Policia e Krujës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë vijojnë operacionin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve më të fundit nëpër fshatrat e këtij rrethi, janë asgjësuar mbi 6100 rrënjë kanabis të kultivuara në fshatrat Bruz Zallë, Shqezë dhe Brez.
Policia thotë se ka nisur punën për identifikimin dhe vënien përballë përgjegjësisë penale të autorëve të kulivimit të bimëve narkotike, ndërkohë që operacioni do të vazhdojë edhe nëpër zona të tjera.
Një ditë më parë u asgjësuan mbi 10 mijë bimë hashashi në operacionin e koduar “Mafsheq 1”. Bimët narkotike u gjetën të mbjella në 154 parcela të vogla në distanca të vogla nga njëra-tjetra, pranë fshatit Mafsheq.
Policia njoftoi se asgjësoi menjëherë në vend me anë të djegies bimët narkotike.
Ndërkohë, në fshatin Kumbull të Mirditës, policia asgjësoi një parcelë në të cilën ishin kultivuar rreth 50 bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa dhe nisi procedim penal ndaj kryeplakut të fshatit për shpërdorim detyre.
Mësohet se bimët narkotike u zbuluan gjatë kontrollit të policisë në këtë fshat, ndërsa ato arrinin lartësinë 15-65 cm. Policia ka bërë të ditur se për këtë rast ka shoqëruar edhe disa persona të cilët dyshohet të jenë posedues të lëndës narkotike.
Ndërkohë, në Lezhë në fshatin Gjobardhaj, Ungrej, u gjet një parcelë në të cilën ishin kultivuar 56 bimë narkotike të dyshuara Canabis Sattiva, me lartësi 20-30 cm, ku dyshohet se këto bimë ishin të kultivuara nga shtetasi 62-vjeçar, Prend Pica, i prangosur nga uniformat blu.
Gjithashtu gjatë operacionit, po në fshatin Gjobardhaj, Ungrej, Lezhë në zonë pyjore të shpyllëzuar, u gjetën dy parcela të tjera në të cilat ishin kultivuar 400 bimë narkotike të dyshuara Canabis Sattiva