Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi më 23 qershor ndalimin e plotë të eksporteve ushtarake nga vendi.
“Tani nuk eksportojmë asgjë”, u shpreh ai, duke shtuar se për çdo lëvizje të mundshme në të ardhmen do të nevojitet një vendim i posaçëm.
Por ndonëse Vuçiç deklaroi ndërprerjen e dërgesave, vetëm pak orë më pas në aeroportin e Beogradit zbarkoi një avion mallrash Boeing 747 me flamur të Izraelit, i cili të nesërmen u nis për në bazën ajrore të Nevatimit.
Kur u pyet në lidhje me këtë fluturim, Vuçiç reagoi shkurt: “S’ka shans të them çfarë ka zbritur dhe çfarë ka fluturuar”.
Për më tepër, të dhënat tregojnë se vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Serbia ka eksportuar armë dhe municione drejt Izraelit në vlerën e 55.5 milionë eurove, më shumë se gjatë gjithë vitit 2024 (47.9 milionë euro). Këto të dhëna, të publikuara nga një faqe që përmbledh informacionet doganore të kompanive serbe, konfirmohen edhe nga një hetim i përbashkët i BIRN dhe gazetës izraelite Haaretz.

Eksportet përkojnë me 16 fluturime izraelite nga Beogradi drejt Nevatimit në Izrael, të identifikuara përmes burimeve të hapura. Serbia nga ana e saj i mban të fshehura të dhënat zyrtare dhe ka refuzuar disa herë kërkesat për transparencë.
Krahas kompanisë shtetërore Yugoimport SDPR, që përbën pjesën më të madhe të eksporteve, katër kompani të tjera private,përfshirë Romax Trade dhe EDePro, kanë dërguar municione drejt kompanive izraelite të sektorit të sigurisë, të lidhura drejtpërdrejt me ushtrinë izraelite.
Njëra prej tyre është IMI Systems, në pronësi të gjigantit të industrisë ushtarake Elbit Systems, kompani që, sipas një raporti të OKB-së, ka përfituar financiarisht nga operacionet ushtarake izraelite në Gaza, të akuzuara për krime lufte ndaj civilëve palestinezë.
Analistët thonë se lidhjet mes Vuçiçit dhe Netanyahut shkojnë përtej interesave tregtare.
“Janë politikanë të së njëjtës natyrë: autokratë populistë që ndërtojnë pushtetin mbi urrejtjen dhe kontrollin e institucioneve”, tha Mirko Dautovic, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Ëebster në Tashkent.
Në janar, Serbia nënshkroi një marrëveshje 335 milionë dollarëshe për blerjen e sistemeve raketore dhe dronëve izraelitë. Ndërsa një tjetër kompani serbe, Romax Trade, ka eksportuar këtë vit armë jo-vdekjeprurëse për kompaninë izraelite ISPRA, që furnizon policinë dhe burgjet izraelite.

Ndërkohë, një hetim penal në Beograd lidhur me marrëdhëniet e konsulentit izraelit të PR-it, Srulik Einhorn, me qeverinë serbe dhe atë izraelite, është vendosur nën urdhër që asgjë të mos bëhet publike nga prokuroria, për shkak të “interesave të sigurisë kombëtare”.
Einhorn, i cili ka punuar si për Vuçiçin ashtu edhe për Netanyahun, dyshohet se ka ndihmuar në lehtësimin e eksporteve të armëve nga Serbia drejt Izraelit.
Siç raportojnë mediat, zyra e Netanyah-ut i ka kërkuar Einhorn-it që të shfrytëzojë ndikimin e tij me Vuçiçin, por edhe kryeministrin malazez, Milojko Spajiç, për të lehtësuar furnizimin me armë të Izraelit.











