Sekretariati Teknik i Komisionit te Posacem te Licencimit ka reaguar pas kronikës së “Zërit të Amerikës”, për favorizim të kompanisë “DH Albania”.
Në reagim thuhet se është zbatuar ligji në çdo pikë.
Deklarata
Referuar kronikës së publikuar nga “Zëri i Amerikës” se shoqëria DH Albania është favorizuar në sigurimin e licencës në zbatim përpara regjistrimit në QKB, Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Liçencimit, sqaron se nga ky komision është zbatuar procedura ligjore dhe mbledhja e datës 30 Korrik 2018 ka marrë në shqyrtim aplikimin e shoqërisë DH Albania për njëhsimin e licencës së huaj vetëm pasi shoqëria ka plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, përfshirë edhe dokumentin e pretenduar nga “Zëri i Amerikës”, aktin e regjistrimit në QKB.
Nga fillimi i procedurës së aplikimit deri në kalimin e dosjes për vendimmarrje drejt Komisionit, subjektet sipas ligjit kanë të drejtën të depozitojnë dokumente plotësuese në funksion të aplikimit të tyre. Sekretariati shqyrton dhe relaton drejt Komisionit vendimmarrës vetëm aplikimet të cilat rezultojnë me dosje të plotë të dokumentacionit ligjor të kërkuar.
Më në detaje sqarojmë se, shoqëria DH Albania, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, protokolluar në MIE me nr.1138 prot., datë 13.07.2018, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim. Shoqëria me shkresën e datës 18.07.2018, e protokolluar në MIE me nr.1162 prot., datë 18.07.2018, e deri në datë 27.07.2018 ka paraqitur dokumentacion plotësues të aplikimit për njehsim të licencës së huaj.
Bëjmë me dije se njehsimi i licencës nga vendi i origjinës së shoqërisë DH ALBANIA është bërë konform gërmës a) të pikës 3) të Kreut III, të rregullores së miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.42 datë 16.01.2008, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike, që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”, i ndryshuar.
Sekretaria Teknike e Komisionit të Posaçëm, pasi vlerësoi plotësimin e dokumentacionit të paraqitur referoi aplikimin e kësaj shoqërie, së bashku me aplikimin e 33 shoqërive të tjera, ku paraqiteshin edhe 3 aplikime shoqërish për njehsim të licencës nga vendi i origjinës ngjashmërisht me aplikimin e shoqërisë DH Albania, pranë Komisionit, i cili në mbledhjen e datës 30.07.2018 shqyrtoi të gjitha aplikimet që rezultonin të plota në perputhje me kërkesat ligjore. Sipas përcaktimeve të kësaj rregullore, sekretariati teknik shqyrton aplikimet që rezultojnë me dokumentacion provues, dhe nëse rezulton i plotë ja relaton Komisionit për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Në rastin konkret, sekretariati ja ka dërguar dosjen Komisionit për shqyrtim dhe vendimmarrje vetëm pasi dosja është plotësuar me të gjitha dokumentet nga subjekti kërkues.
Bazuar në shkronjën “a”, të pikës 3, Kreu III, të rregullores së miratuar me VKM nr.42, datë 16.01.2008, i ndryshuar, si dhe mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëria, Komisioni miratoi njehsimin e licencës së shoqërisë, duke u bazuar në paragrafin 2, të gërmës ”a”, të pikës 3, Kreu III, të rregullores, që përcakton se “Shoqëritë e huaja që aplikojnë për licencim njehsojnë licencën që disponojnë nga vendi i origjinës duke zbatuar të njëjtat procedura për kategorizimin dhe klasifikimin, si dhe shoqëritë shqiptare”.
Në bazë rregullores Kreu II, pika 4, nënpika V, të VKM nr.42, datë 16.01.2008, i ndryshuar, Sekretaria e Komisionit, kur aplikimi rezulton me dokumentacion të plotë, brenda 7 ditëve propozon komisionit shqyrtimin e kërkesës. Sekretaria per cdo rast referon te gjitha aplikimet e paraqitura prane Komisionit, dhe prezanton te gjitha aplikimet qe jane te plotesuara me dokumentacionin e kerkuar sipas rregullores. Edhe në kete rast, prane komisionit është relatuar ky aplikim brenda afatit ligjor. Dokumentacioni i paraqitur nga shoqeria, pershkruhet si me poshte:
– Kërkesa, e nënshkruar nga perfaqesuesi i deges se shoqerise se huaj, z. Avdjol Dobi.
– Formular aplikimi i shoqerise, ku jepen të dhënat e shoqërisë, rezidenca dhe adresa, të dhënat e kontaktit, përfaqësuesin ligjor, drejtuesit teknik me të cilët kërkon të përfitojë njehsimin e licencës së huaj.
– akti i themelimit të shoqërisë meme, (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– statuti i shoqërisë meme (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– Ekstrakti historik i regjistrit tregtar në te deges se shoqerise se huaj te regjistruar ne Shqipëri prane QKB, mbi të dhënat e subjektit- i njehsuar nga noteri Xhevahire Brahaj.
– Licenca e shoqërisë Dunëell Haberman LLC, me nr.DH30561209, me vlefshmëri deri më 22.08.2023, lëshuar nga Bordi i Shtetit të Delaëare (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– Dokument mbi sistemin e klasifikimit të licencave në vendin e origjinës (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– Vërtetimi për taksat, falimentin, çështje gjyqësore ose veprimtari joligjore te shoqerise meme (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– Bilanci 2017, me përmbledhje për 3 vitet e fundit te shoqerise meme (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës)
– Kontratat e punës midis shoqerise dhe drejtuesve teknikë (përkthimi dhe noterizimi i dokumentit të apostiluar nga vendi i origjinës),
– Diplomat e drejtuesve teknik (përkthimi dhe noterizimi i dokumenteve të apostiluara nga vendi i origjinës):
– CV dhe rekomandime për drejtuesit teknikë (të përkthyera nga përkthyes shqiptar dhe te noterizuara).
– Vetdeklarime te drejtuesve teknike
– Pagesa e tarifës së aplikimit 1 euro
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar verifikim dokumentacioni, nëpërmjet kanaleve diplomatike, në SHBA. Pas pergjigjes se marre ku rezulton se dokumentacioni që lidhet me datën e krijimit të shoqërisë në vendin e origjinës nuk është i njëjtë me dokumentacionin e paraqitur prej degës së shoqërisë në Shqipëri gjate aplikimit për njehsimin e licences ne vendin e origjines, Ministria ka përcjellë trajtimin e ketij rasti prane sekretarise teknike te Komisionit te Posacem, i cili u trajtua ne nje mbledhje te posacme dhe u morr vendimi Nr. 24, DATË 13. 12. 2018, per revokimin e licences se njehsuar.
Licenca e shoqërisë DH Albania me vendim NR. 24, DATË 13. 12. 2018, të Komisionit të Posacëm, mori vendim në zbatim të pikës 1/a/I, të Kreut VII të rregullores “Heqjen e të drejtës së ushtrimit të aktivitetit në fushën e zbatimit në ndërtim, për një periudhë 5 vjet” për shoqërinë “DH-ALBANIA”, degë e shoqërisë së huaj, me administrator z. Avdjol Dobi, si dhe në zbatim të shkronjës “b”, të po kësaj pike, kallëzimin pranë organit të akuzës.
I gjithë dokumentacioni tanimë është në dispozicion të organit të akuzës i cili po kryen hetimet e nevojshme për zbardhjen e asaj çka ka ndodhur dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve për aktin e falsifikimit.
/a.rada