Kryetarët e katër komunave të pjesës veriore të Kosovës kanë paralajmëruar bllokimin e pikëkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, nëse zbatohet paralajmërimi i Prishtinës për të ndaluar kalimin e kufirit me letërnjoftime serbe, transmeton Koha.net raportimin e KiM Radio.
“Serbët nga veriu i Kosovës e Metohisë nuk do të lejojnë të mbyllen në geto dhe tërheqin vërejtjen se, nëse nuk do të lejohet që përmes Bërnjakut e Jarinjës të kalohet me letërnjoftime që i ka dhënë Republika e Serbisë, do të bllokojnë pikëkalimet administrative”, thuhet në komunikatën e kryetarëve të komunës së Mitrovicës së veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe të Zveçanit.