Nga Ben Andoni
Ka një lloj paralelizmi mes dy kryeministrave ballkanas, respektivisht atij serb dhe shqiptar që po rreken të ndryshojnë trendin e politikës së rajonit. Pasi arritën marrëveshjen e vështirë virtuale ta konsiderojnë veten të barabartë mes tyre si popujt-faktor në Ballkan, të dy tashti u duhet imazh tjetër. Edhe këtë, e kanë parë të dy njësoj, teksa kryeministri serb Vuçiç dhe ai shqiptar kanë thënë gati të njëjtën gjë në drejtim të Brukselit: Ne kishim deri tani nevojë për Ju, por ka ardhur koha që edhe Ju tashmë keni nevojë për ne. Sintonia është e plotë dhe kjo u pa dhe në takimin e Tiranës, ku dy kryeministrat e kaluan sipas parashikimit dhe madje duke pasur mundësi me hapësirat korteziale që i linin njëri-tjetrit, të përshfaqeshin sa më mirë.
Anipse kjo periudhë honey është e përkohshme, pasi një luftë tjetër po del në horizont dhe kjo lidhet me aleatët e të ardhmes. Serbët ka shumë të ngjarë që “të tradhtohen” prej rumunëve, pasi ekipi i ri kryeministror i tyre ka vendosur shpejt të njohë Kosovën. Ndërkohë, që shqiptarët po lëshojnë terren te amerikanët. Pak ditë më vonë, Vuçiç i ftuar nga Biden do pritet nga personalitetet më të larta në SHBA, ku pritet të vlerësohet për punën e tij, por më shumë angazhimin real që kanë marrë serbët për të marrë pjesë në luftë kundër ISIS. Aleati i çerekshekullit të fundit të shqiptarëve, në një farë mënyre, po u tregon të gjithë se interesat e saj, janë më shumë se çdo gjë tjetër. Nga ana tjetër, në të dy vendet është bërë gati e njëjta “luftë” për të tërhequr vëmendjen e znj. Merkel, e cila pothuaj i ka vlerësuar njësoj, por përndryshe u ka kujtuar se më shumë se aleatë Gjermaninë, Serbi-Shqipëri duhet të kenë të tillë standartet e tyre. Fakt, që Vuçiç dhe Ramës nuk mund t’i shkojë aq për shtat, me krizat respektive, ku po kalojnë vendet e tyre. Në këtë të fundit, dy kryeministrat ballkanas janë sërish njësoj me njëri-tjetrin, shpesh duke e zhvendosur problematikën në çështje imazhi, që lidhen edhe me kërkimin e aleatëve, sesa në problematikat e vendeve të tyre.









