SHBA ka njoftuar planet për të dërguar forca në Arabinë Saudite pas sulmeve në rafinerinë e naftës në vend.
Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper tha për gazetarët se dërgimi i trupave ka qëllim mbrojtje. Numri i përgjithshëm i trupave që do dërgohen në Arabinë Saudite nuk është përcaktuar ende.
Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet kundër dy rafinerive të naftës javën e kaluar.
Presidenti Trump njoftoi sanksione të nivelit të lartë kundër Iranit ndërsa sinjalizoi se dëshironte të shmangte konfliktin ushtarak.
Sanksionet do të përqendrohen në bankën qendrore të Iranit dhe fondin e tij të pasurisë, tha Trump.
Ndërkohë një zyrtar i lartë i Arabisë Saudite njoftoi se Riadi do të marrë hapat e duhur për t’iu përgjigjur sulmit në objektet e tij të naftës nëse hetimi në vazhdim do të konfirmojë përfundimisht se Irani është përgjegjës për sulmin e 14 shtatorit. Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme Adel al-Jubeir shprehu bindjen se hetimi do të vërtetojë se sulmi erdhi nga veriu dhe se Irani ishte përgjegjës për këtë. Por Teherani e mohon këtë akuzë.
Sipas autoriteteve në Riad deri më tani hetimi tregon se gjatë sulmit janë përdorur armë iraniane dhe se sulmi erdhi nga veriu.
Arabia Saudite po këshillohet me aleatët e saj për “të marrë hapat e nevojshëm”, tha zoti Al Jubeir në një konferencë për shtyp. Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të mbajë një qëndrim lidhur me këtë çështje.
Irani ka ana tjetër bëri të ditur të shtunën se do t’i vihet pas çdo agresori, madje edhe nëse kryen një sulm të kufizuar në përpjekje për ta shkatërruar atë. Deklarata u bë nga kreu i Gardës Revolucionare pasi autoritetet saudite dhe zyrtarët amerikanë fajësuan Teheranin lidhur me sulmin.
g.kosovari











