Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë është deklaruar në lidhje me votimin në UNESCO ku Kosova nuk mori votat e mjaftueshme për t’u pranuar në këtë organ. Përmes një deklarate për media, SHBA-të thonë se përkrahin fuqishëm Kosovën si një shtet multietnik, demokratik, të pavarur dhe sovran.
“Ndonëse rezultati i votimit të djeshëm që ia mohon Kosovës anëtarësinë në UNESCO ishte zhgënjyes, kjo nuk është një deklarim lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe as reflektim i pozitës së saj në botë. Në të vërtetë, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë është e inkurajuar nga 92 votat të cilat vërtetojnë rëndësinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, – thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, raporton Koha.net.