Sfida e qeverisë përballë rrethit vicioz ku ka hyrë ekonomia. Rritja e të ardhurave përballë problematikave të biznesit

Ekonomia

Bizneset vendase po përballen me zgjedhje të vështira. Nga njëra anë, kostot e aktivitetit janë rritur ndjeshëm, si rrjedhojë e shtrenjtimit të lëndëve të para, karburanteve dhe liberalizimit të tregut të energjisë, që i detyron ata ta blejnë me çmim tregu.

Në anën tjetër, me plakjen e popullsisë, rigjallërimin e ciklit të emigracionit dhe sidomos ikjen e të rinjve në shtete që ofrojnë paga më të larta, gjetja e fuqisë punëtore, sa vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë problem.

Bizneset në vend janë, në pjesën dërrmuese, të vogla e të mesme dhe si rrjedhojë, nuk e kanë ekonominë e shkallës për të amortizuar shtrenjtimin e lëndëve të para, përmes mirëmenaxhimit të shpenzimeve. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të intervistuara nga “Monitor” thanë se po i transferojnë kostot në rritjen e çmimeve te konsumatorët. Shumë pak deklaruan se po i absorbojnë vetë, duke ulur fitimet.

Por, shtrenjtimi i çmimeve, në kahun tjetër, do të sjellë rënie të konsumit, sidomos për produktet jo të domosdoshme, apo rendje drejt produkteve më të lira, që mund të jenë ato të importit, për shkak të avantazhit që po sjell rënia e euros. E kundërta po ndodh me eksportuesit, që po goditen fort nga zhvlerësimi i monedhës së përbashkët, duke humbur atë pak avantazh konkurrues që kanë.

Rënia e konsumit, rritja e detyruar e pagave për të ruajtur fuqinë punëtore, por që nuk vjen apo nuk shoqërohet nga përmirësimi i produktivitetit, pritet të ulë fitimet në afatin e mesëm, të frenojë investimet dhe adaptimin e teknologjisë, duke e futur ekonominë në një rreth vicioz dhe duke nxjerrë më të dobëtit shpejt nga tregu.

Ndërsa janë faktorët e jashtëm që ndikuan në rritjen e kostove, duke u bërë shkaktarë për fillimin e krizës, ato në fakt vetëm sa përshpejtuan atë që pritej të ndodhte herët apo vonë: krisjen finale të modelit të paqëndrueshëm të ekonomisë vendase.

Një ekonomi jo konkurruese, me bujqësi të copëzuar, me produktivitet të ulët, që nuk arrin të tërheqë investime me vlerë të shtuar të lartë dhe vijon ende të ketë si avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore, model ky që të rinjtë tashmë po e “refuzojnë” masivisht.

Përballë kësaj situate qëndron indiferenca me dashje apo pa dashje e qeverisë. Qeveria është e kënaqur me rendimentin e mirë të të ardhurave buxhetore, të ndihmuar nga çmimet e larta, rritjen relativisht të lartë ekonomike (paçka se gjysma e saj vjen nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme).

Qeveria, deri tani, ka shfaqur shenja të qarta, se nuk i kalon nëpër mend që një pjesë të shtesës së të ardhurave buxhetore ta kanalizojë në shtresat në nevojë, të cilat janë goditur më fort nga rritja e çmimeve.

Përkundrazi po ofrohen paketa fiskale shtrënguese, në kohë tërësisht të papërshtatshme, që ulin më tej konsumin (drafti i fundit për tatimin mbi të ardhurat që rrit taksat për një pjesë të biznesit të vogël).

Qeveria është treguar tërësisht indiferente ndaj rekomandimeve e kërkesave të biznesit apo institucioneve ndërkombëtare.

Rasti më i fundit është ai i amnistisë fiskale, që po kundërshtohet nga gjithë grupet e interesit, nga FMN, nga Bashkimi Europian, por sërish qeveria, prej më shumë se një viti, nuk heq dorë, përkundrazi kryeministri sulmon hapur Dhomat dhe institucionet ndërkombëtare që e kundërshtojnë, duke detyruar ambasadorët të largohen në mënyrë flagrante nga takimi!.

Në fund të fundit, për çfarë do t’i duhen ekonomisë gjithë këto flukse parash, kur pa një strategji të qartë të zhvillimit të vendit, sërish do të shkojë në sektorë joproduktivë, siç është ndërtimi!

Bizneset, të zhgënjyera, i thanë “Monitor” që kur dialogojnë me qeverinë për politika zhvillimore, kjo e fundit është tërësisht indiferente. Të tjerë kërkojnë subvencione për të kaluar këtë situatë të vështirë, përndryshe paralajmërojnë se do të ketë shumë falimente.

E gjithë bota po kalon një ngërç ekonomik, fillimisht për shkak të Covid-19 dhe më pas, për shkak të pasojave në furnizimet globale që solli sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Por, pjesa më e madhe e qeverive kudo në botë, dhe ato në shtete të zhvilluara, janë të shqetësuara për qytetarët dhe bizneset e tyre (kujtojmë që kriza në qeverinë italiane lindi për shkak të debatit të masës së mbështetjes për familjet që përballen me rritje të kostove të ushqimit dhe energjisë).

Vetëm qeveria shqiptare po zgjedh e vetëkënaqur “të mbyllë sytë” dhe të mos shohë rrethin vicioz ku ka hyrë ekonomia e vendit, por përkundrazi propozon më tepër taksa “për t’i ndihmuar” bizneset e vogla të dalin nga kriza! (Monitor)

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com