Një rrugë e qytetit të Bronx-it në New York, e mbushur më fëmijë që kishin dalë për të festuar Halloween është kthyer në një skenë të vërtetë horror, kur një makinë “kaloi” mbi një grup fëmijësh të moshave të ndryshme.
Media raportojnë se të vdekur janë tre persona, duke përfshirë edhe një djalë shqiptar 24-vjeçar, Kristian Leka, i riu i cili humbi jetën për të shpëtuar nga makina motrën e tij të vogël 10 vjeçare, Fiona.
Viktimat u tërhoqën zvarrë nga automjeti ‘Dodge Charger’ që drejtohej nga 52-vjecari Howard Unger. Makina doli nga rruga dhe hipi mbi trotuar duke marrë përpara turmën me njerëz që festonin Halloweenin.
Viktimat ishin, Kristian Leka 24 vjec, Louis Perez, 65 vjeç dhe një vogëlushe e quajtur Nyanna Aquil. Të tre u deklaruan të vdekur në spital. Incidenti me pasoja tragjike, sipas policisë, ndodhi pasi një automjet – doli nga rruga në një trotuar në Morris Park, dhe goditi një grup fëmijësh me prindërit e tyre, të cilët kishin dalë në shëtitjet tradicionale, me kova në formë kungulli të verdhe, rreth orës 04:50 pasdite. Të vegjlit po këndonin “trick-or-treaters”.
Autori, Unger me makinën e tij u përplas fillimisht me një makinë të parkuar “Toyota” ngjyrë e zezë dhe më pas doli nga rruga në trotuar derisa u ndal në një gardh. Policia tha se po heton rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Nuk dihet nëse autori ka pësuar ndonjë problem në zemër në momentin e drejtimit të automjetit apo ka pasur probleme mendore.












