Nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë pasur idenë për ta blerë Groenlandën. Kjo kishte ndodhur tashmë në vitin 1867, kur sekretari i Shtetit i republikës së re, William Seward, përfundoi blerjen e Alaskës nga Rusia cariste për 7,2 milionë dollarë në atë kohë. Groenlanda ishte territori i radhës në listën e blerjeve të Uashingtonit. Por reagimi në Amerikë ishte aq negativ, saqë ministri Andrew Johnson e braktisi idenë. Edhe sepse po atë vit, Britania e Madhe i kishte dhënë autonomi Kanadasë, e cila kishte qenë objektivi i vërtetë i Shteteve të Bashkuara që nga koha e Revolucionit Amerikan. Dhe ishte në mes argumenti se amerikanët donin ta çlironin vendin fqinj nga zgjedha britanike nuk ishte më e qëndrueshme.
Operacioni në Alaskë përfshihej në një traditë tipikisht amerikane: zgjerimin përmes blerjes, më shumë sesa përmes pushtimit. Edhe pse kërcënimi me armë nuk ka qenë kurrë vërtet larg tryezës së negociatave, është fakt se më shumë se 40% e territorit amerikan është tashmë e SHBA-ve përmes pagesës me para, edhe kur kjo ka qenë e paraprirë nga një luftë. Në shekullin XIX, taktika e blerjes, edhe nën presion, u ofronte Shteteve të Bashkuara, ende jo një fuqi botërore, por disa përparësi: shmangien e konflikteve me fuqitë evropiane, legjitimimin e aneksimit dhe forcimin e perceptimit të “eksepsionalizmit” amerikan, të dashur për opinionin publik, i bindur se kolonizimi ishte punë evropiane, ndërsa amerikanët ishin ose çlirimtarë, ose civilizues.
I bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin një komb fermerësh të pavarur, presidenti Thomas Jefferson, i zgjedhur në vitin 1801, donte më shumë toka për t’i sistemuar të gjithë. Ky ishte motivi kryesor i famshëm i asaj që u quajt Louisiana Purchase, blerja nga Franca napoleone e 828 mijë miljeve katrorë në perëndim të lumit Misisipi për 15 milionë dollarë, para që perandori francez i kishte urgjentisht të nevojshme për të financuar luftërat e tij. Marrëveshja dyfishoi menjëherë sipërfaqen e SHBA-ve, duke u siguruar atyre, ndër të tjera, kontrollin e portit strategjik të New Orleans-it. “Louisiana Purchase” do të çonte në ‘lindjen’ e plot 15 shteteve amerikane.
Florida 1819
E kontrolluar që1565 nga Spanja, e kaluar te britanikët në 1763 dhe e rikthyer nën kurorën spanjolle vetëm njëzet vjet më vonë, Florida pas Revolucionit Amerikan ishte shndërruar në një territor pa ligj, strehë për keqbërës, kriminelë dhe skllevër të arratisur. «Asnjë fuqi koloniale nuk ishte më në gjendje të zbatonte ligjin», shpjegon historiani H.W. Brands, profesor në Universitetin e Austin-it në Teksas. Për më tepër, Florida ishte burim i vazhdueshëm mosmarrëveshjesh territoriale mes Uashingtonit dhe Madridit. Kështu, pas vitesh negociatash, sekretari i Shtetit John Quincy Adams realizoi goditjen e jetës së tij, duke nënshkruar Florida Purchase Treaty, sipas të cilit Spanja ia dorëzonte Floridën SHBA-së falas, përveç rimbursimit prej rreth 5 milionë dollarësh për dëmet e pretenduara nga qytetarë amerikanë ndaj Spanjës. Pushtimi formal ndodhi në vitin 1821 dhe pranimi zyrtar si shtet i SHBA-ve, në vitin 1845.
Oregon, Teksas, Meksiko (pjesërisht) 1845–48
Pasi fitoi papritur kandidaturën demokrate në vitin 1844, James Polk, portreti i të cilit varet sot në Zyrën Ovale me dëshirën e Donald Trump, u zgjodh mbi bazën e një fushate elektorale të përqendruar te një program zgjerimi agresiv. Në kufirin verior ai adoptoi një qëndrim brutal, që i ngjan shumë atij të Trump-it për Groenlandën, nën sloganin «54°40’ ose Luftë», në atë rast kundër Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar për SHBA-në gjithë territorin deri në kufirin me Alaskën, atëherë ruse. Por në vitin 1846, ai u kënaq me një kompromis në paralelin e 49-të, që i lejoi të aneksonte Oregonin.
Në jugperëndim, Polk aneksoi Teksasin, i cili ishte i pavarur, dhe shkoi në luftë me Meksikën, që nuk e pranonte aneksimin. Konflikti përfundoi me fitoren e amerikanëve, të cilët pushtuan edhe Meksikon, me një negociatë shumë të ngjashme me atë që Trump dëshiron t’u imponojë ukrainasve, dhe me dorëzimin e mbi 500 mijë miljeve katrore territor, përfshirë të gjithë Kaliforninë me San Diegon, Arizonën, Nju Meksikon, Nevadën, Utah-un, pjesë të Kolorados. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara morën përsipër borxhin meksikan dhe paguan 15 milionë dollarë. Ajo që realizoi Polk ishte zgjerimi territorial më i madh i Shteteve të Bashkuara dhe «një nga grabitjet më të mëdha të tokës në histori», sipas historianit Hampton Sides, autor i një libri mbi pushtimin e Perëndimit.
Alaska 1867
Siç e pamë, Alaska u shit nga Rusia te Shtetet e Bashkuara për 7,2 milionë dollarë, rreth 120 milionë me vlerën e sotme, për një sipërfaqe prej mbi 1 milion e 518 mijë kilometrash katrorë. Vendimi u mor nga cari Aleksandri II, i mbingarkuar nga borxhet pas humbjes në Luftën e Krimesë. “Alaska Purchase” u prit keq nga të dyja palët: «shitje e popullit rus» ose «humbje», për inteligjencën e Moskës; «marrëzia e Seward-it», për amerikanët. Por nëse edhe sot nacionalistët rusë vazhdojnë të ankohen për marrëveshjen e keqe, blerësit u bindën shumë shpejt për të kundërtën, falë etheve të arit që nisën në vitin 1897 dhe që në pak dekada do t’u sillnin Shteteve të Bashkuara një fitim njëqind herë më të madh se investimi.
Filipinet 1898
Miti i Amerikës së imunizuar ndaj virusit të kolonializmit u shemb në vitin 1898 me Luftën Hispano-Amerikane, kur trupat amerikane pushtuan Porto Rikon, Kubën, Guamin dhe sidomos Filipinet, të cilat Madridi ia dorëzoi Uashingtonit për 20 milionë dollarë. Në arkipelag, SHBA-të vendosën një administratë të tipit kolonial, kundër së cilës popullsitë vendase u ngritën disa herë në armë, për t’u shtypur më vonë me gjak. Të shkatërruar nga kjo përvojë e kushtueshme dhe e dhimbshme, Kongresi amerikan, duke filluar nga viti 1934, përgatiti terrenin për pavarësinë e vendit aziatik, duke i dhënë fillimisht autonomi dhe më pas pavarësi, por vetëm në vitin 1946, në fund të Luftës së Dytë Botërore, pas një periudhe pushtimi japonez.











