Nga Përparim Kalo ( Anëtar i Gjykatës Kushtetuese)
Posaçërisht për Javanews
Prag i Krishtlindjes në atmosferë pandemie. 24 dhjetor 2020. Ndanё “Bulevardit Dёshmorёt e Kombit”, në godinën ku në vitin 1991 u vendos fillimisht Ministria e Drejtësisë, e rikthyer si institucion i munguar për çerek shekulli falë zhvillimeve të vrullshme demokratike tё atyre viteve, ndodhet Gjykata Kushtetuese prej disa vitesh. Në ato zyra filloi jeta ime si jurist 30 vjet më parë e sot kthehem këtu përsëri, por tashmё si anëtar i Gjykatës Kushtetuese! Nё muret anёsore tё katit tё dytё qёndrojnё fotografitё e dhjetra gjyqtarёve kushtetues. Këtu u morën vendime tё vёshtira e të rёndёsishme pёr jetёn e vendit, të individëve e të subjekteve, gjatë tërë rrjedhёs së demokracisё sonё të re. Disa prej gjyqtarëve i njoha po aty, por si kolegё nё Ministrinё e Drejtёsisё, tё tjerё gjatë veprimtarisë private si avokat, që e ushtrova prej vitit 1994 deri sot, që erdha pёr tё hedhur mbi shpatulla mantelin e rёndё të gjyqtarit kushtetues, peshёn e tё cilit fillova ta ndjej që tani. Ajo peshё me siguri do të mё mbajë zgjuar duke mё kujtuar se jam betuar tё jap drejtësi vetёm sipas bindjen time, dhe Kushtetutёs!
Drejtësia si mision i lartё
Eshtё mёse normale qё gjithsecili tё ketё ëndërra e pasione të caktuara e ti ndjekё ato pёr ti realizuar. Sipas njё zakoni tё vjetёr, foshnjave u vёnё pёrpara sende qё simbolizojnё profesione tё ndryshme pёr tё parё cilin do prekin tё parёn, duke pёrcaktuar kёshtu se ç’do bëjnё kur të dalin në jetë. Nuk dihet se çfarё do kem zgjedhur unё, por nga sa më është thenë, nuk ka qenë peshorja, simboli i drejtësisë. Ka shumë mundësi të kem zgjedhur sende që ndofta nxitën tek unë nё rininё time tё hershme dashurinë për sportet, letёrsinë, artet figurative. Megjithatë duhet tё kem qenё rast pёrjashtimor, pasi jeta më vuri përpara një alternative krejt tjetër – artit ushtarak. Eshtё e vёrtetё qё vitet nё shkollat ushtarake ku mora dhe dhashё mёsim formuan tek unё aftёsi nё komunikim, organizim e disiplinё, tё cilat nuk kanё ngjyrё kaki por shёrbejnё nё çdo drejtim pёr të arritur objektivat e dëshiruar. Koha mё vuri pёrpara njё alternativё tё re, një disiplinë tjetër, atë të ligjit, drejtёsisё me tё cilёn lidhja ishte e pashmangshme dhe afatgjatё. Mё tёrhoqi qё nё fillim polivalenca e saj si shkencё, profesion, mision dhe art i interpretimit tё neneve tё ligjeve, kodeve dhe e kushtetutёs, tё cilat qendrojnë mbi letёr si notat muzikore mbi pentagrame. Duhet ta njihja sё brendshmi për tja kuptuar vlerat, që shpesh krahasohen me cilёsitё e gurëtve tё çmuar. Fatmirësisht ajo ekziston si privilegj vetëm për ne, qeniet njerёzore. Gjallesat e tjera nuk e njohin drejtёsinё. Në marrёdhёniet mes tyre mbizotёron forca e dhuna, dhe tё egrit e tё fortёt i nёnshtrojnё pёrherё mё tё dobёtit. Kёtё dallim e ka shprehur bukur Wendell Berry[1] kur shkruan se “Minjtë dhe buburrecёt jetojnë bazuar në konkurrencën që rrjedh nga ligjësia kërkesë – ofertë; qeniet njerëzore kanë privilegjin të jetojnë në bazë të ligjeve të drejtësisë dhe mëshirës”
Drejtёsia ёshtё padyshim themeli ku mbështeten marrёveshjet qё rregullojnë dhe disiplinojnë sjelljet dhe marrёdhёniet mes individёve dhe ato mes tyre dhe shtetit. Falё evolucionit mendor, kulturor, moral tё tyre, shoqёritё mё tё pёrparuara i kanё fiksuar dhe shndёrruar kёto marrёdhёnie nё ligje, kode e dokumente kushtetues, qё interpretohen dhe vlerёsohen nga gjykata tё paanshme, që barazinë e të gjithëve para ligjit duhet ta respektojnë si parim të shenjtë, duke u dhënë ose kthyer njerёzve atё qё ata ja kёrkojnë zakonisht Zotit, pёrmes lutjes – tё drejtën e tyre të munguar ose tё rrёmbyer.
Drejtësia bashkëkohore
Edhe drejtësia, si çdo shkencë, lëviz e zhvillohet me shpejtësi. Ajo vendos rregulla me anë të ligjeve dhe interpretimeve që u bën atyre, të cilave u nënshtrohet edhe vetë, përfshirë ndryshimet reformuese që dikton koha. Tek ne reformimi i sistemit tё drejtёsisë u vu nё rendin e ditёs qё në vitin 1990, fill pas hapjes politike dhe ekonomike të vendit. Për të flitej në çdo raport që prodhonin diskutimet e tryezave të pёrfaqёsuesve tё politikёs e tё ekspertёve tё institucioneve, të huaj e vendas, të mbajtura brenda e jashtë Shqipërisë. Ajo pikёnisje e atëhershme në procesin e ndёrtimit tё njё shteti me standarde demokratike është rikthyer sot si temë, nga një pikënisje e re, në formën e një detyrimi, kushti paraprak të vendosur e tё kёrkuar me ngulm nga partnerët ndërkombëtarë në kuadrin e procesit të integrimit Evropian.
Në vitet e para të proceseve demokratike u vu re gatishmëri e pashoqe e shumё shteteve pёr të na asistuar në pёrgatitjen dhe realizimin e reformave shumëplanëshe. Nga ana tjetёr, nga pёrvoja e tyre, ato e dinin mirё se reformat e mëdha, përvec ndihmës së pakursyer të agjencive dhe organizatave ndërkombëtare kanë gjithmonë nevojë për frymën, përfshirjen e sinqertë e serioze të pales përfituese. Dhe kёshtu u veprua. Asistenca e kualifikuar me ekspertizё ndёrkombёtare ndihmoi nё hartimin e legjislacionit emergjent, dhe nё vitet nё vijim vazhdoi me hartimin e legjislacionit tё nevojshёm sipas modeleve mё tё mira. Ky proces reformash ligjore e institucionale eci me ritmet qё diktojnё transformimet e mёdha si dhe tranzicionet qё zakonisht i shoqёrojnё ato, madje u shtri edhe nё fushat mё tё sofistikuara tё sё drejtёs, për të cilin Shqipëria ka marrë nota të larta vlerësimi krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.
Siç dihet, në vitin 1991 u hartuan dispozitat kryesore kushtetuese, e një vit pas miratimit të tyre u krijua Gjykata Kushtetuese. Dispozitat kryesore kushtetuese luajtën në fakt rolin e një kushtetute derisa në vitin 1998, pёrmes njё procesi konsultimi të gjerё të ekspertёve tanё mё tё mirё me Komisionin e Venecias, u miratua Kushtetuta e vërtetë e mё pas njё sёrё kodesh.
Asistenca e ofruar sipas konceptit “top down”, do tё kishte nevojё tё kombinohej me konceptin tjetёr “bottom up”, gjё qё kёrkonte pёrgatitjen e kushteve pёr edukimin e brezit tё ekspertёve vendas pёr ti vazhduar reformat. Si rrjedhojё e kёsaj nevoje, vërshuan me bursa studimi e kurse kualifikimi dhjetra e qindra të rinj, tё cilët u diplomuan e doktoruan nё universitete tё njohura tё botёs, përfshirë ato tё vendeve mё tё zhvilluara.
Sot ai proces reformues vazhdon pandërprerje, dhe në zbatim të detyrimeve që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadrin e Marrёveshjes sё Stabilizim Asociimit, krahas përafrimit të legjislacionit tonё me atё tё BE, tё njohur si Acqui, vazhdon reforma institucionale, ku vend qendror ka zënë krijimi i strukturave të reja të vlerësimit të organeve të drejtësisë dhe forcimi I atyre ekzistuese.
Drejtësia pёrballё padrejtësisё
Viktor Hygoi, nё librin e tij Viti 93, shkruan se “Gjykatësi ёshtё mё shumё se njeri dhe mё pak se njeri”, kjo sepse ai ka nё dorё fatin e tjetrit, vendos që dikujt ti merret jeta, ndёrkohё qё ky ёshtё privilegj i Zotit. Ai ёshtё mё pak se njeri, pasi ёshtё pa zemёr. Por sa e lehtё ёshtё tё jesh gjyqtar e tё shndёrrohesh nё qenie tё tillё hibride, pra mё shumë dhe mё pak se njeri?
Në sajë të marrёveshjes civile paraprake mes pales qeverisëse dhe asaj të të qeverisurve, e njohur si kontrata sociale, janë pёrkufizuar qartazi tё drejtat e e detyrimet e të dyja palëve si dhe kufijtё e mёnyrat e vlerёsimit tё tyre, por ato nuk janё gjithmonё tё dukshme, nuk lёshojnë dritё, e as kёlthasin. Madje shpesh janë të heshtura. E drejta – që është edhe e vërteta e vetme që drejtësia kërkon dhe jep – është shpesh e maskuar, e mbuluar apo e kamufluar, dhe e mpleksur me interesa, vese e paragjykime njerёzore. Eshtё detyrё, madje sfidё, e drejtësisë, e juristёve të cilët e popullojnë atë, qё ta kёrkojnё e ta zbulojnё, në thellёsitё ku ndodhet, me anё tё analizës së fakteve, provave dhe interpretimit të tyre, arsyetimit, analogjisë, bazuar sa në dijet, aq edhe në intuitën e tyre, gjithmonë me durim, qetësi e paanësi. Siç bëjnë edhe eksploratorët, kur kërkojnë perlat që fshihen brenda guackave, në thellësi të deteve dhe oqeaneve, mbuluar nga rёra, guriçka ose myshqet, por jo harresa.
SIç u përmend më sipër ligjet, kodet, si dhe kushtetuta me nenet e tyre ngjajnë me notat muzikore nё pentagrame. Melodia e shkruar mbi to nuk tingёllon njёlloj kur intepretohet nga artistё apo instrumentistё me talent të ndryshёm. Dihet që për të qenë tё sukseshёm nё dhёnien e drejtёsisё, juristёve nuk u mjafton zotёrimi i dijeve. Tek ta nevojitet talent, si ai që shfaqet nё fushën e artit, por mbi të gjitha ndershmëri ndaj vetes e ndaj të tjerëve dhe guxim për të qenë i lirë. Liria në gjykim e vendimmarrje është kocka e drejtësisë. Vetёm kur realisht garantohet liria, vetvetiu ushqehet pavarësia dhe drejtësia bëhet pushtet i vërtetë, në dobi të shoqërisë. Liria e pavarësia janë si oksigjen pa të cilat ajo asfiksohet, atrofizohet dhe shndrrohet në të kundërtin e saj – në padrejtësi. Për fat të keq, drejtësia jonë në kursin e një shekulli ka vuajtur jo rrallë nga asfiksia. Në epoka të ndryshme ajo ka marrë forma të ndryshme, herë si drejtësi empirike, fisnore, kanunore, fetare, ideologjike (komuniste, fashiste), ushtarake, herë si drejtësi klasore, partiake, etj. Herë me kode zakonore e here me ligje e kode të shkruara, por shpesh të deformuara, keqpërdorura a të keqintepretuara nën trysni, ose të ndikuara nga dukuritë e mitëmarrjes, rrushfetit e korrupsionit. Ishte mungesa e lirisё dhe pavarësisё që solli humbjen e drejtpeshimit të së drejtës dhe shkaktoi dhimbje si dhe dëme të pallogaritshme materiale e morale në kohë të ndryshme. Shumë prej tyre të pandreqshme. Por më në fund koha vuri në rend të ditës luftën pa kompromis kundër atyre dukurive dhe nevojën për shndërrimin e drejtësisë në drejtësi të modeluar sipas standardeve Euro Atlantike.
Në hapat e para të procesit reformues, pikërisht në vitin 1991, pata fatin të përfshihesha edhe unë si profesionist i ri, në armatën e nderuar të juristëve që vunё njohuritë dhe energjitë e tyre në interes tё ndryshimeve ligjore e institucionale që sot mund të vlerësohen nga një këndvështrim historik. Asokohe një ndër arritjet e drejtësisë së re që po rikonfigurohej ishte heqja e privilegjit “hyjnor”, që përmendte Hygoi, pra të së drejtës për ti marrë jetën njeriut. Në këtë kontekst më kujtohet një episod nga takimi i ambasadorit të Britanisë së Madhe që mbulonte Shqipërinë nga Roma, me ministrin tonë të drejtësisë të radhës, ku pata rastin të isha i pranishëm. Ambasadori shprehu shqetësimin e qeverisë Britanike për dënimin me vdekje që zbatohej asokohe në Shqipëri, madje edhe në formën mizore të varjes në litar. Jemi kureshtarë të dimë ku i gjeni ekspertët për thurjen e lakut, se tek ne, që e kemi shpikur atë, këta ekspertë janë zhdukur – tha ai me shpoti. Dhe falë këmbënguljes së organizave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dënimi me vdekje u shfuqizua nga Kodi Penal, duke shënuar kështu një hap të madh drejt humanizimit të drejtësisë sonë.
Rindërtimi i sistemit – proces i panderprerë
Në vitin 1968 në Shqipëri ndodhi diçka e padëgjuar, ose nëse ka ndodhur gjetkë duhet të ketë qenë krejt e rrallë. Një masë ektreme mbi drejtësisë sonë, që në fakt do të rëndonte mbi kurrizin e shtetasve, solli “prangosjen” e dy institucioneve të rëndësishme: Ministrisë së Drejtësisë, si institucion “i tepërt”, dhe shërbimit të avokatisë, si i panevojshëm. Kjo masë nuk erdhi si rrufe në qiell të kaltër, por ishte hap i pritshëm po të kihet parasysh ndërhyrja sistematike graduale e partisë-shtet në sistemin e drejtësisë, duke zbehur rolin e peshën e saj. Me ndalimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë, mbetën kështu pa mbrojtje të kualifikuar të akuzuarit në procesin penal dhe palët private në atë civil. Ligjin e përvetësoi tërësisht partia shtet dhe dy instrumentet që kërkojnë dhe shpallin fajësinë, përkatësisht prokuroria dhe gjykata, u kthyen në megafonë të qeverisë. Fatmirësisht, me rënien e Murit të Berlinit, që u pasua nga rënia e regjimeve komuniste, përfshirë tonin, u hodhën hapat e para drejt demokratizimit të vendit. Në këto rrethana të reja u krijua edhe klima e përshtatshme për fillimin e procesit të rindërtimit të drejtësisë, tashmë mbi shina të reja. Ministria e Drejtësisë u bë protagonistja kryesore në drejtimin e këtij procesi.
Ministri i parё drejtёsisё sё sapo miratuar, Enver Halili, kujtohet me respekt për çeljen e siparit në drejtimin e institucionit e munguar relativisht gjatë. Elegant në sjellje e komunikim, por edhe i gatshëm për të marrë përsipër detyrat e vështira që shoqërojnë procese me përmasa të panjohura, siç janë transformimet e sistemeve, ai arriti të ndërtojë, harmonizojё e konsolidojë një ekip serioz, nga prurje e me dije e shprehi praktike të ndryshme, që do të përballonte me sukses sfidat e atij fillimi shpresёdhёnёs. Në kuadrin e 2 vjetëve aty pata rastin tё njoh e tё punoj me 5 ministra, të cilët qendronin përkohësisht në zyrën përkatëse jo pёr faj tё tyre, por për shkak të dinamikës së ndryshimeve të shpeshta, të papritura politike tё atyre viteve. Ndërkohë në harkun kohor të 30 viteve (1990-2021) ministria provoi 24 stile tё ndryshme drejtimi nga ministra me mandate të shkurtër nga 1-2 vjet, në ndonjë rast edhe 3 javë!
Si pjesë e atij ekipi të vogël, por mjaft tërheqës, angazhimi im si inspektor pёr zyrat e regjistrimit tё pasurive të paluajtshme (asokohe të njohura thjesht si zyrat e hipotekës) si dhe pёr shёrbimin e noterisё nё mbarё vendin ishte sfidё. Sё pari, se vija nga jashtё sistemit dhe, sё dyti, se zyrat e hipotekёs ishin pothuajse “shpartalluar” ndër vite. Ato nuk funksiononin e sapo filloi tё ngjizej reforma për njohjen e kthimin e pronave, paralelisht me të duheshin ringritur zyrat e shërbimeve përkatëse. Nё disa qytete regjistrat ishin djegur krejt ose asgjёsuar tёrёsisht prej dritshkurtёsisё së drejtuesve nё konceptimin denigrues të pronёs private. Ndërsa shërbimi tjetër, ai i noterisё, po aq jetёsor, ishte tejet i kufizuar. Tё gjithё duhet ta kujtojnё faktin se Tirana qё po rritej demografikisht me shpejtësi marramendëse shërbehej vetёm nga njё notere, Shpresa Kurti. Ndёrkohё u hodhën hapat e para drejt demonopolizimit e mё pas, liberalizimit tё atij shёrbimi, me dhёnien e dy licencave të para[2] e mё pas dhjetra tё tjerave, duke mundësuar kёshtu gradualisht ofrimin e njё shёrbimi kaq tё nevojshёm, për plotësimin e kёrkesave në rritje pёr hartimin dhe legalizimin e dokumenteve tё pronёsisё, si dhe tё dokumenteve tё tjera tё nevojshme pёr proceset gjyqёsore e administrative, si brenda edhe jashtë vendit, por edhe ato të lëvizjes emigratore, trajtimesh shëndetësore ose për qëllim studimesh.
Ishin vite sfidash pёr tё gjithё, vite që shërbyen si gurë kilometrikë, dhe krijuan shtratin e nevojshëm për vazhdimin normal të reformave. Në atë rrugëtim disi të shkurtër, por mjaft intensiv, para rastin të njihesha madje edhe të krijoja marrëdhënie afatgjatë me disa kolegё qё, duhet thenëe, patёn njё karrierё tё shkёlqyer nё vitet nё vijim, duke u ngjitur në funksione të larta nё organet mё tё rёndёsishme tё drejtёsisё[3]. Ata qё përvecse shёrbyen pёr vite me radhё nё poste të ndryshme brenda sistemit të drejtësisë, duke kontribuar në hartimin e ligjeve dhe shkruajtur libra e artikuj, dhёnё kёshilla, etj., u emëruan në Gjykatёn Kushtetuese kanё marrё vendime pёr qindra çёshtje tё rёndёsishme pёr jetёn e vendit, të institucioneve e të personave, duke pasuruar në mënyrë të vazhdueshme trashёgiminё tonё tё sё drejtёs, pёrfshirё asaj kushtetuese.
Ndёr vite falё vendimeve qё morёn ata u pasurua tipologjia e çёshtjeve kushtetuese, duke pёrfshirё pёrveç tё drejtave tё individit, edhe ato me natyrё konfliktesh institutucionale, çёshtje tё sё drejtёs tregtare nё fusha tё tilla si pronёsia, pronёsia intelektuale, tё dhёnat personale, e shumё tё tjera. Por mendoj se pёr kёtё temё duhet tё shkruhet më gjerësisht e posaçёrisht nё tё ardhmen.
Binomi drejtësi-pastërti
Drejtësia nga vetë natyra nuk duhet të pranojë që të cenohet, të bëhet pis, sadopak as nga brenda, po as nga jashtë. Gjatë historisë mbi 100 vjeçare drejtësia Shqiptare ka njohur ulje e ngritje. Ajo është qortuar ose lavdëruar në kohë e rrethana të caktuara. Por periudha 1990-2020 do të mbahet mend si një kohë e errët që shënon nënshtrimin e gjunjëzimin gradual të disa përfaqësuesve të saj ndaj veprimtarisë korruptive e kriminale, duke krijuar shtrat të ngrohtë për forcimin e pozitave të personave e grupeve që ushtrojnë këto veprimtari. Ndërkohë që shpresohej se organet gjyqësore që nisën të ristrukturoheshin e të modernizoheshin, jo vetëm nëpërmjet përmirësimit të kushteve materiale, por edhe nga brendia, burimet njerëzore, duke ndjekur përvojën e vendeve që u shkëputën nga trashëgimia famëkeqe e sistemit të drejtësisë monopartiak, pra do të bëheshin barrierë ndaj dukurive të tilla, ajo shpresë u kthye në zhgënjim, pasi gjyqtarë e prokurorë të caktuar, në të gjitha nivelet, ranë pre e tyre, madje u kthyen në bamirës të tyre, e deri në ortakë me ta. Rastet e bujshme të lirimit të të dënuarve, apo faktet e pasurimit të pajustifikuar nga disa gjyqtarë e njollosën tërë sistemin, duke bërë që besimi i popullit tek peshorja të binte në mënyrë drastike. Fatmirësisht, proceset integruese drejt Bashkimit Evropian shtruan si nevojë imperative pastrimin e sistemit drejtësisë, fillimisht gjykatave e prokurisë, prej atyre që filtri do ti nxirrte jashtë, si të papërshtatshëm. Operacioni i vetting-ut, do të dëshmonte se ishte vërtet e domosdoshme që “pacienti” të ekzaminohej jo vetëm për sëmundjet e lëkurës, që diktohen lehtë duke qenë në sipërfaqe, por të depërtohej më thellë, në organet e brendshme, për të ndërhyrë kirurgjikisht, duke hequr pjesën tumorale për të ruajtur kështu pjesën e shëndetshme të trupit. Operacioni i vetting-ut, ndonëse është komentuar për ndonjë të metë, ka arritur të japë frytet e veta, pastruar e larguar masat tumorale, dhe ngjallur shpresën se publikut do ti kthehet shpejt besimi tek drejtësia.
Tempulli i drejtësisë
Tash rastësia apo destini, ose të dyja bashkë, mё rikthyen në të njëjtat zyra, përsëri për tu bërë pjesë e një ekipi tё vogёl, sa të larmishëm aq edhe kompakt, një bërthame qё ka marrë përsipër një barrë të rёndё, sigurisht tё njё natyre tjetёr e nё kontekst tё ndryshёm historik. Erdha këtu për tju bashkuar Gjykatës Kushtetuese e cila për tre vjet radhazi u vu nё qendёr tё vёmendjes sё interesit publik e tё organizatave ndёrkombёtare, për shkak të humbjes së funksionimit të saj si organi vendimor i cili mund të konsiderohet si Tempulli i Drejtësisë. Mosfunksionimi për një kohë të gjatë i saj e bashkë me të edhe i Gjykatës së Lartë, sollën si pasojë mbetjen pezull të një numri të madh cështjesh, duke e bërë sistemin e drejtësisë të veprojë në rrethana të panjohura e terren të pashkelur më parë. Pёrfshirja ime si gjyqtar nё këto kushte të rijetësimit të Gjykatës Kushtetuese, mё bёn tё ndihem jo vetёm i nderuar, por edhe mё i pёrgjegjshёm pёr tё realizuar pritmёritё e mёdha qё ka pёr tё nё drejtim tё mbrojtjes sё Kushtetutёs, tё të drejtave e lirive themelore tё individit.
Kushtetutat e Shqipërisë kanë shënjuar secila gjurmët e veta në historinë tonë shtetformuese.
Statuti i Shqipërisë ose Statuti Organik i Shqipërisë (1914) njihet si kushtetuta e parë e shtetit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë. Ky akt u hartua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe parashikonte formën e qeverisjes, pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, territorin e saj, pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, popullsinë, të drejtat dhe detyrat e saj, administratën lokale, forcat e armatosura, organet e drejtësisë. Shqipëria u shpall “principatë sovrane e trashëgueshme” me në krye princin gjerman Wilhelm Wied. Statuti i Lushnjës ose ndryshe Bazat Kanunore të Këshillit të Lartë (1920) ishte akti i dytë me natyrë kushtetuese dhe përmbante 6 pika që përbënin parimet kryesore kushtetuese të shtetit shqiptar, përfshirë njohjen e monarkisë. Statuti i Zgjeruar i Lushnjës (1922) është akt më i plotë kushtetues. Ai u njoh edhe si Statuti i Shtetit Shqiptar dhe konfirmoi monarkinë në mënyrë të shprehur. Statuti Themeltar i Republikës Shqiptare (1925) përcaktoi se Kryetar i Republikës mund të caktohej çdo shtetas shqiptar, që gëzonte të gjitha të drejtat dhe liritë politike si dhe cilësitë që kërkoheshin nga ligji për deputetët. Ai parashikonte më qartë edhe ndarjen e pushteteve. Statuti i Mbretnis Shqiptare (1928) e shpalli Shqipërinë Mbretëri Parlamentare dhe solli ndryshime në strukturën e pushtetit legjislativ që ushtrohej bashkërisht nga mbreti dhe Parlamenti. Ky i fundit u bë me një dhomë dhe e fuqizoi më tepër Mbretin. Statuti Themeltar i Mbretnisë së Shqipnisë (1939) si akt kushtetues përcaktoi shprehimisht se Froni i takonte Viktor Emanuelit III dhe trashëgimtarëve të tij. Statut përcaktoi simbolet e Shqipërisë dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Aty u caktuan edhe të drejtat e mbretit, mënyra e zgjedhjes dhe ndërveprimi me institucionet e tjera, kompetencat e gjyqësorit si të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Statuti Republikës Popullore të Shqipërisë (1946) u miratua nga Asambleja Kushtetuese e zgjedhur në vitin 1945, e cila u quajt Kuvendi Popullor. Statuti shpalli si emërtim zyrtar Republika Popullore e Shqipërisë i cili u ruajt deri në 1976. Statuti ndryshoi edhe formën e qeverisjes, duke i dhënë fund monarkisë. Ai sanksionoi parimet e organizimit politik, shoqëror dhe ekonomik të Republikës Popullore të Shqipërisë, duke i dhënë shtetit të drejtën e kontrollit mbi iniciativën private, dhe të shpronësimit të pronës private për interes publik. Gjithashtu, statuti përcaktonte disa të drejta sociale për individin, por nga ana tjetër vendoste detyrimin e individit për punë. Statuti ndryshoi emrin në vitin 1950 në Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë. Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (1976) që ndryshoi emrin e mëparshëm Republika Popullore e Shqipërisë, i cili u ruajt deri në vitin 1991. Që në preambulën e saj, Kushtetuta deklaronte se vendin e pronës private dhe të ekonomisë së lirë e kishte zënë prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit si sistemi i vetëm i ekonomisë socialiste në qytet dhe në fshat. Ligji Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (1991) u miratua nga Kuvendi i poarë pluralistr dhe shërbeu si kushtetutë deri në vitin 1998. Ky ligj shërbeu edhe si bazë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 1992. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (1998) u miratua me referendum popullor. Ajo e shpall Shqipërinë si republikë parlamentare, shtet unitar e të pandashëm, si dhe me qeverisje të bazuar “në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Kjo kushtetutë ka pësuar ndryshime në vitin 2008 dhe vitin 2016, dhe këro të fundit njohen si pjesë e reformës në drejtësi.
Rijetësimi i Gjykatës Kushtetuese
Ligji nr. 7491 dt.29.4.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese, që shërbeu më së miri për 7 vjet si Minikushtetutë sanksionoi parimet themelore që udhëhoqën ndryshimet demokratike Më pas ligji nr.7561 dt.29.4.1992 solli disa ndryshime të dispozitave kryesore kushtetuese, ndër të cilat edhe ato për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti më i lartë, që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.
Që nga krijimi i saj Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të natyrave të ndryshme në lidhje me kushtetutshmërinë e normave ligjore apo akteve normative të institucioneve qendrore dhe vendore. Përmes vendimeve të tjera të saj është interpretuar Kushtetuta, dispozita të saj në lidhje me parimet themelore, madje në disa raste është bërë shfuqizimi i tyre, si dhe janë shfuqizuar vendime të gjykatave të juridiskionit të zakonshëm në kuadrin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor, të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumente të tjerë të njohura e të detyrueshme për zbatim nga Republika e Shqipërisë.
Siç u përmend më sipër, procesi i integrimit Evropian diktoi nevojën e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, sidomos në atë gjyqësor, për tu përafruar e përshtatur me atë të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe bërë të mundur kthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Ky besim prej kohësh humbi kryesisht për shkak të fenomenit të korrupsionit. Marrëveshja politike e vitit 2016 prodhoi konsensusin e njohur, i cili i hapi rrugë miratimit të një sërë ndryshimesh kushtetuese, që prekën edhe Gjykatën Kushtetuese, ndër të cilat vlen të përmenden: mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve, shtimi i disa kompetenca dhe rishikimi i disa kompetencave të tjera, zgjerimi i tipologjisë së çështjeve (si njohja e ankimit individual, riçelja e procesit kur merret vendim nga gjykatat ndërkombëtare, shtimi i subjekteve që mund të iniciojnë gjykimin kushtetues, siç janë komisionerët e krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta).
Krahas integritetit moral, paketa e re me ndryshime kushtetuese i jep rëndësi aftësisë profesionale, duke i dhënë peshë përvojës së punës së anëtarëve, kualifikimeve, aftësive organizative, përvojës në mësimdhënie, etj.
Strategjia si instrument i rëndësishëm
Fryma qё udhёheq veprimtarinё e Gjykatёs Kushtetuese nuk mund tё kuptohet duke qenё soditёs nga jashtё. Padyshim, shumёkush, nisur nga perceptimi qё ka veshur sistemin e drejtёsisё mund tё ndikohet lehtё dhe mund tё krijojё paragjykime për gjyqtarёt e rinj (jo aq në moshë) qё shansi (por kryesisht merita) i solli kёtu për të dhënë drejtësi në mbrojtje të Kushtetutёs e duke iu nënshtruar vetëm asaj. Ashtu si bёrthama e vogёl e Ministrisё sё Drejtёsisё 30 vjet më parë, personeli i së cilës ishte kryesisht i ri, punoi fort pёr tё krijuar hedhur bazat e shtetit tё sё drejtёs, duke krijuar institucione tё reja e hartuar ligje e kode, edhe kjo bёrthamё e Gjykatёs Kushtetuese, vazhduese e një trashёgimie të vyer, pёr dёshmon pёrditё qё ёshtё e përkushtuar dhe besoj se serioziteti në përmbushjen e rolit të saj, do ta rendisё tek organet qё ngjallin besim. Por pёr kёtё me siguri do tё shkruhet vite mё pas, duke pёrshkruar konkretisht arritjet e saj, qё do tё kenё gjurmёn e nёnshkrimit tё gjyqtarёve mbi vendimet kolegjiale[4]. Frytet e para të kësaj pune duken tek besimi në rritje qё fitohet dita ditёs në sajë të drejtёsisë kushtetuese të dhënë përmes vendimeve të drejta, për çështje mjaft komplekse. Kjo është edhe sfida kryesore që kërkon frymёzim qytetar dhe qendrim profesional nga gjyqtarëve rishtarë, që kanë emërues të përbashkët pikërisht tiparet që përmendte Francis Bacon[5] në shkrimin e tij ‘Për sistemin gjyqësor’: Lipset qё gjyqtarët të jenё mё tё nxёnё sesa mendjemprehtё, mё tё respektueshёm sesa imponues, mё mendjehapur sesa vetёbesues. Mbi të gjitha, virtyti që duhet ti dallojë ata është integriteti.
Pikërisht për ruajtjen e këtyre tipareve Gjykata Kushtetuese dhe OSBE, me mbështetjen edhe të Fondacionit Konrad Adenauer, hartuan dokumentin e Strategjisë. Ky dokument merr rёndёsi edhe mё tё madhe pёr faktin se hartohet në prag të ngjarjes jubilare të 30 vjetorit tё krijimit tё Gjykatёs Kushtetuese. Ai shpalos sfidat që gjenden përpara nesh si ruajtja e integritetit, ka të bëjë me paanësinë që është baza në vendimmarrjen e drejtë, pa të cilën drejtësia do të humbiste karakteristikёn e saj thelbёsore. Nuk pёrjashtohet qё gjyqtarёt tё kenё mendime tё ndryshme, madje edhe tё kundёrta. Kundёrshtitё njihen kudo madje respektohen si nxitёse tё zhvillimit. Ato krijojnё siguri tek palёt se çёshtja e tyre ёshtё analizuar nё thellёsi e jo thjesht nga ana formalisht. Sё dyti, ato kontribuojnё nё dhёnien e vendimeve bazuar nё arsyetime bindёs e profesionale. Vlera e vendimeve tё pakicave tё jurisprudencёs mbarё botёrore vjen duke u shtuar, dhe shpesh herё, kur janë të mirëarsyetuara e bindëse mund të shёrbejnë si orientim pёr çёshtje tё ardhme, njёlloj si edhe vendimet e shumicave.
Sfidё po aq e rёndёsishme ёshtё edhe ruajtja e pavarësisë së Gjykatës nga ndikimet e jashtme. Ndёrthurja e tij me paanёsinё ёshtё përcaktues në garantimin e të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë. Sipas Gjyqtares së Gjykatës së Lartë të SHBA, Sandra Day O’Connor[6], Hartuesit e Kushtetutës kanë qenë fare të qartë në letrat e federalistit dhe gjetkë për të shprehur idenë se gjyqësori i pavarur ishte vendimtar për suksesin e vendit.
Rol të rёndёsishёm nё kёtё drejtim luan forca bindëse e detyruese e jurispridencës, e cila krijon standard arsyetimi të cilat pak a shumё vendosin nё lloj kornize qё ja ngushton hapёsirёn e lirinё e interpretimit gjyqtarit. Gjithsesi faktori përcaktues për sigurimin e pavarësisë është epërsia që ka bindja së brendshme e gjyqtarit në tërësinë e procesit të vendimmarrjes. Mahatma Gandhi thoshte se Ka një gjykatë më të lartë se gjykatat e drejtësisë dhe kjo është gjykata e ndërgjegjes. Ajo është mbi të gjitha gjykatat e tjera
Gjykatat kanё privilegjin e ndjekjes sё jurisprudencёs sё Gjykatёs Evropiane tё tё Drejtave tё Njeriut si dhe tё gjykatave me pёrvojё tё gjatё e peshë në çёshtjet kushtetuese qё janё nё rendin e ditёs kudo, nё Evropë e mё gjerё. Pёr shembull, pandemia ishte njё ndёr temat qё mund tё konsiderohet edhe si emёrues i pёrbashkёt pёr drejtёsinё kushtetuese. Brenda njё viti njё numёr i madh gjykatash trajtuan problematika tё kufizimit tё tё drejtave kushtetuese siç ishin a mbeten ato tё grumbullimeve, tubimeve, ndjekjes së studimeve, ushtrimit tё fesё, etj. Globalizimi ёshtё dukuri qё ndikon e do tё ndikojё edhe mё tepёr nё unifikimin e qasjeve nё dhёnien e drejtёsisё kushtetuese, dhe kjo shtron nevojёn e studimit tё vazhdueshёm, forcimimin e rolit tё kёshilltarё dhe strukturave kёrkimore si dhe forcimi i bashkёpunimit dhe kёmbimi i pёrvojёs, duke u pёrpjekur qё tё orientohemi drejt praktikave mё tё mira nё zgjidhjen e çёshtjeve nё fjalё e tё tё tjerave qё mund tё sjellё koha.
Dihet qё zhvillimi e konsolidimi i jurisprudencёs sjell edhe doktrinё. Kjo mbetet njё sfidё pёr gjyqtarёt kushtetues, pёr shkak tё natyrёs sё gjykimit kushtetues, sidomos tё atij abstrakt. Doktrina si objektiv afatgjatё vjen natyrshёm nёse jurisprudence krijon shtrat tё shёndetshёm. Kjo sigurisht kёrkon punё tё jashtёzakonshme dhe energji, tё cilat duhet thёnё nuk mungojnё nё gjykatёn tonё. Koha do tё jetё dёshmitare dhe kam bindjen se nuk do tё jetё e largёt dita qё anёtarё tё kёsaj gjykate do ta shohin me interes kёtё çёshtje dhe do tё japing kontribut edhe nё krijimin e tezave doktrinare.
Sa mё sipёr janё nё radhё tё parё sfida pёr autorin e kёtyre radhёve. Ato marrin shkas nga hapi i rёndësishёm qё u hodh me hartimin e strategjisё sё Gjykatёs. Me plotёsimin e vendeve ende vakante tё gjykatёs kontributet do tё shtohen e shpresa e publikut se nё sistemin gjyqёsor në tërësi, e nё Gjykatёn Kushtetuese në vecanti, gjёrat kanё ndyshuar pёr mirё dhe atij do ti kthehet besimi tek to!
Shkrim i gjetur Papi! Urime!
Suksese në kete detyre fisnike dhe uroj qe dhe koleget ti hedhin nje sy materialit. Gjykofshi me pasionin qe ushqejne vlerat e pershkruara!