Nga Frrok Çupi
Presidenti i Republikës ka vendosur që t’u marrë të gjithëve qimen. Dje ka deklaruar se do të dalë shesh më shesh nëpër Shqipëri dhe do të mbledhë ‘shtrungat’. Në shtrunga – sipas traditës – barinjtë mbledhin tufat dhe u marrin nga një qime për sëmundjet. Presidenti deklaroi dje se ‘nesër publikojmë emrat e atyre që votuan’ në Kuvend për Kodin e Ri zgjedhor, domethënë që janë të sëmurë. ‘Do të shpartallojmë këtë komplot!’- u betua. Do të mblidhen në sheshe ‘tre milionë shqiptarë’, – tha. ‘Numërimi mbrapsht sapo filloi…”
Këtu nis të merret qimja, një për një, kokë për kokë
97 deputetët që votuan dje në favor të Kodit të ri Zgjedhor e kanë të depozituar qimen në Kuvend dhe në Presidencë, tani pritet vetëm linçimi. Me siguri, ata do të dalin të sëmurë rëndë dhe do t’u hidhen egërsirave për ushqim. Pas kësaj nis dezinfektimi i banesave dhe lagjeve ku këta jetojnë. Pastaj ndëshkimi me shtatë kamxhikë i secilit që shihet duke pirë kafe ose ujë me ta; dënimi më i rëndë do të shkojë zinxhir nga kushërinjtë, deri te miqësia më e gjerë.
Mbledhja e qimes do të emërtohet ‘spastrimi i Republikës nga ata që janë kundër Kushtetutës’. Puna e madhe e presidentit nis pas kësaj, domethënë me tre milionë të tjerë. Këta nuk e kanë të depozituar qimen; do të thërriten në sheshet e Shqipërisë ku presidenti do t’i vërë në shtrungë. Një e keqe vdekëse për presidentin është se në sheshet e reja të qyteteve duket dora e qeverisë – që është armike e presidentit; por edhe këtë do ta kalojë si i paskrupullt: Shumica do të thërriten para Presidencës në Tiranë, ku ka ndërtuar Musolini. Aty i mblodhi edhe në datën 2 të muajit të Covid-it.
Pra, puna për qimen nis shumë shpejt dhe populli do të pastrohet nga sëmundja e komplotit. Kështu ka ndodhur edhe në Mesjetë; dhe hera e dytë është kjo.
Qysh në shekullin e15-të njerëzit nisën të dallohen si ‘të sëmurë’ dhe ‘të shëruar’…, si ‘të mirë’ dhe ‘të marrë’. Psikologu dhe filozofi francez Paul-Mishel Fuko (Michel Foucault) shkruan se atëherë u bë një përpjekje për ndarje racionale në tre sektorë:
Sektori i parë, sipas Fukosë: Shtëpitë e korrektimit, burgjet dhe vendet e fshehta:
Presidenti i Republikës sonë, Meta, do të dërgojë atje të gjithë ata që qimja do t’u manifestojë se kanë dijeni për fajet që ka bërë Ilir Meta. Këta e kanë dënimin më të rëndë, prandaj do të izolohen që të mos tregojnë kurrë. Ilir Meta ka grabitur para të madhe sy për sy me popullin, regjistruar në ditën me diell. Pasi ka grabitur ka paguar gjykatën e ka dalë ‘i pafajshëm’. Pastaj për të frikësuar secilin që guxon të flasë, ka shkaktuar vrasjen e 4 protestuesve në bulevardin ku nesër do t’i marrë qimen secilit. Për t’i frikësuar të gjithë, pardje ka kërcënuar një gazetë indipendente ‘Tema’, sepse ka dëshmuar në publik. Poshtërsitë e Metës nuk numërohen: me korrupsionin, me deformimin e moralit politik, me bandat e grabitjeve, me vilat… Vetëm ish-presidenti, zoti Berisha, ia ka thënë të vërtetën shkurt: ‘Ilir Meta do ta mbyllë jetën pas hekurave të burgjeve, është vrasës me pagesë, trafikant droge, fëmijësh dhe vajzash të mitura’.
Sektori i dytë, vendet e caktuara për ‘të varfrit e mirë’:
Të varfrit e mirë janë ata që presin barin e vilës së Metës, ata që lajnë macet në 12 banjat e vilës në Lalëz; është tipi i aktivistit të LSI-së, Gjon Gjoni i ndjerë, i cili u vra në Laç, në 23 qershor 2013, i dërguar nga Meta për të shpërndarë lekë për votat. Të varfrit e mirë quhen punëtorët dhe policët e tunelit të Kërrabës, që nuk folën asnjë fjalë pas vjedhjes së floririt. Të varfrit e mirë janë punëtorët që po punojnë për ndërtimin e pallateve ose për nxjerrjen e pllakave që janë të Metës, por jo në emër të Metës. Të varfër të mirë janë edhe disa gazetarë e media që vishen me kravata dhe përulen duke thënë ‘Meta po bën gjënë e duhur’…
Meta vdes për këta e, prandaj, do t’ua marrë prapë qimen, që të garantohet. Edhe vetë Meta qëndron në sektorin e ‘të varfërve të mirë’ – sipas Fukosë; por ky ka aplikuar idenë e traktatit të natyrës njerëzore, sipas të cilit ‘asgjë nuk ndiqet me aq pasion sa paraja’.
Sektori i tretë, për të marrët dhe të tjetërsuarit:
Të tjetërsuarit, edhe sipas Fukosë, nuk ishin aq të sëmurë sa të mbeteshin pa bukë ose pa mashtruar dikë. Për këta, sapo të dalin provat e qimeve, Meta do të rezervojë një vend special, ku vetë do t’i vizitojë herë pas here. Vetë Meta i përket kësaj kategorie. U tjetërsua nga socialist në demokrat, nga antikomunist në model Mehmet Shehun; nga Avni Rustem në Salvador Allende, nga trim kundër Amerikës në hipokrit evropianist. Kush del me qime ‘tjetërsim’, do të jetë rezervë për partinë e Metës dhe do të lëshohet për të rrënuar çfarë të gjejë përpara.
Ndërsa, po këta të sektorit të tretë, që janë ‘të marrët’, do të japin qimen dhe do të urdhërohen të vijnë prapë në shesh, sa herë të ketë nevojë presidenti për të marrë qime të tjera. Ai do të thotë se ‘të marrët i thërras për Kushtetutën’, por, në fakt, i thërret për qimen.