Dermatoza Nodulare ose siç njihet ndryshe si “sëmundja e gjedhit” ka marrë vëmendjen e opinionit publik dhe fermerëve këto kohë. Ministria e Bujqësisë, shpesh herë ka bërë thirrje për vaksinim dhe se si mund të zhduket kjo sëmundje, që ka prekur kryesisht lopët në Shqipëri.
Për këtë arsye, gjatë këtyre ditëve, me mbështetjen e Projektit PAZA II, pranë Ministrisë së Bujqësisë, ka qenë në Shqipëri akademiku i njohur për sëmundjen Dermatoza Nodulare.
Profesor Koos Coetzer vizitoi disa prej zonave të prekura nga kjo sëmundje dhe ndaloi në shumë prej fermave që janë të infektuara. Në bisedat e tij me fermerët, autoritetet lokale dhe qëndrore, profesor Coetzer ka dhënë detaje të vlefshme për këtë sëmundje dhe mënyrat sesi duhet të përballen fermerët dhe autoritetet.
Profesor Koos Coetzer qëndroi për rreth një javë në Shqipëri dhe vizitoi ferma të ndryshme në Kukës, Dibër, Klos e Lushnjë. Ai gjithashtu dha dhe një leksion në Universitetin Bujqësor, ku ju shpjegoi me detaje studentëve të Veterinarisë Dermatozën Nodulare. Në bisedat e tij me fermerët, profesor Coetzer tha se kafshët e infektuara duhen trajtuar me kujdes, pasi kjo është ndër mënyrat për të mos humbur kafshën. ai gjathshtu tha se shumë e rëndësishme është vaksinimi periodik, derisa sëmundja të zhduket.
Më poshtë intervista e përkthyer e prof. Koos Coetzer
Profesor, për herë të parë ne kemi një sëmundje të re në Shqipëri. Ju jeni autoriteti numër një për njohjen e kësaj Dermatozës Nodulare. Cilat janë shenjat e para të sëmundjes dhe si duhet të përkujdesen fermerët për kafshët e sëmura?
Në shpërthime të tilla të mëdha të sëmundjes mund të gjeni në gjithë fermën shenja klinike të sëmundjes. Një pjesë e konsiderueshme, 20 deri në 30% e lopëve mund të mos shfaqin shenja klinike, ndoshta vetëm temperaturë të lartë, nëse e masim atë. Por shfaqja e shenjave varion shumë, nga raste me pak “nodula” deri në ekstrem me shumë “nodula”. Zakonisht shenja e parë është temperatura e lartë, ndërsa në veçanti, në rastet e rënda do të jetë e dukshme enjtja. Për shkak të prekjes së enëve të gjakut do të shihen enjtje. Më pas, në rastet e rënda pas 2-3 ditësh shfaqen “nodulat” dhe i gjithë trupi i kafshës mund të mbulohet me to, dhe më pas “nodulat” do të zmadhohen. Siç kemi parë në rastet e fundit, pas një apo dy muajsh, “nodulat” do të përthahen dhe copa të vdekura të lëkurës do të bien nga trupi i kafshës, por këto vende janë të rrezikshme pasi janë porta hyrje për bakteret. Ne kemi parë dhe kafshët e ngordhura, të cilave u ishin prekur rrugët e frymëmarrjes, goja, fyti dhe deri të mushkëritë. Te kafshët e sëmura mund të gjenden dhe inde të ngordhura dhe këto mund të shkojnë deri te mushkëriteë dhe mund të kemi infeklsion të mushkërive apo bronkopnemoni. Gjithashtu kemi enjtje dhe bllokim të gjymtyrëve. Në rastet e rënda, edhe nëse e trajtoni kafshën më shumë antibiotikë, gjasat që të shërohet janë të pakta. Shumë prej kafshëve arrijnë të shërohen, por në rastet e rënda të infeksionit kafshët ngordhin, kjo për shkak se ka shumë plagë dhe “nodula” çka lejon bakteret të hyjnë në trup.
A mund të jepni disa këshilla se si fermerët duhet ta trajtojnë një kafshë të sëmurë dhe a ka shpresa që kafshët e sëmura të shpëtojnë?
Nëse një kafshë është e prekur dhe në gjendje të rëndë, sigurisht që ka nevojë për përkujdesje intensive. Duhet mbajtur ngrohtë dhe nëse qëndron e shtrirë ka nevojë për shtrojë të butë me qëllim që të mos ketë dëmtime dhe shtypje të lëkurës. Duhet të ketë ujë të freskët për të pirë dhe ambient të ngrohtë. Është e rëndësishme që për shkak të plagëve të hapura duhet t`i jepen shumë antiflamatorë dhe antibiotikë. Medimakemtet duhet t`i jepen për një periudhë relativisht të gjatë, do të thoja për 2-3 javë duhen dhënë shumë ilaçe. Por e rëndësishme është që fermerët të përkujdesen dhe mirë ushqyejnë lopët, si dhe ta mendojnë veten dhe të veprojnë si infermierë të kafshëve.
Fermerët janë të shqetësuar për të ardhmen? Si e parashikoni situatën në vitet e ardhshme?
Është e vështirë ta parashikosh, pasi do të thoja që është një periudhë e re e shfaqjes së sëmundjes. Unë mund të flas nga eksperienca afrikane, ku kjo sëmundje është endemike dhe është gjithmonë aty. Për shkak të vaksinimit tashmë shumë kafshë janë klinikisht të shëruara, çka do të thotë që ato do të jenë imune ndaj sëmundjes. Nëse bëj një parashikim them që në vitet e ardhshme ju do të përballeni me më pak raste. Në varësi të asaj çka Shërbimi Veterinar do të bëjë, pra nëse ata do të vijojnë vaksinimet, çka dhe rekomandohet që ata vitin e ardhshëm të vaksinojnë pjesën më të madhe të kafshëve, atëherë ju do ta ulni infektimin. Unë e parashikoj këtë, por ne nuk e dimë të sigurtë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kjo pasi nuk dimë vektorët e transmetimit të sëmundjes, pra insektet të cilat e përhapin virusin në këtë zonë, pasi insketet kanë rol kryesor në ruajtjen e sëmundjes. Në rastin këtu pas meje, virusi është në plagët dhe “nodulet” e kësaj lope. Kini parsysh që është virus i fortë dhe rezistent dhe mund të mbijetojë për disa muaj në plagët e lopës duke u bërë burim i përhapjes. Për shkak të përhapjes së Dermatozës në botë, kudo po bëhen kërkime shkencore dhe në vitet e ardhshme do të kemi zhvillime të reja për këtë sëmundje. Por vaksinimi është veprimi kryesor që duhet bërë si masë parandaluese.
A është virusi i dëmshëm për njerëzit?
Jo nuk është i dëmshëm për njerëzit. Këto viruse nuk shkaktojnë lëndime apo plagë dhe nuk janë të dëmshme për njerëzit, pasi nuk i prekin ata.
Pra qumështi dhe mishi mund të konsumohen?
Është e qartë që në rastet e rënda dhe për shkak të plagëve dhe lëndimeve të mëdha, ndoshta nuk është e pëlqyeshme që të konsumosh. Por në rastet kur lëndimet janë të pakta, ka pak “nodula” dhe plagët në lëkurë janë të shëruara, mund ta hani mishin dhe pini qumështin.