Gati shërbimi i ri online për të prekurit nga Sars-Cov 2. Menjëherë pas vendimit të qeverisë për rimbursimin 100% të paketës së barnave për të prekurit nga COVID-19, implementohet shërbimi i ri online, në e-Albania, ai i cili do t’i pajisë pacientët elektronikisht me recetën e mjekimit kundër Sars-Cov 2. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, e cila përmes postimit të një video sqaruese, në rrjetin social “Facebook” informon qytetarët sesi të aplikojnë online për përfitimin e këtij shërbimi.
“Receta elektronike për rimbursimin e ilaçeve ndaj Covid-19 merret tashmë në e-Albania. Aplikoni në e-Albania dhe përfitoni 100% falas paketën e barnave për trajtimin ambulator në banesë”, shkruan drejtoresha e AKSHI-t.
Karçanaj i kujton qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe ta plotësojnë formularin elektronik në e-Albania, në zbatim të VKM-së për rimbursimin e paketës së barnave për trajtim ambulator në banesë, për të diagnostikuarit me COVID-19, në mënyrë që të jenë përfitues.
Kujdes! Vetëm për pacientët, që rezultojnë pozitiv me COVID-19, pas bërjes së tamponit dhe kur mjeku i familjes konfirmon nevojën për mjekim. Kodi i recetës është unik për çdo pacient, që e ka detyrim paraqitjen e recetës tek farmacisti për të përfituar nga 2 skemat e barnave me rimbursim, sipas përshkrimit të mjekimit nga mjeku i familjes”, thekson drejtoresha e AKSHI-t, në statusin e saj, në facebook.