Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet sot, 1 shkurt, seanca për të shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Mësohet se në sallë është i pranishëm vetë Veliaj ndërsa nga radhët e prokurorëve të posaçëm, ish-kreu i saj, Altin Dumani dhe prokurori i çështjes, Ols Dado.
Për këtë të fundit, kreu i bashkisë ka dërguar një pdi në Gjykatën Administrative të Tiranës ku kërkon konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit të presidentit për emërimin si prokuror në vitin 2008.
Ndërkohë, për Veliajn është parashikuar që të hënën e 2 shkurtit të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë.
Çështja e masës së sigurisë është ndërkohë duke u shqyrtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pasi Veliaj kërkon shfuqizimin e saj.
Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025. i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes të premten e kaluar.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.











