Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të dielën, 5 prill, se gjatë një hetimi mbi kërcënimet ndaj infrastrukturës së gazit në veri të Serbisë, afër kufirit me Hungarinë, është gjetur një lëndë plasëse me fuqi të madhe shkatërruese, përfshirë edhe fitila aktivizimi.
Vuçiç informoi menjëherë për këtë kryeministrin hungarez Viktor Orbán përmes një bisede telefonike. Ai tha se eksplozivi ishte gjetur në dy çanta shpine, disa qindra metra larg tubacionit të gazit Balkan Stream, dhe mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz të Serbisë dhe Hungarisë, si dhe rrezik për jetën e një numri të madh njerëzish.
Kryeministri Orbán konfirmoi më vonë informacionin, duke theksuar se autoritetet serbe kishin gjetur eksplozivë dhe pajisjet e nevojshme për aktivizimin e tyre.
Vuçiç shtoi se hetimi është në vazhdim dhe se agjencitë e inteligjencës së Serbisë po punojnë për të identifikuar grupin përgjegjës, i cili kishte si qëllim të dërgonte një mesazh politik. Ai paralajmëroi se cilido i kapur do të ndëshkohet rëndë.
Autoritetet serbe, përfshirë policinë dhe ushtrinë, po kontrollojnë zonën në komunën e Kanjizhës, rreth 15 kilometra nga kufiri me Hungarinë. Kontrolli kryhet me tokë dhe ajër, duke përdorur helikopterë, dronë, qen nuhatës, pajisje termike dhe ekipe kundërsabotimi. Ky veprim është kryer me miratimin e Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Suboticë.
Që më 19 mars, siguria është rritur edhe në stacionin e kompresorëve në Zhabar, pjesë e tubacionit Balkan Stream, për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme dhe nevojës për ruajtje të gazsjellësit rus që furnizon Hungarinë./Marrë nga REL











