Deputetë të Serbisë, në Kuvendin e këtij vendi kanë shtruar pyetje se për çfarë është folur në bisedat e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçqi dhe kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi, transmeton Koha.net.
Deputetët e opozitës kanë vlerësuar se Vuçiq ka dhënë deklarata jo të plota e të paqarta se për çfarë është marrë vesh në Bruksel dhe kanë shtuar se parlamenti duhet të zhvillojë debat publik për Kosovën.
Deputeti i Partisë Popullore (Narodna stranka) Miroslav Aleksiq e ka pyetur Vuçiqin pse askush s’e di se për çfarë po bisedohet për çështjen më të rëndësishme të Serbisë, Kosovën, transmeton n1. Ai ka shtuar se Vuçiq kishte thënë se në prill do të dilte me propozimin për Kosovën porse deri më tash s’e bëri këtë.
“Vuçqi s’e ka problem ta nënshkruajë marrëveshjen detyruese juridike, por ka problem që këtë t’ua sqarojë qytetarëve”, ka thënë ai.
Deputeti i Dveri Boshko Obradoviq e ka pyetur kryetarin e Serbisë se kur do të informojë në Kuvend se çfarë po ndodh në Bruksel. Ai shtoi se referendumi për Kosovën është antikushtetues sepse,sipas tij, Kosova është territor i Serbisë. (b.an)










