Nicolas Sarkozy duket se ka vendosur të kalojë nga politika në futboll. Ish presidenti i Francës po mendon të ndërmarrë një detyrë të re, atë të kreut të Paris Saint Germain.
Sipas “GQ Magazine”, Sarkozy kryeson listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e kampionëve të Francës.
Padroni i klubit parisien, Al Thani që imponoi edhe largimin e Laurent Blanc, po kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe me Al Khelaifin për t’i dhënë një shtysë Paris Saint Germain dhe sipas tij, Sarkozy është personi ideal për këtë.
Mësohet se javën e kaluar në Katar u zhvilluan bisedimet e para në lidhje me këtë çështje që përkuan edhe me disfatën e Paris Saint Germain ndaj Montpellier.
Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë pushimeve dimërore, ndërkohë që zëvendësimi i Al Khelaifit me Sarkozy pritet të zyrtarizohet vetëm në fillim të sezonit 2017-2018.
Sarkozy ka provuar që të kandidojë sërish për të parin e Francës, por ka humbur në garën e taborit të djathtë për kandidatin presidencial për zgjedhjet e ardhshme, përgatiti Express. (b.an)