Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm presionin mbi Ukrainën për të pranuar një marrëveshje kornizë paqeje me Rusinë, duke paralajmëruar se nëse Kievi nuk bën progres deri të enjten e ardhshme, mund të përballet me ndërprerje të ndihmës ushtarake dhe të shkëmbimit të inteligjencës.
Lajmi u raportua nga Reuters, duke cituar dy burime të njohura me situatën, të cilat folën në kushte anonimiteti.
Sipas burimeve, presioni aktual nga Washington-i është më i forti që nga fillimi i luftës dhe tejkalon çdo diskutim të mëparshëm për paqen.
SHBA i ka paraqitur Ukrainës një plan prej 28 pikash, i cili, sipas Reuters, përfshin lëshimeve të rëndësishme ndaj kërkesave ruse, mes tyre dorëzimin e më shumë territori, kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase dhe pamundësinë për t’u anëtarësuar në NATO në të ardhmen.
Një prej burimeve të cituara nga Reuters tha se SHBA po kërkon që lufta të përfundojë dhe se çmimi i kësaj marrëveshjeje po i kërkohet Ukrainës.
Delegacioni amerikan i përbërë nga zyrtarë të lartë ushtarakë dhe diplomatë udhëtoi të enjten drejt Kievit, ku u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky për të diskutuar rrugën përpara.
Ambasadorja amerikane në Ukrainë dhe drejtues të delegacionit e përshkruan takimin si produktiv, duke konfirmuar se Washington-i po kërkon një afat të shpejtë për përfundimin e marrëveshjes mes Ukrainës dhe SHBA-ve.











