Nga Jakin Marena
Sali Berisha ditë pas dite lëshon kërcënime të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme me akuzën se s’po bën detyrën për të hetuar korrupsionin, se është e kapur nga qeveria e Ramës. Megjithëse deri më tani ky institucion hetimi ‘ditët e punës’ me burgosjen e qeveritarëve të majtë i ka marrë.
Ish kryeministri demokrat nuk përmend emra prokurorësh, thjeshtë sulmon institucionin e ri të hetimit. Herë herë përmend dhe kreun e SPAK, Altin Dumani, për të cilin ka dyshime se mund t’i sjellë ndonjë problem djalit të tij meqë ka qënë në grupin e hetimit të shpërthimit të Gërdecit.
Dhe duke qënë se i ka dhënë në të gjitha herët rezultat presioni ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, fakt është se me gjithë ato akuza që ka në kurriz ende nuk ka shkuar në bankën e të akuzuarve, Berisha është i bindur se Dumani dhe prokurorët e tjerë të SPAK duhen mbajtur nën presion, që të tremben sa herë që të ‘ngatërrohet’ nëpër duar ndonjë dosje në ngarkim të tij dhe të familjes.
Nuk i ka dalë keq Berishës deri më tani, asnjëherë s’ka qënë në SPAK qoftë dhe për të dëshmuar si për Rrugën e Kombit ku humbën 230 milionë euro dhe hetimi është thuajse i kryer, Basha shpëtoi thjeshtë për procedurë, përmes lejeve për të shkuar në Holandë e raporteve mjekësore jo se nuk kishte prova dhe fakte, ashtu dhe për shpërthimin tragjik të Gërdecit ku humbën jetën 26 të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, në biznesin e të birit Shkelzen Berisha.
Nuk është thirrur për të dëshmuar as për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani’, ku sipas akuzës dhëndëri i tij që kishte në pronësi disa metra katrorë përfitoi pronë në mes të Tiranës, duke ndërtuar pallate që arrijnë në vlerën e afër 20 milionë eurove. Paçka se njëherë këta ish pronarë ishin kompensuar që në kohën e Italisë, kur i mori këto prona për qëllimet e saj, në kohën e pushtimit fashist. E thotë dhe babai i dhëndërit, Luan Malltezi këtë, shkresërisht.
Berisha nuk ka shkuar në SPAK as për vrasjen shtetërore të 21 janarit 2011, kur Garda e Republikës sipas zinxhirit të komandimit mori urdhërin për të qëlluar mbi protestuesit, me fishekë të vërtetë duke vrarë katër demonstrues të opozitës, të cilët ishin në shpërndarje e sipër të protestës për të ikur në shtëpi. Asnjëherë Berisha nuk u thirr, pavarësisht provave dhe fakteve që dalin me zë dhe figurë ditë pas dite, duke zbuluar urdhëruesit e vërtetë kësaj masakre.
Berisha nuk ka shkuar në SPAK as për të dëshmuar për aferën e CEZ-DIA përmes të cilës iu zhduken arkës së shtetit afër 500 milionë euro. Ka pasur dhe një komsion parlamentar hetimi, konkluzionet e të cilit janë dërguar në SPAK. Ka dhe dokumente për këtë aferë, nga më të rëndat në vend dhe më të madhën në 30 vite.
Mbi të gjitha SPAK shkoi deri në sfidë ndaj “krijuesit” të këtij institucioni, mbështetësit më të madh financiar dhe me ekspertizë, SHBA-së, por dhe BE, duke mos e thirrur asnjëherë Berishën për të dëshmuar në lidhje me shpalljen ‘non grata’ nga ana e DASH por dhe nga ana e Britanisë më pas, për korrupsion madhor, minim të demokracisë , shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me elementët kriminalë. Akuzë e Britanisë kjo e fundit.
Pra Berishës nuk i ka dalë keq me presionin e përditshëm ndaj institucionit të SPAK, pasi deri më tani asnjë dosje e rëndë në ngarkim të tij nuk është marrë seriozisht nga ana e prokurorëve të Posaçëm për t’u hetuar me themel, ndonëse provat dhe faktet janë thuajse hapur. I janë larguar si ‘djallit’ duke mos guxuar t’i përmendin madje as emrin Berishës, jo më ta thërrasin për ta pyetur.
Për më tepër që, ‘vende vende’ ka prokurorë të SPAK që po luftojnë me ‘mish e shpirt’ kundër Gjykatës së Posaçme për të mbrojtur Berishën nga hetimi i pasurisë. Pasi s’pajtohen me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që urdhëron SPAK që të hetojë pasurinë e Sali Berishës, nëse është deklaruar sipas ligjit e nëse ka apo jo lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit gjatë trazirave të vitit 1997 dhe në fund të vitit 1999 në Krrabë.
Ndodh edhe kjo, që prokurori i SPAK të arrijë deri atje sa të ‘vetësakrifikohet’ për të mbrojtur “nderin dhe lavdinë” e liderit historik të PD, dhe të mos hyjë tek hetimi i pasurisë përrallore të tij dhe të familjes biologjike, që kanë bërë miliona pa u thënë askush ‘puna e mbarë’ në jetën e tyre. Por vetëm kanë shijuar turizmin e Karaibeve, San Tropesë, Palma de Majorkës e të gjithë ishujve të paqësorit e më gjërë, deri në ditën kur SHBA i shpalli ‘non grata’. Tani u ka mbetur vetëm Austria dhe disa vende të tjera për të “fushuar” 2/3 e vitit. ‘Leku letër’ me një fjalë. Pra deri këtu ka arritur puna e prokurorëve të SPAK.
Dhe kur Berisha teksa bën presion ndaj SPAK, i ndryshon dhe emrin duke e quajtur “SKAP”, me argumentin se nuk po godet korrupsionin qeveritar, për hir të së vërtetës s’ka lënë kusur ky institucion ndaj të majtëve në pushtet me dy ish ministra në burg, një ish deputet në arrest dhe të tjerë që kërcënohen çdo ditë, pa përjashtuar të famshmen ‘arkë të peshkut’ ku u godit fort ish zv.ministrja e Brendshme, ka dhe një fije të vërtetë në këto emërtesa.
Pasi në raport me bëmat që ka bërë Berisha me familjarët e bashkëpunëtorët e tij, me 4 çështje nën hetim e të tjera të gatshme, e meriton pikërisht për këtë arsye emërtesën “SKAP”. Nëse duhet të quhet i tillë, duhet të etiketohet vetëm për shkak se nuk guxon të afrohet tek dosjet e rënda të Berishës. Madje nuk i përmend as emrin ish kryeministrit demokrat, siç e theksuam.
Jo se nuk ka bërë punë të mira SPAK me hetimin e korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Ka ecur para, por ka mbetur i ‘përthyer’ vetëm majtas e mund të sjellë ndonjë ‘kalcifikim’ me rrezik, për të mbetur ashtu, i ‘përthyer’ dhe gati vetëm për të goditur me ‘sallake’. Nuk ka bërë keq që ka goditur të akuzuarit për korrupsion në krahun e majtë, por ta përdorë një çikë dhe ‘këmbën’ e djathtë apo ballore në të ashtuquajturën ‘qendër e politikës’, sepse dhe drejtësia do të ngrihej e shëndetshme, pa dizproporcione.
Institucioni i SPAK, për hir të angazhimit të fortë amerikan dhe të BE, ‘kuotohet’ si më i mbështeturi në radhët e institucioneve të reja të drejtësisë shqiptare. Janë shpenzuar miliona nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe qeveria e majtë shqiptare. Kanë paga të shumë të mira, nuk krahasohen me asnjë institucion tjetër, kanë trajtim të mirë për vete dhe familjarët, lehtësira nga të gjitha anët dhe mbi të gjitha mbështetje për të bërë thjeshtë punën. Kanë dhe mbrojtje, që të mos ‘hanë’ presionin apo shantazhin, kanë dhe mbështetjen ligjore, pasi nuk kufizohet nga asgjë. Vetëm ligji dhe Kushtetuta i detyron që të jenë të drejtë, të ndershëm dhe me guxim.
Pak problem janë prokurorët e Posaçëm, të cilët deri më tani nuk kanë çuar deri nën fund asnjë punë, nuk kanë kopsitur asnjë dosje të rëndë për të dërguar para drejtësisë ata që quhen “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Presioni i ‘dinozaurëve’të politikës deri më tani ka qënë ‘efikas’ ndaj këtyre prokurorëve, duke bërë që shqiptarët e lëkundur të mendojnë se plotësimi i këtyre institucioneve të reja të drejtësisë me njerëz ka qënë një ‘investim i humbur’.
Shqipëria dhe shqiptarët, tashmë që po diskutohen dhe kapituj të tërë në bisedimet me BE për anëtarësimin në Unionin Europian, nuk mund të presim pafund që të ‘marrin zemër’ prokurorët e SPAK që të hetojnë dhe ish kryeministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pa dallim krahësh politikë. Jo se janë të paduruar shqiptarët, por po shkon shumë gjatë pa një produkt të qenësishëm me të cilin dhe të mburren ose sëpaku të mbahen me ‘gajret’ se ia dolën të besojnë tamam te drejtësia.
Për këtë arsye qëndroj në mendimin se për një periudhë të përkohëshme kohore është emergjencë kombëtare, që partnerët tanë dhe shteti shqiptar në vend që të investojnë te prokurorë e gjyqtarë shqiptarë që tremben, hanë presionin, shantazhin, ‘qokën’, miqësinë, të shpenzojnë për prokurorë dhe gjyqtarë të huaj. Të paktën të sjellin një trupë të vogël, që kur të hapin dosjen për ta hetuar apo gjykuar, të mos kenë në mendje Berishën apo sivëllezërit e tij të korruptuar.
Nuk besojmë se e pengon ligji dhe Kushtetuta, por dhe nëse duhet ndonjë klauzolë ligjore apo kushtetuese për këtë rast, si dispozitë kalimtare, le ta miratojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Ne kemi ndërhyrë në Kushtetutë dhe për gjëra më ordinere, jo më për të shërbyer më mirë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e cënimit të sigurisë kombëtare. Që janë dhe prioritete dhe në aleatit tonë të madh, SHBA-së. Por dhe si kusht për ne për integrimin dhe anëtarësimin në BE. Le të hapet rruga.
Fundja, të gjitha palët në Shqipëri deklarohen se kanë besim te gjykatat amerikane e evropiane. Madje janë më të gatshëm të pranojnë një vendim, qoftë dhe penalizues nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj se sa nga ata shqiptarë. Fundja të hetohen e gjykohen nga këta ekspertë të huaj drejtësie, pasi dhe pafajsia që mund marrin nga ata ka më shumë vlerë, dhe nuk vihet në dyshim nga kundërshtarët respektivë politikë dhe qytetarët shqiptarë, të mësuar me maskaradën e drejtësisë shqiptare ndër vite.
Ndryshe Shqipëria do vazhdojë të qëndrojë gjatë në këtë vorbull ku është e ku askush nuk guxon të ngrejë ‘stekën’ në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Duke lënë në këtë mënyrë fushë të lirë veprimi dhe për këta të korruptuar, dhunues të demokracisë e shantazhues funksionalë të drejtësisë, që të dalin dhe të na bëjnë moral për ndershmëri, liri dhe demokraci. Madje dhe duke kërkuar votën për riciklimin e tyre politik, ndërkohë që janë në fundin e ciklit të tyre biologjik. Vonë është por më mirë vonë se kurrë. Shqiptarët presin, por jo pafundësisht.
Sa të jetë zonja Juri Kim, USA ambasadore, Sali Berisha, ka imunitet të pakufishëm dhe nuk ka SPAK, nuk ka ZOT, nuk ka KRISHT dhe nuk ka MUHAMET që të çojë para drejtësisë Sali Berishën.
Flisni e lodheni kot o Jakin Marena, por rroftë Juri Kim për Sali Berishën me gjithë familie.
Prandaj thotë Saliu, SPAK – ASPAK.