Nga Rudina Xhunga
Kjo është lagjja ime. Ndonjëherë ne nuk i shikojmë historitë e suksesit që kemi para sysh, se na ngjajnë si histori lagjeje. Por e gjitha nis aty.
Para syve të tu. Ti duhet vetëm të jesh i vëmendshëm që ta shohësh dhe ta ndjekësh.
Nuk ke pse shkon në Mars, për të marrë një nxitje dhe nisur diçka të re, ndonjëherë mjafton të shohësh lagjen tënde.
Siç bëra unë, me shumë kuriozitet.
Më ndiq, në këto tre histori sheqeri të lagjes sime!
Le Salon de Paris
Rudina Xhunga: Mirëmëngjesi Francesko. Ka më brioshë apo jam vonë? Se ky është problemi këtu, pyetja që unë bëj gjithmonë është a ka më!
Francesko Çollaku: Po dalin të tjera. Ka ditë të ndryshme që vijnë të gjithë bashkë në të njëjtën kohë.
Rudina Xhunga: Me se janë këto brioshët këtu me ngjyra, hera e parë që i shoh.
Francesko Çollaku: Me mjedra.
Rudina Xhunga: Uroj që edhe mjedrën ta marrësh këtu. Në Prezë e merr, ku e merr?
Francesko Çollaku: Janë disa markete bio, që nuk e di se ku i marrin, i mbledhin dhe në këtë periudhë janë të ngrira.
Rudina Xhunga: Ola Mjedra, i ka super të mira.
Francesko Çollaku: Po shumë të mira, por nuk ka gjithë vitin.
Rudina Xhunga: Po këtë më tha, tani nuk kam por në maj, po. Kjo është historia e bizneseve shqiptare, si futesh dhe janë në linjë, është një këtu një aty, vetëm duhet të dish historinë për bizneset shqiptare. Si ky që do t’ju tregoj unë tani sa të ulem e të heq pallton një herë.
Rudina Xhunga: Ja dhe makaronsat. Unë këtë kam qejf që është bosh, por kanë filluar ta pëlqejnë dhe të tjerë, dhe s’më mbetet gjithmonë.
Francesko Çollaku: Në Francë janë vetëm bosh, këto me çokollatë dhe kjo me rrush të thatë, kanellë.
Rudina Xhunga: Makaronsat sa të mira i bën, i je afruar komplet makaronsit real.
Francesko Çollaku: Edhe mbushjen përpiqemi t’i bëjmë.
Rudina Xhunga: Mbushja duket si fruta, nuk është vetëm ngjyra e tyre. Për shembull me se është mbushur kjo?
Francesko Çollaku: Me çokollatë dhe mjedër.
Rudina Xhunga: Prapë mjedër?
Francesko Çollaku: Po e ndjen mjedrën, te çokollata.
Rudina Xhunga: Na ka hyrë frika, po nuk ndjemë dhe po nuk patëm aromë themi na ka zënë korona. O zot çfarë kohe po jetojmë. Çfarë kohe po jetojmë, po shyqyr që janë ëmbëlsirat. Edhe ti nuk je keq me ëmbëlsirat, edhe i ha jo vetëm i bën.
Francesko Çollaku: Po duhet t’i provojmë.
Rudina Xhunga: Nga vjen gjithë kjo gjë që bën, sepse vërtet, ti bën ëmbëlsirat më të mira në Tiranë. Nuk e them unë, e thonë shumë veta. Brioshi yt është i jashtëzakonshëm. Briosh si këtu, Italia nuk e diskutoj unë po në Francë kam shkruar, nuk e di si bëhet atje, ia kam harruar shijen e Parisit. Nga vjen kjo?
Francesko Çollaku: Janë më ndryshe ingredientët në Francë. Ne përpiqemi t’i bëjmë me të njëjtën teknikë, të zgjedhim ingredientët shqiptarë më të mirë. Mielli është shqiptar, gjalpi është shqiptar, domethënë nuk është plotësisht në parametrat që duhen.
Rudina Xhunga: Unë po e shpërdoroj, më fal po ngaqë nuk do e ha, se nuk ha më brioshë (qesh). Makaronsat do i marr me vete. Po dua që t’i tregoj. Kjo është me miell shqiptar. Por mënyra se si ti e bën, formula, është ndryshe.
Francesko Çollaku: Do përshtatje çdo ditë. Temperatura, koha, mënyra si vjen produkti. Por nëse e di çfarë bën, por mua më ka ndihmuar fakti që eksperienca që kam pasur në Francë, që ka qenë një shkollë kulinarie dhe stazh në hotele të mira, restorante të mira.
Rudina Xhunga: Kur për çfarë kohe bëhet fjalë?
Francesko Çollaku: 7-8 vjet përpara.
Rudina Xhunga: Pra ti ke jetuar në Shqipëri, ke bërë shkollën këtu dhe pastaj befas vendose të shkosh në Francë të shkolloheshe për këtë?
Francesko Çollaku: Kam qenë edhe në Itali. Kam pas eksperiencë në kuzhinën, prej asaj kam hapur restorantin dhe në kërkim të një frymëzimi tjetër thash të shkoj në origjinën e kulinarisë dhe pastiçerisë, dhe shkova në Francë ku bëra këtë eksperiencën 1-vjeçare.
Rudina Xhunga: Unë kur hapa emisionin i thash publikut dil në lagje dhe krijo një ide, por nuk duhet të dalësh vetëm në lagje. Në lagje ti sheh, por pastaj për të realizuar idenë duhet të dalësh në botë. Por dil, se kjo është e rëndësishme.
Francesko Çollaku: Duhet të sjellësh shijen, teksturën dhe ti përshtatësh, me sa mundësi kanë.
Rudina Xhunga: Sa vjet u bënë këtu?
Francesko Çollaku: Dy vjet.
Rudina Xhunga: Dhe përgjatë këtyre dy vjetëve arrite të sjellësh këtë (makarons).
Francesko Çollaku: Në fakt këtu janë realizuar që në fillim.
Rudina Xhunga: Duke ngrënë këto humbas fare, çfarë mrekullie.
Francesko Çollaku: Mirë që je me dietë.
Rudina Xhunga: Kështu them (qesh), por nuk duket.
Francesko Çollaku: Edhe unë ashtu them, kam kohë.
Rudina Xhunga: Po kështu themi të gjithë (qesh). Jo është e pamundur, në këtë kohë, me këtë presion, të rrish edhe pa ngrënë sepse të thonë mos ha sheqer, se të bën keq..
Francesko Çollaku: Me gjithë ato gjëra që të bëjnë keq..
Rudina Xhunga: Kjo duhet të jetë më e pakta. Por përtej këtij fakti, sepse nuk dua të mburr sheqerin, dua të mburr mundësinë për të bërë gjëra kaq profesionale. Sepse ky është vërtet briosh, nuk është me shaka, është briosh që të ngre humorin në mëngjes.
Francesko Çollaku: Kroasant.
Rudina Xhunga: Po vërtet, më fal se ta preka emrin, është kroasant. Momentin që ti ishe në Francë, dhe mësove dhe pe, mendove sërish të ktheheshe apo ky ka qenë synimi gjithë kohës?
Francesko Çollaku: Po ky ka qenë synimi im.
Rudina Xhunga: Nuk mendove që jam në kërkim të vetes nëpër botë.
Francesko Çollaku: Jo, jo.
Rudina Xhunga: Para 7-8 vjetësh kur u ktheve, fillove menjëherë?
Francesko Çollaku: Po menjëherë. Isha në prova. Kam pasur në atë kohë një bar kafe, dhe i bëja vetë. I bëja vetëm për klientët. Më është dashur 1 vit, të mësoja një person të më ndihmonte. Pas atij, 1 vit tjetër për dikë tjetër.
Rudina Xhunga: Ti i mësoje ata iknin? Si funksionon?
Francesko Çollaku: Jo jo, kanë ndenjur. Por është shumë e vështirë. Shprehja që kam përdorur në fillim është që njerëzve nuk është që po i bëjmë vetëm ëmbëlsira franceze, por po i mësojmë të flasin frëngjisht. Sepse është sikur komunikon një gjuhë ndryshe. Gjithçka është ndryshe, sepse njerëzit janë mësuar me të tjera ëmbëlsira. Kur shohin këto, mbase u duken më të vogla. Ndryshon gjithçka. Duhet pak kohë, edhe njerëzit që i prodhojnë duhet të mësohen një herë me shijen, si janë, si shijojnë, çfarë teksture kanë, pastaj t’i riprodhojnë. Por ky është proces që zgjat.
Rudina Xhunga: Por kam parë që janë mësuar. Sepse ky vendi është gjithmonë plot. Kam parë që hyjnë e dalin njerëz, gjatë gjithë kohës. Madje unë shoh atë momentin që njerëzit janë duke pritur dikë, sepse brioshët po bëhen. Brioshët janë kryesorët këtu apo buka?
Francesko Çollaku: Brioshët, buka, ëmbëlsira, tortat, tortat me porosi. Janë shumë gjëra në një vend të vogël.
Rudina Xhunga: Po ku bëhen këto të gjitha?
Francesko Çollaku: Poshtë. Tani kemi hapur një punishte tjetër te Pallatet Agimi. Për të zgjeruar pak prodhimin.
Rudina Xhunga: Janë shtuar njerëzit domethënë nuk përballohej dot këtu. Po nuk ke frikë se prish dorën se kjo ndodh në Shqipëri, sapo je mirë zgjerohesh prish dorën.
Francesko Çollaku: Por unë përpiqem t’i provoj të gjitha (qesh) siç edhe duket.
Rudina Xhunga: Kështu e ruan prodhimin tënd.
Francesko Çollaku: Një ditë ndodh që ka të papritura, por përpiqemi ta kompensojmë ditën tjetër.
Rudina Xhunga: Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë, çfarë të thonë njerëzit?
Francesko Çollaku: Sapo e dëgjova një. Që më thatë, kjo lagje ka marrë pamje tjetër për mua që kur është hapur ky vend.
Rudina Xhunga: Po, është e vërtetë, kjo lagje ka marrë aromën e gjalpit të koasantit që ti bën. Dhe kur më pyesin po ti akoma këtu banon, u përgjigjem që po, sepse këtu bëhet kroasanti më i mirë në Tiranë.
Francesko Çollaku: Dhe kjo është fiks si në Francë. Kur merr një shtëpi atje, kur lëviz, gjëja e parë që të thonë është të të mburren me lagjen, këtu ka një pastiçeri shumë të mirë, këtu është restoranti shumë i mirë, dhe në bazë të tyre, merr vlerë edhe zona ku je.
Rudina Xhunga: Ah sa e bukur. Ja pra unë banoj te Komuna e Parisit, në fakt ne i themi Komuna por nuk është tamam Komuna. Këtu te Lulishtja. Sepse këtu janë kroasantët më të mirë në Tiranë. Dhe kjo është arsyeja që lagjja ime, mban era gjalpë.
Dy koleget-ortake të Sheqer Candy Store
Rudina Xhunga: Aa, më erdhi kapuçino. Si e bëni këtë kapuçinon ju?
Adela Braho: Të bëftë mirë!
Rudina Xhunga: Faleminderit! Po si e bën ti këtë kapuçinon? Shih, shih, shih!
Adela Braho: Ne thjesht vendosim pak sheqer aty brenda, nga ky i joni!
Rudina Xhunga: Jo dhe këtë. Sheqeri juaj ama?
Adela Braho: Po, nga sheqeri ynë!
Rudina Xhunga: O sa të bukur, këtë s’e kam provuar, deri këtu jam!Këto i kam ngrënë të gjitha! Këto i ka ngrënë ime bijë të gjitha, shoqet e sime bije, të gjitha!
Adela Braho: Po, po. Besoj edhe koleget tuaja! Sepse tanimë nuk është vetëm për fëmijët sheqeri, është për të gjithë! Sepse të gjithë kemi nevojë!
Rudina Xhunga: Sa na keni ëmbëlsuar këtë lagjen ju, ku punoj!
Adela Braho: Jo vetëm lagjen, të gjithë Shqipërinë!
Rudina Xhunga: Tërë Shqipërinë!
Adela Braho: Tërë Shqipërinë!
Rudina Xhunga: Në fakt atë po shikoja, ju keni filluar me paketat ë?
Adela Braho: Po! Po, bëjmë dërgesa në të gjithë Shqipërinë dhe në Kosovë gjithashtu! Ka patur goxha reagime nga njerëzit dhe feedback shumë-shumë të mirë! Reagime pozitive dhe diçka që ka munguar në treg dhe ka filluar tani të përhapet si ide dhe ta pëlqejnë dhe në vend të ndonjë buqete me lule, kanë filluar të dhurojnë buqeta me haribo, me candies, me gumies.
Rudina Xhunga: Dita e parë që erdha, jam habitur shumë, të pyeta ty, por tani do ma tregosh për “Shqiptarët e Mrekullueshëm”, për publikun. Si e nise ti këtë gjë? Nga vjen kjo ide? Çfarë bëje ti më përpara?
Adela Braho: Unë vazhdoj punoj njëherë!
Rudina: S’e ke lënë punën?
Adela Braho: Nuk e kam lënë punën asnjë moment?
Rudina Xhunga: Ku punon?
Adela Braho: Punoj te një kompani, “Albcrom” quhet, është koncesion! Nuk kam lidhje fare me këtë!
Rudina Xhunga: Çfarë bën atje?
Adela Braho: Jam data analysis, merrem me analizë të dhënash! Më pëlqen shumë sipërmarrja në fakt dhe gjithmonë kam patur këtë shpirtin, për të patur diçka timen, për të qenë sipërmarrëse ndaj diçkaje, për të treguar dhe për të shpërndarë, për të ndarë idetë e mia me njerëzit!
Rudina Xhunga: Po pse sheqer? Ti s’dukesh që ha sheqer!
Adela Braho: Jo unë ha sheqer, por kam metabolizmin të mirë! Kam fatin e mirë për këtë pjesën. Unë i kam patur shumë qejf haribot. Gjithmonë, në qoftë se shkoja në një supermarket, doja haribo, nuk doja asnjë lloj gjëje tjetër. As çokollata, as patatina, vetëm haribo dhe kemi provuar 5 lloje haribosh në tërë jetën dhe nga dëshira e madhe për të sjellë diçka që nuk ekziston në Shqipëri, gjeta dhe njerëzit e duhur për të bashkëpunuar dhe krijuam Sheqerin! Është diçka inovatore.
Rudina Xhunga: Ku e merrni ju këtë sheqerin? Është shumë i bukur!
Adela Braho: Ne e marrim në disa vende. Në Francë, Gjermani, Spanjë dhe Itali. Të gjitha produktet që i kemi këtu, janë prodhim i Bashkimit Evropian, të certifikuara me certifikata analize dhe origjine normalisht dhe jemi mundur të zgjedhim cilësinë më të mirë me thënë të drejtën! Kush i ka provuar e ka kuptuar që janë shumë të buta.
Rudina Xhunga: Sa të bukura janë njëherë!
Adela Braho: Përveç të bukura, janë shumë të shijshme, normalisht dhe butësia që kanë. Kushtet që ne i mbajmë, duhet të jenë se s’bën të mbyllura!
Rudina Xhunga: Këto i bëni vetë ë? Pastaj këto i bëni vetë të gjitha?
Adela Braho: Waffle-in po, e bëjmë vetë!
Rudina Xhunga: Waffle-in e bëni vetë!
Adela Braho: Krepat, pancakes dhe kafet tona që janë pak më të veçanta dhe të servirura në formë pak të…
Rudina Xhunga: Ju jeni të gjithë të rinj këtu, jeni goca dhe çuna të rinj.
Adela Braho: Jemi të rinj!
Rudina Xhunga: Jeni bashkë, jeni bërë bashkë në biznes, sa veta?
Adela Braho: Po, unë edhe një shoqja ime, Kledia që është nga ana tjetër e banakut, duke përgatitur porositë që janë për t’u dërguar! Ne ishim iniciatore.
Rudina Xhunga: Po pra. Kjo e porosive më çuditi, unë shoh çdo ditë çanta këtu!Adela Braho: Po çdo ditë, çdo ditë nëpërmjet Instagramit.
Rudina: Aty reklamoni? Domethënë ju njohin në Instagram?
Adela Braho: Vetëm në Instagram!
Rudina Xhunga: Si i dërgoni pastaj?
Adela Braho: Na shkruajnë, kemi kontaktuar që ndodhen në Shqipëri?
Rudina Xhunga: Me Postën Shqiptare?
Adela Braho: Jo me Postën private!
Rudina Xhunga: Private! Dhe u shkon në vend?
Adela Braho: Po, brenda 24 orëve.
Rudina Xhunga: Edhe në Kosovë?
Adela Braho: Po dhe në Kosovë. Në Kosovë vonon pak më shumë, 48 deri në 72 orë. Mundohemi që të mbajmë marrëdhënie shumë të mirë me klientin.
Rudina Xhunga: Po si ia dilni? Ju dy vajza vetëm, ia dilni, se tani kjo po shtohet si sipërmarrje!
Adela Braho: Po!
Rudina Xhunga: Sa kohë keni?
Adela Braho: Ne kemi një muaj e gjysmë.
Rudina Xhunga: Një muaj e gjysmë, për një muaj e gjysmë këto dy vajza, të cilat kanë punën e tyre, po Kledia ca pune bën?
Adela Braho: Ne jemi ortake.
Rudina Xhunga: Jo, përveç të qenit ortake këtu, punën e saj.
Adela Braho: Kolege, më fal, jemi kolege, jemi njohur në punë!
Rudina Xhunga: Ah sa e bukur! Ato punojnë në një punë tjetër, janë kolege dhe këtu janë edhe ortake, në këtë sipërmarrjen e re. Dhe ju jeni të vogla, nuk pyetet për moshën, por jeni shumë të vogla!
Adela Braho: Unë jam 23 vjeçe, Kledia është 25!
Rudina Xhunga: 25 dhe 23.
Adela Braho: 23 e gjysmë!
Rudina Xhunga: Jo që bëjnë 2 punë, por bëjnë edhe një punë për vete. Nuk besoj se keni lënë pas dore punën atje dhe keni dëshirë të ikni!
Adela Braho: Jo, jo, absolutisht.
Rudina Xhunga: S’bëhet fjalë!
Adela Braho: Jo jo jo! Vazhdojmë me të njëjtën performancë normalisht! Madje motivohesh pak më shumë sepse e kupton dhe rëndësinë e të paturit diçka tënden dhe normalisht, duke qenë se ne tani jemi pak debitore, punën në Albcrom nuk mund ta shkëpusim në asnjë lloj momenti. Është sfidë më vete sepse përveç faktit që duhet menaxhuar, je gjithë kohës i angazhuar për ta realizuar çdo gjë në përsosmëri.
Rudina Xhunga: Nuk ju pyesin gocat juve, gocat, shoqet tuaja, kur jetoni ju në qoftë se punoni gjithë ditën?
Adela Braho: Ne vetëm vrapojmë, ne jemi vrap, vrap tërë kohës. Shyqyr kemi dhe suportin e familjarëve.
Rudina Xhunga: Që ju ndihmojnë?
Adela Braho: Po, është sfidë më vete, deri te punonjësit.
Rudina Xhunga: Lekët ata i dhanë besoj?
Adela Braho: Le të themi…
Rudina Xhunga: Më fal që të pyes për lekët!
Adela Braho: Jo, jo, ajo është pjesa më e rëndësishme, në fakt sepse ajo është vështirësia më e madhe që kemi në ditët e sotme. Duke qenë se dëshirat janë shumë të mëdha për të krijuat diçka, normalisht, ideja është ajo që është me rëndësi, sepse aty varet suksesi. Normalisht është dhe përkushtimi, por duke patur një ide e cila është e menduar mirë dhe diçka e cila është premtuese sepse ka vizion dhe pjesa monetare është ajo sfida tjetër sepse është shumë e vështirë. Ne në kaq vite eksperiencë që kemi në punë, nuk kemi mundur dot të grumbullojmë një vlerë të madhe parash. Mos familjarët, jemi drejtuar dhe bankës.
Rudina Xhunga: A, keni marrë kredi për biznesin ë?
Adela Braho: Po, patjetër!
Rudina Xhunga: Bravo, bravo!
Adela Braho: Prandaj të thashë që…
Rudina Xhunga: Domethënë, nëse ke idenë, ti mund të marrësh kredi në bankë dhe të jesh i sigurt që do e lash apo, bëj kështu unë me lekët e tua? Jap siguri?
Adela Braho: Jo, patjetër që, jo. E di kjo është pjesa më e bukur sepse ti duhet të gjesh se s’bën formën e duhur, për ta bërë këtë gjë të funksionojë.
Rudina Xhunga: Se ti duhet ta shlyesh atë kredi.
Adela Braho: Po, ti duhet të shlyesh kredinë.
Rudina Xhunga: Dhe duhet t’i thuash vetes tënde që ia dola.
Adela Braho: Patjetër!
Rudina Xhunga: Kështu që prandaj ato lekët s’janë të lehta kur i merr atje në bankë!
Adela Braho: Po!
Rudina Xhunga: Duhet t’i kthesh. Prandaj shtohet puna. Po për një muaj e gjysmë, unë nuk po më besohet që është një muaj e gjysmë sepse kur kam ardhur ditën e parë këtu, më pëlqeu arredimi, thashë “Aaa sa bukur goca, bravo!” dhe tani vij shumë shpesh me shumë kënaqësi, por më shumë më tërheq goca se do të hajë sheqerka! Ke bërë mungesa, nuk e kemi ngrënë Waffle-in këto kohë në mëngjes.
Adela Braho: Po ëëë, po sepse është një problem.
Rudina Xhunga: Pse?
Adela Braho: Për të gjetur punëtorë, domethënë kjo është pjesa më e vështirë.
Rudina Xhunga: Se ti e bën vetë?
Adela Braho: Ne i bëjmë vetë, ne i kemi bërë…
Rudina Xhunga: Ah, prandaj kur vij unë në mëngjes, më thonë s’ka ardhur Adela?
Adela Braho: S’ka ardhur Adela, s’ka ardhur Kledia, s’ka ardhur motra ime dhe prandaj. Tani, se kjo është sfidë më vete, të gjesh punëtorë dhe një person që është adekuat për ta bërë punën dhe për t’ia besuar punën. Dhe prandaj ne jemi lodhur vërtet shumë duke qenë gjatë gjithë kohës këtu vetë dhe kjo është vërtet sfidë, por gradualisht njerëzit do e kuptojnë dhe do vijnë më shpesh këtu për ta kuptuar. Edhe mua më pëlqen ideja që kemi qenë vetë sepse kemi transmetuar një lloj çiltërsie dhe një lloj energjie shumë pozitive te njerëzit dhe këto kanë qenë komentet kryesore përveç produktit që është vërtet i mirë. Kanë thënë që aty jemi të kënaqur nga shërbimi që ne kemi marrë! Ok, tani po ia bëj qejfin vetes, po flas me superlativa! Jo, por sepse kjo është ajo çfarë të bën të ecësh përpara. Në momentin që ti e kupton që kjo është mënyra e duhur.
Rudina Xhunga: Po.
Adela Braho: Dhe fakti që njerëzit janë rikthyer këtu, kjo është shenjë pozitive.
Rudina Xhunga: Fjalët e mira na bëjnë të ecim përpara. Vëmendja na zhvillon na përmirëson, kështu që unë uroj, paçi edhe njerëz që punojnë si ju dhe për ju dhe uroj që të shtoheni sa më shumë sepse më pëlqejnë që gocat që punojnë t’ia dalin.
Adela Braho: Patjetër.
Rudina Xhunga: Edhe çunat që punojnë, por unë merakun e kam për gocat. Faleminderit!
Adela Braho: Shumë faleminderit!
Rudina Xhunga: Gëzuar!
Adela Braho: Të bëftë mirë!
Rudina Xhunga: Faleminderit! Mirë u pafshim!
Adela Braho: Mirë ardhshi! Mirë u pafshim!
Rudina Xhunga: Ju thashë sa ide biznesi ka te lagjja ime! Ide biznesi të ëmbla, që jo vetëm të ëmbëlsojnë jetën, por edhe diku ta ndezin një llambë. Kushedi ku bën dritë pastaj.
E fundit është The Place. Ka të tjerë, por këto janë ato ku ëmbëlsohen unë çdo mëngjes.
The Place- Vendi te Kika
Rudina Xhunga: Ja këtu! Ky është vendi ku unë vij, ha drekë gjithë kohës. Më pëlqen shumë se janë gatime shtëpie dhe ky vendi quhet “Vendi”, quhet “The Place”. Këto ëmbëlsirat ta heqin mendjen fare, fare, fare. Dhe unë gjithmonë e kam lënë që të vij një ditë dhe të më tregosh si bëhet njëra prej këtyre ëmbëlsirave dhe shef Dani më premtoi se do e bëjmë. Por ka nja tre katër muaj që thotë do e bëjmë, më së fundmi sot më lejoi. Më tha edhe që nuk futem dot pa këtë në kuzhinë. Uh jo e vura keq. Ja ta vëmë mirë! Se na bën keq, na bien flokët. Mirë e vura tani?
S’po e rregullojmë dot po nejse, sa të mos na bien flokët në kuzhinë. Ja mirë se të gjeta Dani!
Shef Dani: Mirë se erdhe. Përshëndetje!
Rudina Xhunga: Çfarë do të bëjmë sot?
Shef Dani: Do të bëjmë ëmbëlsirën Red Velvet.
Rudina Xhunga: Kjo është e preferuara e Alanës. Për këtë Red Velvet vjen tërë kohës ajo dhe me këtë e fillon, pastaj ha supën me thjerrëza që ti e qan. Ku ke mësuar të gatuash kaq mirë ti?
Shef Dani: E kam pasur pasion gatimin që i vogël. Më pas kam mbaruar shkollën Hoteleri-Turizëm në Berat. Kam vazhduar shkollën në një profesionale dhe shkova edhe në një kurs 9-mujor.
Rudina Xhunga: Ti prej nga je Dani?
Shef Dani: Nga Berati.
Rudina Xhunga: Sa kohë ke në Berat që gatuan?
Shef Dani: Kam 5 vjet, por kam punuar edhe më parë në Berat. Gati 4 vjet eksperiencë i kam në Berat.
Rudina Xhunga: Ku punove në Berat, në çfarë vendi?
Shef Dani: Te Bar-Restorant Green House dhe te Taverna Ago.
Rudina Xhunga: Po mirë çfarë gatimi Berati? S’ke bërë ndonjë gatim Berati këtu se unë vdes për to. Ti e di që edhe unë jam nga Berati?
Shef Dani: Po e di. E di po do t’i bëjmë me kalimin e kohës.
Rudina Xhunga: E pra se do të më bësh një gatim Berati ndonjë ditë. Kjo Red Velvet s’ka lidhje me Beratin.
Shef Dani: Jo s’ka.
Rudina Xhunga: Si quhet ëmbëlsira e paparë e Beratit që kam qejf shumë?
Shef Dani: Mont Blanc.
Rudina Xhunga: Mont Blanc. Edhe ajo s’është nga Berati, por e keni përvetësuar. Po Mont Blanc di të bësh?
Shef Dani: Po di ta bëj.
Rudina Xhunga: Të lutem do të më bësh Mont Blanc ndonjë ditë? Më premton?Shef Dani: Po patjetër!
Rudina Xhunga: E sigurt?
Shef Dani: Po e sigurt!
Rudina Xhunga: Kur të bëjmë Mont Blanc do ta tregojmë, në Instagram mbase, jo në kamera. Sot kemi Red Velvet.
Shef Dani: Red Velvet është një ëmbëlsirë amerikane, e lindur në Amerikë në vitet 1800.
Rudina Xhunga: Sa e bukur është ama! Po pse është ëmbëlsira e dashurisë, nga e kuqja?
Shef Dani: Ngaqë është ngjyra e kuqe e zjarrtë, është quajtur si torta e Shën Valentinit.
Rudina Xhunga: Sa e kuqe është! Si e kuqe Onufri. Jo Onufri e ka ndryshe, kjo është në vishnje, se ia futa kot. Kjo është e kuqe luleshtrydheje dhe më duket se shkon. Si ke ardhur ti deri këtu, ndërsa bëhesha gati unë te Sheqeri?
Shef Dani: Kam përgatitur kekun. Rrihet gjalpi me sheqerin.
Rudina Xhunga: Për të marrë këtë ngjyrën çfarë i hedh?
Shef Dani: Duhet të përdorim një ngjyrues ushqimor.
Rudina Xhunga: I parrezikshëm?
Shef Dani: Po, po i parrezikshëm. Ne kujdesemi për konsumatorët tanë.
Rudina Xhunga: Vazhdo me qejf.
Shef Dani: Ndërsa në kushte shtëpie mund të bëhet edhe me panxhar, sepse është edhe i ëmbël dhe ka goxha ngjyrë.
Rudina Xhunga: A sa e bukur!
Shef Dani: Amvisat mund ta përdorin panxharin në shtëpi.
Rudina Xhunga: Nuk i heq fare ngjyrues ushqimor?
Shef Dani: Jo fare!
Rudina Xhunga: Ja e rregullova! Më rri më mirë, se më binte kapuçi. Problem i madh kapuçi. Nuk po të shqetësoj që të bësh kremin. Kremi është tani ë?
Shef Dani: Po. Pasi kemi përfunduar pjesën e kekut do të bëjmë kremin.
Rudina Xhunga: Vazhdo si në shtëpinë tënde. Unë vetëm do të shoh, nuk bëj kot sikur po të ndihmoj.
Shef Dani: Atëherë duhet të rrahim 450 gram Philadelphia.
Rudina Xhunga: Që ti e ke matur më përpara.
Shef Dani: Po, po.
Rudina Xhunga: Këtë po shikoja. Kur po bëheshim gati, Dani po e maste, i thashë: “Lëre se e kemi thjesht për xhirim.” “Po jo,” -tha “se del keq. Nuk është çështje xhirimi. Duhet të jetë reale e gjitha.” Ah ky kapuçi. Kujt ia kam marrë këtë kapuçin, s’më rri më çmendi.
Shef Dani: Gramatura e ëmbëlsirave duhet të jenë shumë të sakta.
Rudina Xhunga: Tani një pyetje kam. Këto ëmbëlsirat i keni shumë të mira ju. Ti ke mësuar edhe për ëmbëlsirat, apo këto i ke nga qejfi, shtesë?
Shef Dani: Unë i kam nga pasioni ëmbëlsirat.
Rudina Xhunga: Ti bën dhe kateringun, i bën të gjitha?
Shef Dani: Po, merrem edhe me kateringun.
Rudina Xhunga: Se këtu çfarë s’bëhet. Mos kujto se është gjë e vogël. Për shembull dje, unë provova një supë. Me thjerrëza e kishe bërë supën?Shef Dani: Po ka qenë supë krem thjerrëzash të kuqe.
Rudina Xhunga: Supat i ke të papara, kremrat e supave. I them gjithmonë vetes, që këtë supën do ta bëj në shtëpi, asnjëherë s’ndodh.
Shef Dani: Atëherë duhet të rrahim sheqerin pluhur me Philadelphia-n dhe më pas duhet të rrahim panën e ëmbëlsirës.
Rudina Xhunga: Çfarë do të rrahësh tjetër? Sheqer pluhur, Philadelphia dhe…?
Shef Dani: Sheqer pluhur me Philadelphia-n. Më pas duhet ta heqim dhe të rrahim më vete panën e ëmbëlsirës. Duhet të shtojmë edhe vaniljen.
Rudina Xhunga: E pra duhen edhe këto një çikë tani se s’është kaq kollaj, e bën me dorë këtë punë. Cilat ëmbëlsira pëlqejnë më shumë? Cilat marrin më shumë?
Shef Dani: Varet sipas stinës. Për shembull në verë po themi mus kosi dhe semifreddo janë ëmbëlsirat që kërkohen më tepër.
Rudina Xhunga: Ato që janë të lehta. Kjo ishte e Shën Valentinit.
Shef Dani: Po e Shën Valentinit.
Rudina Xhunga: Një gjë tjetër që më pëlqen mua shumë përveç supave, janë biskotat. Se si i bën ti ato. I bën vetë të gjitha?
Shef Dani: Po.
Rudina Xhunga: I paketon…
Shef Dani: Po. Është një biskotë që quhet biskotë sallam me çokokrem dhe lajthi.
Rudina Xhunga: Është një me pistakio, që më pëlqen shumë.
Shef Dani:Po me pistakio dhe çokollatë të bardhë. Edhe atë mund ta bëjmë një ditë tjetër.
Rudina Xhunga: Domethënë ti gjithë ditën je këtu?
Shef Dani: Po gjithë ditën. Po janë të thjeshta.
Rudina Xhunga: Të thjeshta janë për ty.
Shef Dani: Janë shumë të shijshme dhe të shëndetshme si ëmbëlsira sepse nuk kanë sheqer.
Rudina Xhunga: Për të shëndetshme mos më thuaj tani.
Shef Dani: Po nuk kanë fare sheqer brenda. Domethënë janë disa ëmbëlsira që i bëjmë me sheqer kaf. Red Velvet do patjetër sheqer dhe ne përdorim sheqerin pluhur. Red Velvet në vitet ’60-’70 pothuajse ka humbur si ëmbëlsirë, nuk është përdorur shumë. Por më pas në vitet ’89 kur u xhirua filmi i Julia Roberts, “Lule çeliku” ajo u bë më e famshme dhe u përhap në të gjithë botën.
Rudina Xhunga: Julia Roberts e risolli domethënë.
Shef Dani: Po Julia Roberts.
Rudina Xhunga: Kjo është historia e reklamës. Sado e mirë të jetë diçka për stomakun, duhet të jetë e mirë për pamjen. Kështu që po nuk e tregove, nuk do e marrin vesh të gjithë. Dhe kjo është ajo që dua të bëj, të tregoj për sheqerin e lagjes sime që pastaj në të gjitha lagjet tuaja të ketë jo sheqer, por biznese dhe çuna e vajza, të rinj të cilët punojnë dhe të bëjnë ty të ndihesh mirë e të mendosh dhe ti një ide biznesi. Sa vjeç je?
Shef Dani: Unë jam 27.
Rudina Xhunga: 27. E shikon sa ishte mosha e njerëzve që takuam sot, 23, 25, 27.
Shef Dani: Dhe e kam filluar 18 vjeç kuzhinën.
Rudina Xhunga: Po përse?
Shef Dani: E kam ushtruar si profesion, por kam punuar edhe më përpara.
Rudina Xhunga: 18 vjeç ë?
Shef Dani: Po.
Rudina Xhunga: Kishe dikë që të ngacmoi në shtëpi, apo jo?
Shef Dani: Jo, e kam pasur vetë pasion.
Rudina Xhunga: Shikoje mamanë, shikoje gjyshen?
Shef Dani: Gatuaja fshehurazi.
Rudina Xhunga: Gatuaje fshehurazi?
Shef Dani: Po. Sepse me mendimin që isha i vogël, mami mendonte se do t’i prishja produktet, por jo.
Rudina Xhunga: Kishte merak që do t’i prishje gjërat. Ime bijë më prish të kuqin e buzëve. Megjithatë jo, jo, nuk është e vërtetë. Tani që po e mendoj ka shumë qejf të gatuajë në shtëpi. Por unë nuk ia ushqej sepse nuk më jepet. Por e shikoj që ka qejf.
Shef Dani: Atëherë, keku Red Velvet duhet të dalë kështu që të thërrmohet. Nëse thërrmohet kështu do të thotë se kemi arritur një kek shumë të mirë për këtë ëmbëlsirë. Duhet të jetë sa më i butë ngaqë nuk përdoret sherbet për t’u regjur. Edhe kjo pjesa përdoret për dekor.
Rudina Xhunga: Po e vë në pjatë në fund. Kremi akoma? Do akoma kohë të bëhet?
Shef Dani: Kremi dhe pak dhe bëhet e do të vazhdojmë të rrahim panën.
Rudina Xhunga: Unë s’po prek gjë sepse jam pa doreza. Jo se do të ndihmoja, po…
Shef Dani: Edhe dy minuta. Ndërkohë presim kekun. Duhet ta presim dhe ta ndajmë në tri shtresa.
Rudina Xhunga: Pse pritet ajo?
Shef Dani: Normalisht që do shumë kujdes.
Rudina Xhunga: Mbaroi kremi tani ë?
Shef Dani: Po. Kremi ka përfunduar. Pasi kemi përfunduar gjysmën e procedurës së rrahjes së kremit, tani duhet të rrahim vetëm panën ëmbëlsirës.
Rudina Xhunga: Më vete?
Shef Dani: Po më vete. Dhe më pas përzihet.
Rudina Xhunga: bashkë me kremin.
Shef Dani: Po bashkë me kremin. Ndryshe nga kremi i Philadephia-s, kremi i panës kur ka arritur masën e duhur, domethënë është i përgatitur dallohet edhe nga ndryshimi i zhurmës që jep makineria.
Rudina Xhunga: Pse?
Shef Dani: Sepse ka një zhurmë tjetër kur lidhet kremi i panës. Ndryshon. Kremi tani është bërë.
Rudina Xhunga: Kjo zhurma tani tregon që u bë.
Shef Dani: Po.
Rudina Xhunga: Kuzhina është me veshë, jo vetëm me aromë.
Shef Dani: Vazhdojmë përzierjen e kremit, marrim masën homogjene dhe duhet të bëhet përzierja nga poshtë-sipër. Tashmë kremi është i gjithi i përzier dhe është gati për të vazhduar dekorin e tortës, me ndihmën e një qeseje pastiçerie. Duhet prerë sa më e vogël pjesa këtu, që të mos nxjerrë shumë krem dhe të marrë dekori formën e duhur. Atëherë i hapim shtresat me radhë një nga një.
Rudina Xhunga: Do të të shoh ty te dy të parat dhe tek e treta do e provoj vetë.
Shef Dani: Patjetër. Me kënaqësi!
Rudina Xhunga: Edhe reçel i hedh?
Shef Dani: Është një salcë me fruta pylli e cila është pa sheqer. Ne e përdorim për dekore tek ëmbëlsirat, nëse klienti e dëshiron.
Rudina Xhunga: E keni bërë vetë?
Shef Dani: Po vetë.
Rudina Xhunga: Të gjitha vetë?
Shef Dani: Të gjitha, çdo gjë bëhet vetë. Vazhdojmë me pjesën e mbushjes së kremit te torta. Vendosim dhe pjesën e sipërme.
Rudina Xhunga: Dhe është gati. Edhe sipër do t’i vësh.
Shef Dani: Dhe te pjesa e sipërme.
Rudina Xhunga: Po pres unë me pjatë në dorë.
Shef Dani: Unë kam zgjedhur mënyrën për ta bërë me racione. Po mund të bëhet edhe si tortë e madhe dhe pritet në racione. Atëherë vendosim pjatën. E përshtatim pak dhe me luleshtrydhen. Dhe e kemi gati për t’u konsumuar.
Rudina Xhunga: Ohh sa bukur. Red Velvet është gati për t’u konsumuar. Të lumshin duart Dani!
Shef Dani: Faleminderit dhe ju bëfshin mirë!
Rudina Xhunga: Këtë të vjen keq ta hash. Unë nuk kam çfarë të bëj, do ta ha. Ky është mëngjesi im i së dielës për sot. Ja dhe Red Velvet është gati dhe unë mezi po pres ta ha dhe të shtoj nja dy-tri kile. Nuk është kjo arsyeja. Nuk është vërtet sheqeri, arsyeja përse është ky emision, edhe pse ky është sheqeri i lagjes sime, sheqeri që më ëmbëlson lagjen. Arsyeja e këtij emisioni është sepse lagjja ime e meritonte një emision të tillë, lagjja që mban era gjalpë dhe që ka ngjyrën e mjedrave të Olës. Që ka histori biznesi djemsh dhe vajzash, të rinj, të mirë dhe të mençur që ia kanë dalë të na bëjnë bashkë dhe të mos na lejojnë që të ikim nga këtu. Kjo është historia e lagjes sime. Uroj të kesh edhe ti një histori të tillë në lagjen tënde. Do vij ta tregoj dhe atë. Gëzuar me Red Velvet!/dritare.net
Shuuume e gjate moj Rudina.