Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj po zhvillojnë këtë të enjte, më 9 prill, një bashkëbisedim për rritjen e pagave në sipërmarrjet shqiptare.
Diskutohet për ekonominë, punësimin, pagat në çdo sektor ku dhe ndërtimi po luan një rol kyç në tranformimin ekonomik e social të Shqipërisë. Kryeministri gjatë fjalës së tij, kritikoi opozitën që sipas tij po hedh baltë mbi sektorin, që sipas tij po transformon vendin.
“Në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fattë keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë, dhe që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.
As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit si në çdo sektor tjetër, në Shqipëri si në çdo vend tjetër, përfshirë ato vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme, si këtu në Shqipëri që janë më të mprehta në disa raste se në vende të tjera. S’e vë në diskutim se edhe në ndërtim jo çdo gjë është e pastër, por ama që këtë sukses evident të Shqipërisë, që këtë transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të prekshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusë në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.”, tha Rama.











