Sarah Sewall, Nën Sekretare e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe te Drejtat e Njeriut në një intervistë për Top-Channel flet për rëndësinë që merr kundërvënia me cdo mënyrë ndaj ekstrezimit. Gjithashtu ajo jep këndëvështrimin e Shteve të Bashkuara për rreziqet e mundëshme që vinë nga ata të cilët i janë bashkur IS-is, kur kthehen në vëndet e origjinës.
Zonja Sewall i jep përgjigje pyetjeve që lidhen me antikorrupsion duke u ndalur edhe në zgjedhjet e 21 Qershorit në mënyrë të vecantë për kandidatët me probleme.
Nga Muhamed Veliu
Top Channel: Jeni në Shqipëri duke marrë pjesë në samitin për Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm. Si po e ndihmon qeveria e SHBA Shqipërinë në këtë fushë?
Jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë, e cila po luan një rol udhëheqës duke organizuar këtë samit rajonal. Samite ndjek atë të Shtëpisë së Bardhë mbi ekstremizmin e dhunshëm, i cili u mbajt në shkurt, ndërsa Shqipëria po organizon të parin e samiteve rajonale që pasojnë samitin e Shtëpisë së Bardhë. Pra, jemi shumë të kënaqur me nismën që ka marrë Shqipëria dhe udhëheqësinë e saj në këtë diskutim shumë të rëndësishëm mbi mënyrën se si të trajtohen shkaqet në rrënjë, faktorët nxitës të ekstremizmit të dhunshëm dhe se si mund të bëhemi bashkë në nivel rajonal si dhe global për ta trajtuar bashkarisht këtë kërcënim.
Top Channel: Me sa kuptojmë, 70 shqiptarë janë bashkuar me ISIS. Çfarë rreziku paraqesin ata kur kthehen dhe si mund t’i trajtojë qeveria shqiptare ose qeveritë e rajonit këta persona kur kthehen në vendin e origjinës?
Çështja e luftëtarëve të huaj që udhëtojnë jashtë dhe potencialisht kthehen është një çështje që shqetëson shumë vende. Folëm në samitin rajonal me organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë rëndësi kritike për kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm, dhe që kanë kryer punë kërkimore mbi arsyet se pse njerëzit mund të duan të bëhen ekstremistë të dhunshëm. Një nga pikat që u theksua në samitin rajonal ishte se ka një numër arsyesh që njerëzit zgjedhin. Pra, lloji i përgjigjes që një qveri mund të ketë për një luftëtar që kthehet mund të variojë thellësisht në varësi të motiveve të atij luftëtari që në fillim. Dhe kjo është një çështje me të cilën po ballafaqohen shumë vende dhe një prej temave të nxehta të këtyre samiteve rajonale dhe samitit të Shtëpisë së Bardhë. Pra, këto janë fusha në të cilat të gjitha vendet po zhvillojnë përqasje të ndryshme dhe përpiqen të mësojnë nga njëri-tjetri se cila është përqasja më e efektshme, duke pasur parasysh llojet e çështjeve me të cilat përballen me luftëtarë të huaj të caktuar që mund të kthehen në vendet e tyre.
Top Channel: A mendoni se paraqesin ndonjë rrezik kur kthehen në vendet e tyre?
Edhe një herë, varet shumë nga motivimet për largimin dhe motivimet për kthimin. Është e qartë që ka dallime nëse dikush largohet sepse është joshur nga premtimet për kompensim ekonomik dhe nëse është larguar sepse është joshur nga ideologjia dhe besimi fanatik. Pastaj, sigurisht, përvoja e këtyre luftëtarëve kur shkojnë jashtë shpesh është zhgënjimi sepse realiteti nuk është siç është portretizuar në gënjeshtrat gjatë rekrutimit. Pra, varet nga rasti dhe kjo është një prej arsyeve pse është një çështje sfiduese për të gjitha vendet.
Top Channel: Kalojmë në një temë tjetër. Qeveria shqiptare e ka përparësi luftën kundër kokrrupsionit. Është një prej pesë prioriteteve që Komisioni Europian i ka vënë Shqipërisë. Cili është pozicioni i SHBA për këtë çështje? Çfarë duhet të bëjë më mirë Shqipëria për ta fituar këtë luftë kundër korrupsionit?
Pyetje shumë me vend. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht në krah të Bashkimit Europian në këtë pikë. Është një pikëpamje konsensuale se nxitja e sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë sfida kritike për Shqipërinë siç janë për shumë vende të tjera. Por sidomos për Shqipërinë . Kryeministri pikërisht sot në mëngjes po fliste në konferencën për Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm lidhur me rëndësinë që ka forcimi i sundimit të ligjit në Shqipëri dhe nuk mund të ishim më dakord me të. Një prej temave që kam dëgjuar nga shumë shqiptarë me të cilët kam folur gjatë kohës sime këtu është se ka një konsensus për nevojën për reformën gjyqësore. Është një fushë ku mendoj se cilido ndjen se qeveria thjesht duhet të merret me të me qëllim që të bëjë përparim lidhur me çështjen më të gjerë të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Po nxisim qeverinë dhe të gjithë anëtarët e qeverisjes që të miratojnë legjislacion, dhe legjislacioni i fortë reformues është vërtet një parakusht në këtë luftë shumë të rëndësishme. Ka edhe shumë fusha të tjera që kërkojnë reformë dhe vëmendje, që nga personat që nxirren si kandidatë në zgjedhjet vendore tek mënyra se si trajtohet korrupsioni në nivele të larta dhe nivele të ulëta. Kjo do të jetë një betejë afatgjatë, por ne e shohim këtë si hap të parë kritik dhe kemi shumë shpresë që qeveria shqiptare do të ballafaqohen me të këtë vit.
Top Channel: Jemi 31 ditë larg zgjedhjeve vendore dhe ka shumë zhurmë që tani. Si i shohin SHBA zgjedhjet vendore në Shqipëri?
Është e qartë që janë shumë të rëndësishme për një numër arsyesh, por e para dhe më e rëndësishmja është që të ndërtojnë mbi suksesin e zgjedhjeve të kaluara. Siç e thashë, një prej gjërave më të rëndësishme që ne në Shtetet e Bashkuara kërkojmë ndërkohë që partitë shqiptare nxjerrin kandidatët në zgjedhje është që të trajtojnë çështjet e korrupsionit ose të aktiviteteve të jashtëligjshme pikërisht te kandidatët që kandidojnë. Është një sinjal shumë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë që të dinë që partitë kërkojnë që përfaqësuesit e tyre në gara zgjedhore të mos kenë të shkuar kriminale dhe të mos jenë të dyshuar për korrupsion dhe ky është një hap i parë shumë i rëndësishëm që ne shpresojmë se mund të hidhen në të ardhmen e afërt.