Ndërsa konfirmon votën e tij në unison me Partinë Demokratike dhe opozitën për reformën në drejtësi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka dhe rezervat e tij për mënyrën se si është negociuar nga PD për këtë reformë.
Gjatë intervistës “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv kreu i LZHK tha se është i pakënaqur nga Basha për mënyrën se si ka negociuar këtë proces.
Sa i përket nenit 88, Shehi thotë se ka hapësira për negocim, ndërsa i sugjeron kryeministrit Rama ta pranojë këtë pike të draftit, pse jo me kushte të caktuara.
Z.Shehi, reforma në drejtësi duket se është bllokuar, cili është shkaku kryesor sipas jush?
Bllokimi ndodh për shumë faktorë por arsyeja kryesore është sepse ndodhemi në një klimë mosbesimi reciprok e ndërtuar prej vitesh mes politikës dhe drejtësinë. Këtu politika e ka dashur gjithmonë drejtësinë dhe e ka pasur, në kuptimin që prokurorët kanë mbyllur ndonjë dosje sipas interesave. Kjo klimë mosbesimi ka bërë që të mos arrihet në një rezultat. Sikur të kishim një atmosferë reciproke mirëbesimi unë e gjykoj se do ishin gjetur disa formula bashkëpunimi.
Cilat janë këto formula?
Në parim do të ishte që tezat kryesore të reformimit të trupës gjyqësore të bëheshin me konsensus. Kjo do i jepte jetëgjatësi reformës, do të krijonte idenë që do i shkonte thellë reformës. Do jepje besimin se do ishte jetëgjatë sepse është aprovuar nga të dyja palët.
Rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias është një nukël për të arritur konsensusin apo është alibi për të bllokuar reformën?
Unë besoj që është një shans për të gjetur konsensusin. Nuk është më i miri, sepse po të kisha gjetur një konsensus nga një formulë tjetër do kisha preferuar atë. Por në momentin që mbërrin do e pranoj por me disa kushte.
Si do e pranonit 88-ën me këtë siç është parashikuar në projektin që kanë deputetët në tavolinë?
Kjo nuk është 88-ta, por është zgjedhje me 2/3-at, kjo që na është ofruar. Deri sot e kemi refuzuar, por unë do të thoja që 88-ta me disa ndryshime do të ishte një reformë kompromisi. Në thelb unë do e kisha nisur ndryshe reformën.
Ambasadorët e kanë shtypur reformën dhe janë shprehur se kjo është kushtetuta juaj e re? Si e gjykoni ju?
Brenda kësaj është lodhja dhe padurimi i ambasadorëve nga negocimi me shqiptarët. Por gjithashtu është edhe dëshira për një protagonizëm të tepruar, por shpesh herë edhe paaftësia për t’i futur djajtë në shishe, por mbase i kanë nxjerrë pak edhe vetë. Në këtë kuptim ose nuk do bëhet reforma në datë 21 korrik, ose do gjejmë një mënyrë për negocim. Unë nuk them siç thotë PD-ja që kjo reformë është lumturia. Biles unë jam shumë i pakënaqur me mënyrën sesi e ka trajtuar zoti Basha, PD-ja çështjen e drejtësisë.
Ku gaboi Basha?
Pikë së pari kanë gabuar sepse negociatorët nuk kanë qenë të një rangu politik. Këtu është bërë gjithmonë me disa teknokratë që kanë shkuar vetëm në darka dhe kanë marrë këshilla. Kjo është një pavendosje politike që ka krijuar mendimin tek të huajt që faji është vetëm tek ne, por që faji është i të dy palëve. Une mendoj që Basha duke u tërhequr nga negocimi në vetë të parë e ka lënë situatën të rrëshqasë. E dyta vendoset një target në fillim, dhe nuk i fitojmë gjatë rrugës. Edhe këtë situatë opozita nuk e ka pasur. Ne kemi ecur me një rend dite.
Si e shikoni rolin e ndërkombëtarëve, vettingun do e bëjnë ndërkombëtarët? Si e gjykoni ju, ju duket normale?
Po të flasim për principet kushtetuese kjo nuk është normale, që në një shtet në kushtetutë të shkruhej që do të vijnë të huajt. Unë do e mbyllja me një marrëveshje me të huajt. Unë jam nga ata që do propozoja gjykatës të huaj dhe më qeshën. Do doja t’i kisha mësuar shqiptarët me punën dhe me rregullin. Që ta shkruajmë këtë gjë në kushtetutë tregon dobësinë e shtetit.
Ambasadori ka nisur një tur me deputetë të opozitës, me ju ka kontaktuar?
Nuk ka kontaktuar po besoj që do të kontaktojë javës që vjen. Pozicioni im është ky që po them këtu, nuk kam pozicion tjetër.
Me 21 korrik do votohet drafti, ju do të votoni siç është ky drafti?
Në qoftë se është ky draft nuk e votoj, por që gjykoj që ka kohë edhe 2 javë për të negociuar. Gjithashtu edhe formulën që do peshkojmë vota nga pala tjetër nuk më duket e hijshme, morale. Unë jam zënë edhe me të djathtët por që majtas nuk kam shkuar. Politika nuk është peshkim. Siç ju thashë unë kam vërejtjet e mia për zotin Bashën sesi e ka trajtuar këtë çështje. PD dhe Basha duhet të fillojnë të ndryshojnë mënyrë negocimi.
Në gjykimin tuaj kalon ky ligj pa një konsensus?
Për të kaluar, kalon si çdo gjë në Shqipëri. Unë mendoj që ka akoma kohë për të kaluar në një zgjidhje alla shqiptarçe, por që e rëndësishme është të zgjidhet.
Si i gjykoni negociatat e LSI-së?
Unë nuk i ndjek në fakt shumë negociatat e LSI-së. As nuk e di se çfarë negocion ajo. Unë e gjykoj që ajo qëndron gjithmonë në mes të gjërave që kanë pushtet, por që gjykoj se ajo do votojë si mazhoranca.
Ju do votoni si grupi?
Po unë do të votoj si grupi.
Në qoftë se kjo reformë nuk kalon me 21, a mendoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme?
Unë mendoj se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Shqipëria ka bërë zgjedhje të parakohshme vetëm kur ka pasur luftëra. Përtej krizave që kemi pasë, unë e gjykoj që traditën që zgjedhjet të bëhen një herë në 4 vite, nuk duhet ta rrëzojmë. Unë jam për zgjedhje të denja. Gjithashtu e konsideroj të dëmshme për politikën, dhe jo e rekomandueshme as nga ndërkombëtarët.
Skandali me foton e Ramës me Obamën 4 vjet më parë, ku thuhet se ka paguar 80 mijë dollarë për ta realizuar. Si e gjykoni ju?
Mua më duket shumë ë parëndësishme. Unë nuk e shoh ndonjë gjë të keqe nëse duan të bëjnë foto. Në qoftë se Rama e ka bërë këtë gjë është budallallëku i tyre. Kjo çështje i përket Prokurorisë amerikane.
Do doja ta vazhdonim bisedën tek efektet e dekriminalizimit. Ka pasur efekt apo ishte në efektin e propagandës?
Një pjesë të efektit e kanë pasur, p.sh këtu janë larguar 2-3 kryetar bashkie, 2-3 deputetë. Po të zbatohet më thellë unë them se do të ketë efekte më të mëdha dhe ç’është me e rëndësishme po vinë edhe zgjedhjet e tjera. Po të zbatohen kërkesat e ligjit në mënyrë të rreptë sigurisht që sfida do të jetë më e imët. Është shumë shpejt për të thënë a pati efekt sepse 1 muaj ka që po zbatohet, duhet të specializohen institucionet e tjera që do merren me zbatimin e këtij ligji sepse shteti është kompleks. Kështu duhet të avancojë prokuroria por unë them që ligji i ka pasur disa efekte pozitive, e dyta gjykoj që në të ardhmen do ketë edhe efekte më të thella.
Është ngritur një komision për ndryshimet në reformën zgjedhore. Si duhet të jetë kjo reformë sipas jush?
Ne kemi bërë dy propozime, unë jam pjesë e dy tavolinave. Unë do propozoja një kod i cili Shqipërisë e bënte një dhe jo 12 pra një proporcional kombëtar. Sepse ne kemi bërë 12 pa qenë nevoja fare dhe nuk e di se kush e pati këtë ide për mua të çmendur dhe të rrezikshme, sepse në jug mund të krijohen rajone që janë besimtarë të një feje dhe në veri e njëjta gjë. Shqipëria ka dy ndarje të mëdha me thënë të drejtën tradicionale. Ka pasur dhe një ndarje tjetër jo shumë e fortë shyqyr zotit se jemi fe të ndryshme jemi një komb që jetojmë mbi 3- 4 fe të ndryshme. Dhe me duart tona shkuam dhe si sajuam një ndarje tjetër me kolegje elektorale. Gjirokastra voton më vete me 4 deputetët, Kukësi me 3 këtë radhë, Tirana me 32 d.m.th një dispropocion i panevojshëm dhe gjithsecili nuk përfaqëson asgjë. E dyta unë them që të bëhet me lisat të hapura. Pse me lista të hapura? Po se ja kemi hequr të gjitha të drejtat shqiptarëve, nuk votojnë asgjë votojnë thjesht për parti. Sistem maxhoritar që të votojë personin nuk ka më por të paktën brenda kësaj të ketë një element maxhoritar që do votojmë partitë por brenda kësaj partie të votojmë edhe personin sepse na duket njeri më i mirë. Shqiptarëve s’u kemi lënë asgjë në dorë. E dyta që të krijojmë një hierarki politike dhe të kemi një elitë. Kush i merr këto vota. Politika është një gjë publike, investohesh me shumë vite, si do bëhet politika me ato miq që ka kryetari i bashkisë. E treta të demokratizojmë dhe partitë në vetvete. Kryetari zgjedh listën e deputetëve, kryetari zgjedh listën e kryetarëve të bashkisë, kryetari do zgjodhi dhe ato të komisionit që do bëjë drejtësi. Ky është një centralizim. Sigurisht që listat e hapura kanë efektet negative , sigurisht që në një zonë do jetë ndonjë rrugaç por edhe kjo mund të ndodhi po kush do ta vejë atë rrugaçin por sigurisht që partitë. N.q.s ti nuk e ve të bëhet një garë midis profesorëve. Kjo është e dyta që propozojmë pastaj pjesa tjetër është ajo administrimit zgjedhor. Duhet të bëhet numërimi elektronik që t’i nxjerrim një herë jashtë loje këto komisionerë. Ç’është kjo ushtri matrapazësh të vegjël që i turren votës së popullit dhe e sistemojnë. Unë thëm që numërimi elektronik do na bënte që si gjithë kombet e tjera nga ora 12 e natën pak a shumë të jenë marrë vesh rezultatet. E dyta sa vota janë për një person ta dimë njëherë, jemi kurioz dhe kjo është një hamendësi që më bën të vuaj prej shumë kohësh se sa vota kam marrë këtu në Tiranë, a më duan më gjithë mend more se ndoshta nuk më duan dhe unë shes mënd kot. Ta marrim vesh njëherë sa na votojnë, sa nuk na votojnë. Se kjo kalon nëpërmjet filtrit të partive. Nuk e shikon se çfarë lufte e madhe bëhet për të marrë një komisioner? Pse u dashka kjo? Sepse me anë të komisionerit bëhet e gjithë kjo. Akoma ne kemi shprehjen “mirë i merr votat, po a i ruan votat”. Pse çfarë janë votat, bankë? Ne i ruajmë votat se votat vidhen. Unë gjithmonë kam dashur që zgjedhjet të kenë një derivat politik, të forcojnë qeverinë, demokracinë, përfaqësimin popullor të gjitha këto që duhen. Në fakt ne jemi mbas 25 vjetëve dhe diskutojmë akoma mënyrën se si do votohet, a do ruhen votat a nuk do ruhen. Mirë që do i ruajmë votat dhe do votojmë, tani do flasim dhe për sistemin, vetëm tek ne ndodh kjo punë. Megjithatë unë jam pjesë e dy tavolinave dhe i respektoj të dyja, rri me shpresën që do bëhet diçka. Kam vënë shumë besim tek z. Basha. Shikoj kohët e fundit me shumë keqardhje që nuk po përmendet më kjo tezë e çështjeve të reformimit të Kodit Zgjedhor d.m.th në këtë presionin e ligjit për drejtësi ka rënë poshtë si diçka e dorës së dytë edhe s’ka më debate as nga opozita dhe as nga qeverisja jo e jo .
Ju firmosët kërkesën për të ndryshuar kushtetutën që presidenti të zgjidhet nga populli ndërkohë me reformën tjetër që po zhvillohet për drejtësinë gjithë kompetencat e presidentit i hiqen. A mendoni se një rezident të zgjidhet nga populli me kompetenca tërësisht honorifike?
Unë e kam firmosur se kam vite që e kërkoj. Sepse gjykoj që Shqipëria s’mund të shkojë më përpara me këtë formulim kushtetuese. Ka nevojë për diçka tjetër. Do të thotë që raportet midis institucioneve të ribalancohen që presidentit ti japim pushtetin e nevojshëm. Që ti japim pushtetin e nevojshëm sigurisht që ka nevojë dhe për një votë popullore. Sepse një president që do zgjidhet me votat e partisë sigurisht që nuk e ka këtë të drejtë. Ky propozim ka brenda një lloj katalizatori në ndryshimin e kushtetutës që ne nuk mund të biem dakord me këtë lloj gjendje dhe në mendoj se kjo është një qytezë që e kthen debatin kushtetues, rikthen dëshirën që roli i presidentit të jetë më i madh sesa ky që është sot. Unë e kuptoj që ai propozim dhe e kam diskutuar me kolegët si Blushi, Hafizi edhe me të tjerë që e kanë firmosur është i pamjaftueshëm për të çuar njerëzit në votim por shërben si një platformë për të kërkuar ndryshime kushtetuese. Në një vend i cili nuk ka senat për t’i riparë ligjet, të cilin rolin e presidentit vazhdojmë ta reduktojmë, më fal po kush do ta bëjë drejtësinë? Kush do ta bëjë balancën? Apo vetëm partia që është në pushtetet.
Akuza që ngriti Prokuroria me ato të cilat u konsideruan si përgjime të paligjshme, rivuri dhe njëherë në skenë raportin e pushteteve në Shqipëri. Si e gjykoni?
Unë e gjykoj që është përgjuar, në Shqipëri gjithnjë është përgjuar. Është përgjuar nga politika dhe jo për të përgjuar kundërshtarët si të thuash politik, është përgjuar shpesh herë për njëri tjetrin atë të një fronti. Ky është kurioziteti permanent gati sit a them e kanë të brendshme, gjenetike të gjithë politikanet e Shqipërisë duan të dinë se ç’thonë te tavolina tjetër. Këtu është përgjuar dhe s’po them që është fenomeni i vetëm i këtyre por është përgjuar në mënyrë historike. Është gabim i madh. Sepse ne duhet të përgjojmë kriminelët, drogën, duhet të përgjojmë terrorizmin dhe ën fakt nga këto nuk para ka shumë përgjime. Përgjimi më i madh është se ç’po thotë X person tek tavolina tjetër dhe ky është një kuriozitet pervers i politikës.
Prokuroria do e zbardhë këtë si çështje?
Nuk besoj sepse edhe prokuroritë e tjera si kanë zgjatur këto çështje. Ama një këshillë do i jepja Z. Rama në këtë lloj situate. Kur ke marrë përsipër të qeverisësh dhe jo vetëm qeverinë Socialiste duhet të qeverisësh gjithë shqiptarët. Duhet të gjesh disa rrugë kompromisi. Nëse ky thotë që nuk është përgjuar dhe këtë e dinë të gjithë që është përgjuar dhe janë të gjithë të bindur. Nuk mund t’i bëhet kjo sfidë opinionit publik. E zëmë se ke të drejtë. E drejta publike me të drejtën private janë dy gjëra të ndryshme. Ky është skandal. Mirë apo keq ne na duket se nuk na sqaruat siç e mendojmë ne. për të qetësuar vend dhe për të krijuar bindjen duhet bërë. Prokuroria operon me prova me çështje penale dhe të fut në burg. Opinioni publik operon me opinionin publik. Nga politika largohesh kur bëhet zhurmë përveç teje. Kështu që më duket se nuk po operon si burrë shteti në këtë çështje. Nuk e di unë kush është përgjues, kur ka hyrë makina dhe si bëhen këto letra. Dikush duhet të ikë prej këtu. Po të kisha qene unë në vend të atij sigurisht që do kisha ikur. Nuk do rrimë të presim hetimet si u bë kjo punë dhe si do bëhet ajo tjetra. Ne nuk e dinim deri dje që paska hyrë përgjimi.
A mendoni se pas zhvillimeve të fundit që kane ndodhur në BE, me largimin e Britanisë së Madhe me fobinë që ka për zgjerimin për BE në Bruksel a mendoni se presioni i Brukselit është i pamjaftueshëm, është zbehur roli i Brukselit për të bërë presion për politikën Shqiptare?
Kjo ka ndodhur edhe në opinion. Që Europa s’është më e fortë, po ç’bëhet. Deri kur të hymë ne në Europë ajo s’do të jetë më. D.m.th presione Europiane sigurisht në mendjen e disave që ka edhe politikanë shejtanë edhe pervers. Por, unë them që Europa për ne është e domosdoshme dhe ne duhet ta ndjejmë presionin e saj. Europa si të thuash është vëllai i madh dhe kushëriri i vjetër që të merr përdore dhe të tregon rrugët se si bëhet shtet sepse ndryshe ne me veten tonë mund të mbetemi peng i disa mafieve jo thjesht droge por edhe mafie politike. Kështu që ne jemi identitete të vogla politike në Ballkan nuk e them vetëm për Shqipërinë por edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja të cilët nuk mund të jetojnë nëse nuk rindërtojnë një treg të përbashkët të cilët ne nuk mund ta rindërtojmë më njëri tjetrin për hir të 1000 komplekseve. Ndërsa duke qenë në Bruksel të gjithë bashkë jam i sigurt që do bëhemi fqinj më të mirë. Europën do e doja jo vetëm se do na ndihmojë me para por do na ndihmojë për tu bërë shtet. A e ka të njëjtën frymë dhe të njëjtin presion? Siç e kishte me gjithë Britaninë, sot për sot jo. Nëse nuk do hymë në Europë ku do hymë. Enver Hoxha p.sh hynte tek Traktati i Varshavës, hynte dhe në kinë Enver hoxha. Ne ku do hymë? Mendoni se jemi autostofiçient ekonomikisht, politikisht për të mbrojtur interesat tona në arenën Ndërkombëtare. Në një botë që po bëhet gjithmonë e me turbulente, jemi në një zonë të presioneve të emigracionit, presioneve të reja të ekstremizmave fetarë d.m.th në një fushë betejë që s’kemi as armët për tu mbrojtur që kështu gjykoj që roli i Europës është i rëndësishëm dhe ne duhet ta konsiderojmë edhe kur Europa është në vështirësi. Europa nuk është thjesht banka që na jep para. Që kështu këtu disa njerëz mendojnë se nuk ka fuqi të madhe që kështu mund t’i bëjmë dhe një shejtanllëk nga pas alla shqiptarçe. Ne harrojmë se gjithmonë në këtë lloj diskursi të voglit dhe të madhit e fiton gjithnjë i madhi që kështu kush e ka menduar këtë lloj budallallëku unë i them që jemi këtu për të siguruar të ardhmen Europiane të fëmijëve tanë. Se dikujt mund t’i ketë mbaruar dëshira europiane por unë them se jemi këtu për të përmbushur detyrën e gjeneratave të tjera që do të vijnë në Shqipëri. Ne duhet të respektojmë rregullat e lojës ndryshe nuk do jemi djali normal që hyn nga dera po jemi ai vend që fut dorën nga dritarja për të kapur ndonjë copë.