Nga Irsa Ruçi
Qyteti është takimi parë i individit me botën që e rrethon. Por është edhe takimi me veten, në përpjekje për të zbuluar përkatësinë; një lloj pasqyre ngaku ke mundësinë të shihesh si pjesë e së tërës, e ku tërësia është brenda teje. Secili prej nesh, në vendqëndrimin e tij, mbart të trashëguar jo veç tokën si pronë vetjake; por mbi të gjitha mentalitetin, kulturën, dialektin si pronë shoqërore. Parë në këtë këndvështrim, Tirana është një mozaik copëzash njerëzore të mbledhura nga çdo krahinë, fshat e çdo derë shqiptari kryq e tërthor kufijve të vendit; është sa kryeqendra zhurmëmadhe e një Shqipërie që s’bën zë nga pesha e halleve mbi supe, po aq edhe kryeqendra e vetmisë së qenies. Njeriu, i zbritur nga malet, fushat, periferia, bashkë me gomarin ngarkuar plot ushqime, me lopët, dhitë e derrat solli në këtë qytet edhe vuajtjet e tij, ato 1001 problemet që i treguan rrugët e ikjes. I ndodhur në udhëkryqin e një Tirane që kishte nevojë të rindërtohej, secili kërkonte të rrëmbente një thelë prej hapësirave pa zot për të ngritur aty “fshatin” e tij.
Fytyra e Tiranës jo vetëm u transformua tërësisht, por u tranvestitua aq shëmtuar, sa nuk kishte më dorë ta kthente në identitet. Shtëpitë me qerpiçe ngjanin si fantazma përballë pallateve shumëngjyrëshe që madhështinë e tregonin me kate, porsi ato qeniet prehistorike që epoka e postmodernitetit i studion me një lloj indiferentizmi gati në zhvlerësim, ashtu edhe tradita e ndërtimeve karakteristike të kryeqytetit u gjykua tepër e lashtë përpara pamjeve madhështore të qyteteve me të cilat na zgjonte zilinë bota perëndimore.
Tirana e të gjithëve dhe e askujt njëherësh u zaptua në çdo pëllëmbë të saj: çdokush me parrullën “tokë e xanun” mbi supe, u përball me fatin e një qyteti që s’kishte më fuqi as të jetonte, i kthyer në një ulërimë dialektesh, mendësish, kulturash që u desh të bashkëjetonin e të përshtateshin mes tyre me hir a pahir.
E gjithë ky “tranzicion” kryeqytetas më ka shoqëruar përgjatë rritjes sime. Prej fëmijërisë mbaj mend se rreth 200 metra mbi shtëpinë time gjendej një hapësirë e paanë mbushur me bar, lulëkuqe, e ku dielli shtrihej çdo mëngjes madhështor mbi fusha. Ca më tej, kishte aq shumë rreshta me ullinj, sa pasditeve, fëmijët e lagjes bënim gara mes nesh se kush do t’mblidhte më tepër ullinj mbi bluzat e kthyera në qeska. Ndërsa ecje nëpër rrugicën e gjerë, ndodhej fusha prej ku u rritëm me kujtime. Sa herë shoh shenjat mbi gjunjë, kujtoj vrapimet e çmendura në vendlindjen time që atëkohë frymonte lirisht. Sot më dhembin sytë teksa vështroj sesi vend – shpirti im jep dalëngadalë shpirt.
Të zgjohesh në Tiranën e 2015 – ës është një stres më vete, që sado energji pozitive t’i imponosh mëngjesit tënd, sërish nuk i shmangesh dot peripecive të ditës. Në një reflektim shumë të shkurtër, jashtë termave akademikë, filozofikë a poetikë, po evidentoj disa prej mangësive që mbart çdo ditë kryeqyteti ynë, e që kohën ta kthejnë në lodhje:
Prej gjumi të zgjon trembshëm jo më kënga e këndezit, por hapja e qepenave të dyqaneve e lokaleve që gjenden çdo 10 metra distancë. Përgjumjen ta heq plotësisht televizori i komshiut që e ka parë të arsyeshme ta ndërtojë shtëpinë rrëzë tëndes, e me të cilin, do – s’do, ca halle do i qash, se ai t’i merr vesh në të njëjtin itinerar kohe me gruan a fëmijët.
Del nga shtëpia me dëshirën për të nisur një ditë të mbarë, por nëse nuk e ke mendjen në vend mund të përfundosh edhe me këmbë të thyerprej pusetave pa kapak që gjenden frikshëm në çdo rrugë e qorrsokak.
Pak më tej, shikimin e përvjedh një shtyllë tensioni, që duket sikur i ka rënë tensioni; anuar shëmtuar, sa ngjan se të vetmet që e mbajnë ende në këmbë janë fijet si rrjeta merimange që varen mbi krye.
Era e plehrave nëpër kazanët e tejmbushur dhe qeskat që rrinë strukur qoshkave të trotuarit e mundin edhe aromën e parfumit tënd.
Të vetmit që s’turpërohen nga pamja janë pankartat e lloj – lloj kandidatësh e politikanësh të vendosur nëpër mure e shtylla zgjedhje pas zgjedhjesh; që buzëqeshjes së tyre u ka ikur tërësisht boja, ndër mote që “prehen” aty.
E sikur të mos mjaftonte, të del para syve një tjetër horror, ku në kioska të improvizuara rripet që në mengjes viçi ardhur prej maqedonie.
Në mossosjen e kusureve, të duhet të ambientohesh me erën e alkoolit që konsumohet që herët nëpër lokalet që kanë pushtuar çdo pëllëmbë trotuari.
Të guxosh të veshësh këpucë me taka, duhet të mendohesh dy herë, sepse mund të përfundosh në përndrydhje këmbësh prej gropave që thellohen çdo ditë e më tepër.
Takat mund të evitohen jo vetëm për shkak të gropave, por edhe se duhet të ndjekësh ritmin e turmave që ecin me vrap në kalimin mes rrugësh, ngaku mungojnë vijat e bardha dhe semaforët janë thjesht për dekorim.
E ndoshta pjesa më e shëmtuar është kur bashkë me hijen tënde sheh si zgjatet dhe hija e rreth 20 qenve rrugeçër që të ndjekin hapat.
Aq shumë mungojnë hapësirat e gjelbëruara, sa në të paktat pemë që i bëjnë hije këtij qyteti, njerëzit i kanë zbukuruar me qeska shumëngjyrëshe varur degëve pothuajse të vyshkura.
Urimi i ditës është “mos të raftë rruga buzë Lanës”, sepse lumi i shkretë është kthyer dëshpërimisht në banjo publike; dhe në vend të paqes e qetësisë, ajo panoramë të provokon të përziera e marrje mendsh.
Mbi qiellin e qytetit që po humbet fytyrën zgjatet çdo agim dite një mjegull tymi, pluhur, çdo grimcë ajri duket sikur e ndot edhe më ambientin dhe prej zhurmave akustike nuk e eviton dot dhembjen e kokës.
Tirana fatkeqësisht është një qytet ku mungon qytetari. Ai që banon në këtë vend e ndjen veten të përjashtuar tërësisht prej vendimmarrjes: të ndihesh i huaj në përditshmërinë tënde, të mos e gjesh veten atje ku lë gjurmët e tua në të njëjtën rutinë që përsëritet.
E nëse muzgu të zë rrugëve, merr me vete peshën e frikës së ecjes në errësirë, sepse poçat gjysmë të ndezur, por më shumë të djegur e përgjumin herët këtë qytet.
Përballë një morie problemesh me të cilat ndeshet sot Tirana, e që i kanë shuar shpresën kryeqendrës së Shqipërisë, qëndrojnë dy figura, në gjykimin tim të respektuar, që kanë shfaqur ambicien e tyre për menaxhimin e thyerjes në rrugën e duhur kryeqytetin pa qytet. Ndaj dhe vota ime s’do të jetë politike, s’mund të jetë politike, por vetëm qytetare. Dhe alternativën më të përshtatshme për vendlindjen time, gjykoj z. Veliaj. Në një arsyetim thjesht sipërfaqësor, pa u thelluar në argumenta shpjegues, por vetëm përshkrues, më rezulton se kostoja politike që Erioni do t’mbante mbi supe në rast mospërmbushje premtimesh është shumë herë më e lartë se kostoja e z. Kosova. (Ndoshta edhe për këtë arsye u përzgjodh si kandidatura e PD – së: Se humbja e Dr. Halimit, nuk është humbje për politikën). Në rast dështimi, z. Kosova e ka shumë të lehtë zgjidhjen: i kthehet profesionit të mjekut, pa i rënduar barra e karrierës. Ndërsa z. Veliaj është një figurë politike, i shfaqur ambicioz në vizionin e tij dhe po kaq ambicion duket edhe programi i paraqitur për menaxhimin e Tiranës. E vlerësoj si kandidaturën e vetme serioze që ka nisur qysh tashmë të marrë në dorë frenat e punës, për t’i kthyer premtimet në realitet. Sepse ai është i ndërgjegjshëm që e kundërta mund t’i kthehet si bumerang.
Dëshiroj t’i jap qytetit tim mundësinë të gjallërohet, të kthejet në jetë, të zgjohet prej dremitjes. Dëshiroj t’i jap alternativën e një njeriu që e do Tiranën; jo një zgjatim të shëmtuar të një mandati të hedhur dëm.
Tir(h)ana ime, bashkë me dritën që kurrë s’do t’i shuhet, ka nevojë të gjejë identitetin e saj, i duhet ngjallur shpresa me punën e njerëzve që dinë të investohen me pasion e ta duan bukur.









