka pasur ndër vite ulje-ngritje, thotë Dorela Kastrati, një ndër drejtueset e argjendarisë “Kastrati Jewelery”. Ajo shton se ndonëse nisi në 1995 si një ndërmarrje pasioni nga prindërit e saj, ka pasur problematika të shumta, të trashëguara deri në ditët e sotme.
Dorela shton se, duke qenë një produkt luksi, floriri dhe bizhuteritë e tjera blihen kryesisht për festa apo dasma. Nga ana tjetër, ajo thekson se tregu i floririt synon njerëz me të ardhura të larta.
“Ky treg ka evoluar ndër vite, por jo në nivelet që kemi pritur, ndaj mendojnë se edhe fitimet do të përmirësohen. Edhe kategoria e njerëzve me mundësi kanë ende mendësinë që më mirë ta blejnë jashtë, pa e ditur se thuajse të gjitha firmat janë në Shqipëri.
Në fakt kur hyn në dyqanet kryesore të argjendarive në Tiranë, të duket sikur hyn në një simotër të tyre me ato jashtë, me standarde të ndryshme nga ato që jemi mësuar të shohim më parë. Kjo vjen jo vetëm si afirmim i emrit në treg, por edhe nevojës për siguri më të lartë. Që në hyrje të dyqanit përballesh me një derë të bllokuar, që tregon më së miri sigurinë që duhet për të tilla produkte dhe mbi të gjitha që nuk mund të hapet pa pasur miratimin e personelit.
Dorela shton, sa i përket kërkesës për gurë të çmuar, se thuajse e gjithë gama e tyre në dyqan ofrohet me gurë të cilësisë së lartë, ku kryeson diamanti. Ajo thekson nevojën për certifikim dhe siguri për cilësinë e blerë, duke përmendur se shumë tregtarë ofrojnë produkte pa garanci.
“Duhet të dini që nuk duhet të largoheni kurrë nga një dyqan bizhuterish të çmuara pa tërhequr certifikatën, jo vetëm të brandit por edhe të gurit. Përmes saj ju mund të kuptoni nëse guri është i çmuar dhe natyral apo është diamant sintetik apo i trajtuar nga dora e njeriut. Çdo shitës stolish duhet të jetë i sinqertë me klientin e tij. Duhet t’i tregojë atij që guri i zgjedhur është i trajtuar apo jo. Më pas është klienti që në bazë edhe të kostos bën zgjedhjen e tij”, – thotë Dorela.
“Nuk mund të fajësosh as klientin – shton ajo – sepse në Shqipëri nuk ekziston një laborator për të analizuar gurin. Jo vetëm kaq, por të tilla analiza edhe jashtë vendit kushtojnë nga 500 – 1500 dollarë, ose më shumë. Vlera varet nga cilësia e laboratorit”.
Ju duhet të keni parasysh të blini produkte nga marka të njohura.
Edhe ora luksi…
Agron Gjikondi, administrator i argjendarisë “Gjikondi”, thotë për “Monitor” se shitjet e bizhuterive nuk kanë pasur ndryshime të dukshme vitet e fundit. Sipas tij, ato me çmime më të ulëta, kryesisht flori 14-karatësh, kanë regjistruar rënie, ndaj dhe gama e produkteve më të shtrenjta në këtë argjendari është shtuar. Z. Gjikondi pohon se bizhuteritë e luksit dhe orët parapëlqehen shumë dhe se klientët besnikë, por edhe ata të rekomanduar, vijnë në këtë argjendari nga markat ndërkombëtare që ofron në këto produkte.
“Floriri po preferohet gjithnjë e më pak, ndoshta sepse pjesa më e madhe e klientëve te ‘Gjikondi’ drejtohen kryesisht për bizhuteri luksi apo ora. Vetëm një përqindje e vogël kanë pasur qëllim të blejnë bizhuteri floriri, kryesisht unaza”,- thotë ai. Z. Gjikondi pohon se njerëzit nuk blejnë si dikur flori për investim, që ta mbajnë në rast rritje çmimi apo të ngjashme.
“Vihet re se njerëzit po vazhdojnë të blejnë në raste specifike dhe jo për investim. Janë rritur shitjet e bizhuterive me vlerë, kryesisht flori 18-karatësh, shoqëruar me diamant apo gurë të çmuar. Kur blejnë bizhuteri njerëzit kërkojnë të kenë diçka që do t’iu vlejë në kohë”, thotë Gjikondi. Ai thekson tendencën e mëparshme, shqiptarët priren që produktet e shtrenjta t’i blejnë jashtë, ndonëse në Shqipëri i gjejnë të njëjtat marka.
Diamante, edhe për bebe!
Kush e kishte menduar që në vitin 2018, bebeve të sapolindura do t’i vendosej në trup një stoli me diamant. Për të qeshur, por me urimin “Me jetë të gjatë”, fatura shkon deri në 1 milion lekë. Përfaqësuesit e argjendarisë “AltinBas”, thonë se kërkesat për bizhuteri me diamant për bebe kanë qenë të larta tre vitet e fundit. Gama që ofrohet për fëmijët në argjendari është zgjeruar, duke qenë se kërkesat kanë qenë të larta. Tre vitet e fundit ka pasur stoli të personalizuara me gurë diamanti, që janë kërkuar shumë. “Jo vetëm për të rritur, por edhe për fëmijët, janë zgjedhur shumë stoli si paramande me një gur të vogël diamanti, vathë të vegjël apo byzylykë të cilët mund të gjenden edhe në një vlerë 200 euro.
Ne vëmë re se kërkesat për to janë të shumta në rastet e lindjes së fëmijëve, ose në ditëlindjet e para”, – thotë për “Monitor”, menaxherja e marketingut e “AltinBas” në TEG.
Ajo shton se në gamën e artikujve me diamante për të rritur, parapëlqehen shumë bizhuteri të përdorimit ditor si varëse të thjeshta ose vathë, megjithatë unaza e fejesës ose martesës mbetet stolia më e kërkuar me një gur të tillë. Kjo tendencë, sipas saj, lidhet edhe me kulturën e popullit, që i ngjan asaj të turqve, prej nga i ka rrënjët kompania./Monitor.