Servet Pëllumbi ka komentuar mbledhjen e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, duke u shprehur se shumë socialistë sot janë të pakënaqur me PS-në, pasi ndihen të lënë pas dore nga kjo e fundit.
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Pëllumbi thekson se këto pakënaqësi i ka shprehur në Asamblenë e së shtunës.
“Nga kontantet që kam pasur, kamë parë se janë të pakënaqur, të papunë dhe të pavlerësuar. Ka një lloj pakënaqësie të akumuluar brenda Partisë Socialiste ngaqë një pjesë e anëtarësisë së saj mendon se është lënë pas dore nga lidershipi”, tha Pëllumbi.
Më tej ai ndalet edhe tek debati i ngritur nga Blushi, për çështjen e kryetarit.
“Mendoj se debati që po zhvillohej në asamble po zhvendoste prioritetet. Çështjen e mandatit të kryetarit nuk mund ta zgjidhte ajo asamble. Prioritet për ne sot është hapja e fushatës zgjedhore në mënyrë kapilare në të gjithë strukturat e partisë. Kam besimin se kongresi i janarit do të gjejë modalitete për t’i dhënë zgjidhje çështjes së mandatit të kryetarit”. tha ai