Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, ka kërcënuar dje Presidentin e zgjedhur, Ilir Meta, për deklaratat e tij se asnjë socialist nuk është përballur me Sali Berishën, siç e ka bërë Meta.
Ish-kreu i Kuvendit dhe një prej anëtarëve të këshillit të të urtëve në Partinë Socialiste, i ka bërë thirrje Ilir Metës që të mos përsërisë më deklaratat e tij, pasi në të kundërt do të ndeshet me fakte të padëshiruara për të, të cilat i disponon vetëm Servet Pëllumbi.
“Për të mos u ndeshur me fakte ‘të padëshirueshme’, mos e përsëritni më deklaratën që bëtë në mitingun e djeshëm të LSI-së: ‘Asnjë socialist nuk u përball me Sali Berishën si unë Ilir Meta’!”, ka thënë dje profesor Pëllumbi për “Panorama”.
Më herët, në intervistat e tij, Servet Pëllumbi është treguar i ashpër me LSI-në për faktin e zvarritjes së koalicionit me PSnë, duke thënë se Meta po përgatiste tradhtinë e radhës ndaj socialistëve.
Deklarata e Ilir Metes ne tubimin e LSI ne Tirane:
Gjatë tubimit elektoral në Tiranë, Ilir Meta e ka krahasuar Rilindjen si virusi Ebola, që ka shkatërruar Shqipërinë. “Ebola jonë është mashtrimi dhe pabesia më e madhe që ka njohur kjo tokë mijëra e mijëra vjet!
Viktima e parë e kësaj Ebole ka qenë vetë Partia Socialiste, një parti me vlera të shkëlqyera, e cila nuk ekziston më si e tillë, sepse është Partia e Rilindjes, që e ka zëvendë suar atë, për fat të keq.
Dhe këto nuk jua thotë një socialist që është udhëheqësi i Ebolës, i cili erdhi në Shqipëri me lugë në brez për t’u ulur në karrigen e ministrit, këto jua thotë një eurosocialist, një student i dhjetorit, që vajti në Partinë Socialiste ku të gjithë shkonin mbas PD dhe mbas Berishës, kur ishte në ditët e saj më të zeza për të krijuar një alternativë të re si rinia eurosocialiste.
Ne nuk do të merremi me problemet e Partisë Socialiste, por është detyra ime të jem i ndershëm me çdo socialist.
Asnjë udhëheqës i Partisë Socialiste nuk është përplasur dhe nuk është ndeshur më fort se unë me Sali Berishën”, tha dje Meta.