SHBA aktualisht po trajnon ushtarët ukrainas në Gjermani dhe vende të tjera për përdorimin e pajisjeve ushtarake. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Trajnimi mbulon sisteme armatimesh që Kievi po merr nga aleatët perëndimorë për ta mbështetur atë në luftën kundër Rusisë.
”Ushtria ukrainase po trajnohet në disa lokacione jashtë Ukrainës, përfshirë Gjermaninë”, tha Kirby, duke vënë në dukje se Uashingtoni ishte në kontakt me qeverinë në Berlin për programin.
Të trajnuarit do të mësojnë gjithashtu se si të përdorin sistemet e radarit dhe mjetet e blinduara. Në misionin për të ndihmuar trupat ushtarake ukrainase është angazhuar një njësi e Gardës Kombëtare të Floridës.
Pak para nisjes së luftës trupat ushtarake amerikane u larguan për shkaqe sigurie por tashmë ata do të vijojnë sërish të këshillojnë trupat ushtarake ukrainase. Rusia ka paralajmëruar vendet perëndimore që të mos armatosin forcat ukrainase.
Moska sulmoi më parë një qendër trajnimi të NATO-s pranë kufirit polak në muajin Mars, duke i dërguar në këtë mënyrë një mesazh të qartë Perëndimit.
/a.r











