Ambasada Amerikane ka uruar Shqipërinë e cila nis sot zyrtarisht mandatin për dy vite si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB. Duke e cilësuar këtë ditë si historike dhe arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Ambasada e SHBA-së shpreh bindjen se së bashku do të trajtojnë sfidat me të cilat përballet sot bota.
“Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, shkruan Ambasada Amerikane në facebook.
Duke filluar nga dita e sotme, Shqipëria do të ulet si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mandati i vendit tonë do të jetë dy-vjeçar.
Më herët, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka është shprehur në një videomesazh se anëtarësimi në këtë këshill, ka ardhur si rezultat i një lobimi të gjatë të diplomacisë shqiptare ndër vite.
g.kosovari











