Konferenca e Kryetarëve ka marrë vendim, në lidhje me kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për shembjen e disa akseve rrugore në vend. Konferenca ka rrëzuar kërkesën e opozitës, duke mos ngritur Komision Hetimor ndaj ARRSH-së.
Duke qenë se nuk u arrit dakordësia, çështja i kalon për votim seancës të së enjtes, raporton për Klan News, gazetarja Greta Bullari.
Kreu i Grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi mësohet se ka ngritur tonet ndaj nënkryetares së parlamentit Klodiana Spahiu. Bardhi i tha Spahiut se opozita anatemohet, teksa thuhet se “po pengon integrimin e vendit”. Sipas tij, peng integrimin e ka lënë korrupsioni qeveritar.
“Është e rëndë që vini këtu e shpifni. Nuk ka asnjë rast të një deputeti opozitar që flet apo vepron kundër integrimit. Ne nuk bëhemi mburojë e korrupsionit, ndryshe nga ju që keni kohë që jeni kthyer të tillë. Ne themi: hiqeni imunitetin e çdo funksionari të lartë të akuzuar për abuzime me paratë publike.
Kush është kundër integrimit? Është opozita apo ju, që ngrini kartonin e kuq kundër Prokurorisë? Kush nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ne apo ju? Keni ngritur kartonin e kuq kundër Kushtetueses. Ju vidhni e thoni se po punoni për Shqipërinë. Opozita denoncon e ju akuzoni paturpërisht opozitën. Keni rrëzuar çdo instrument konbtrolli”, u shpreh Bardhi.
Ndërkaq, është rrëzuar edhe kërkesa e dytë e opozitës. Kjo kërkesë kishte të bënte me ngritjen e një Komisioni Hetimor për AKSHI-n.
Pas rrëzimit të dy kërkesave të opozitës, i ashpër ka qenë reagimi i Gazment Bardhit. Ai u shpreh se kërkesat opozitare u rrëzuan vetëm nga urrejtja politike.
“Kërkesat e opozitës janë rrëzuar thjesht nga urrejtja politike. Ky nuk është parlamentarizëm. Nuk e di se cili është roli i deputetëve, kur mazhoranca nuk pranon as Komisione Hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as ligje e amendamente?
Çfarë duhet të bëjë opozita? Duhet t’ju bëjë fresk juve? Pastaj thoni se “opozita duhet të bashkëpunojë”, por se ju rrëzoni çdo gjë që ne kërkojmë”, u shpreh i revoltuar Bardhi.
Partia Socialiste kërkoi që në rend dite të futet edhe projektligji për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, por se kjo është kundërshtuar nga Partia Demokratike, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese rrëzoi numrin e komisioneve hetimore.











