Ministria e Brendshme ka publikuar raportin vjetor të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, ku rezulton se në 2015, 42 punonjës policie janë proceduar penalisht si të implikuar në trafikun e drogës.
Në raport saktësohet se tashmë 3 prej efektivëve në fjalë janë arrestuar, 8 janë proceduar penalisht në gjëndje të lirë ndërsa 31 punonjësit e tjerë janë ende në fazën e hetimit.
Raporti thotë se gjatë gjithë viti 2015 janë hetuar në total 243 raste të punonjësve të të gjithë strukturave në varësi të Ministrisë, të cilët janë apo kanë qenë të dyshuar në implikimin në vepra kriminale apo në kushtet e shkeljes e shpërdorimit të detyrës.
Shërbimi i Brendshëm, ka proceduar në 2015, 119 punonjës për veprime korruptive.
Disa nga rastet e arrestimeve nga SHÇBA janë:
– Më 20 shkurt 2015 nga SHÇBA u arrestua efektivi i komisariatit numër 6 në kryeqytet, Hamëz Demushi, 32 vjeç, pasi në banesën e tij ku rrinte me qira në zonën e “Unazës së Re”, iu zbulua një laborator droge.
– Më 9 nëntor 2015 në fshatin Lapardha në pranga përfundoi shtetasi Ilir Jaho, 34 vjeç, punonjës policie, me detyrë trupë shërbimi pranë Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Berat pasi në bashkëpunim me 2 të tjerë ka kultivuar 11.193 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Në raport bëhen publike edhe të dhënat e policëve të ndaluar për korrupsion si edhe të hetuar për vepra të tjera penale.