Romani “Sarah” i autorit të njohur Alfred Peza, në gazetarinë shqipe dhe tani edhe në letërsinë romaneske, është frymëzuar pikërisht për të mbushur këtë boshllëk jo vetëm letrar por edhe historik, të një prej periudhave më interesante të transformimeve psikokulturore e politike të vendit, pikërisht pas krijimit të shtetit të ri shqiptar dhe daljen nga latenca pesëqindvjeçare otomane.
Nga Dr. Mimoza Ahmeti
Periudhat historike shqiptare dhe simbolikat e tyre janë pasqyruar pak në letërsinë dhe edhe më pak në vetë historinë e Shqipërisë.
Nuk qenë aq të pakonsiderueshme përpjekjet letrare apo historiografike të autorëve tanë, por shkrimi i përdorur relativisht vonë në kulturën tonë si dhe zhvillimi me këputje i formacioneve sociale dhe besimeve që ndiqnin ato, ka bërë që linjat e vetëdijes kolektive dhe letrat e shkruara në tërësi për to, të jenë jo vetëm në mosrendime referuese të qarta, po shpesh, prej ritregimeve, apo prej distancës parimore, burimi i saktë të mbetej, madje edhe sot e kësaj dite, shkrimi prej ekspertëve të huaj e albanologëve.
Në përgjithësi mungesa e vazhdimësisë krijon krizë edhe në metotë. Dhe kriza në metodë nuk lejon empathi përfshirjeje përgjatë leximit dhe ecjes në një kulturë. Ky është edhe problem identiteti më në fund, për ne.
Romani “Sarah” i autorit të njohur Alfred Peza, në gazetarinë shqipe dhe tani edhe në letërsinë romaneske, është frymëzuar pikërisht për të mbushur këtë boshllëk jo vetëm letrar por edhe historik, të një një prej periudhave më interesante të transformimeve psikokulturore e politike të vendit, pikërisht pas krijimit të shtetit të ri shqiptar dhe daljen nga latanca pesëqindvjeçare otomane.
Motivi i këtij romani bëhet një grua e re. Ajo quhet Sarah. Njëkohësisht ajo është edhe spoti i ndryshimit, koha rreth të cilës flitet në roman. Liria e sjelljes së saj që buron nga fluiditeti i perceptimit dhe buzëqeshja me gjërat serioze, e bën një krijesë që nuk humbet hullive të tradicioneve.
Duke qenë njëherësh muza e romancierit dhe, brenda romanit, muza e kreut që udhëhiqte ndryshimet reformative të shtetit shqiptar, Ahmet Zogut, ajo shkëlqen nëpër narracion si një vernik feminin mbi portretin e maskilizmit politik shqiptar, për ta zbutur sadopak atë, edhe pse ndoshta e pavetëdijshme për efektin.
Ideja Femër në letërsinë shqipe ka qenë gjithmonë sekondare. Primacia e saj në literaturën tonë pothuajse mungon fare, por edhe kur shfaqet ajo ka një aparencë burri. Për shembull Shote Galica, apo të tjera heroina lufte apo revolucioni. Duket si koincidencë por një element absolut i masës së emancipimit të një letërsie të jetë vendi që ze femra, bota e saj për literaturë dashurie dhe mënyra se si e vlerëson dhe e do gjinia mashkull atë.
Alfred Peza kërkon ta qendërzojë këtë grua duke evokuar bashkë me të dëshirën për ndryshimin e psikologjisë së perjetimit dhe lirisë individuale, edhe pse mbetet disi e vështirë për rrethin ku kjo grua shfaqet. Ndoshta pikërisht ky kontrast që ajo krijon ndërsa shfaqet, që vetëm shfaqet… është edhe efekti i madh: një aparencë ndryshe e cila godet më shumë sesa fjalët. Në një ambient europrovincial si Tirana e asaj kohe.
Autori thotë për kryeqytetin e atyre viteve:
Rrallëkund në botë mund të hasje një panoramë kaq unikale sa në këtë qytet, ku njerëzit jetonin allaturka dhe po silleshin gjithnjë e më shumë allafrënga. Mendonin allaturka e vepronin allafrënga. Punonin allaturka e visheshin allafrënga. Jetonin si lindorë e kërkonin që të emigronin në Perëndim. Adhuronin Lindjen dhe kërkonin ta sfidonin veten në Perëndim.
Sidoqoftë kjo grua duket se nuk i përket asnjë norme të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Preza citon disa nga gjykimet e kanunit për gruan: “ Kanuja e xen gruan si një tepricë në shpi; as te prindi, as te burri, gruaja nuk hyn në pjesë të trashëgimisë”.
Sjelljet e cuditshme te kësaj gruaje si dhe veshjet e saj moderne për kohën, torturojnë emocionalisht burrat dhe verbojnë zilisht gratë, sidomos ato të oborrit.
Midis mahisë dhe tundimit, midis dënimit dhe vlerësimit, ajo arrin të bëhet karakter frymëzimi dhe transformimi për shoqërinë postmesjetare shqiptare, së paku një goditje jo e lehtë psikologjike e rutinës së trashigimsë.
Natyra tipologjike shqiptare, me dobësitë e përtacisë, nëpërgojes, armiqësitë e brendshme të padurueshme, mercenarizmin ushtarak, impotencën konstitucionale, izolimin dhe vetëizolimin, e të tjera kategori negative si këto, analizohen e replikohen në roman në mënyrë të stërhollë.
Mjedise, sallone, peizazhe të qyteti dhe vetë figuara e Ahmeti Zogut, shfaqen në këtë roman si në një film realist të kinemasë klasike, me një operator modern, që i jep tregimit shije dhe kuriozitet. Vini re aurorin si përshkruan Zogun e ri asokohe:
“Shefi i Shqipërisë kishte më shumë armiq se të gjithë protagonistët e tjerë të politikës së bashku. I kishte shpëtuar një serie të pafund atentatesh. Kishte kontakte fizike pune me një numër tmerrësisht të ulët bashkëpunëtorësh. Qytetarët pothuajse nuk e kishin parë asnjëherë fizikisht në publik. Pjesës më të madhe po i krijohej përshtypja se më shumë se person konkret, Ahmet Zogu ishte një legjendë urbane…
Në shtëpinë e tij dhe rezidencën e qeverisë, që veç një rrugë i ndante, kishte më shumë ushtarë se libra; më shumë pushkë se lule; më shumë spiunë se lugë; më shumë helmeta se dritare; më shumë barut se bukë.
President –Kryeministri jetonte si një i burgosur social pa e parë kurrë dritën e diellit. Ishte një i vetëngujuar i hakmarrjes dhe rob i ambicjes.”
Mund të themi se romani ka një eros feminal, në theksimin e vazhdueshëm që i bëhet rolit të gruas në transformimin psiko- kolektiv të shoqërisë si dhe një shkarkim apo shfryrje e situatave nga e befasishmja Sara. Duket se ky është edhe vetëbesimi i autorit për të ardhmen shoqërore. Në fjalët e një personazhi ai thotë:
“Shqipëria nuk mund të bëhet një vend normal, duke u mbështetur si deri më sot, vetëm mbi gjysmën e saj më të keqe, burrat. Perëndimi vërtet është gjini mashkullore, por është bërë ai që është sot, vetëm nga repektimi gjithnjë e më shumë i të drejtave të grave.”
“Si bëhet që të ndryshojë realiteti në Lindje, ku njerëzit mendjen e kanë në gjumë dhe gjuhën në punë? Ndërsa në Perëndim, mendja është në punë dhe gjuha në gjumë.”
Ahmet Beu, Zogu, flet për reforma të dimensionit të shtetit modern. Themelime ligjore si : Kodi civil, kodi penal, kodi tregtar, kodi i detit e një seri kodesh te tjera, për marredhëniet e reja në komunikimin ndërsistemor me politikat në të cilat po hynte vendi, por deputetët e dëgjonin zymtushëm.
Romani trajton nje larmishmëri temash në funksion të atyre viteve të paharrueshme, të asaj aristokracie minimale që përjetoi rrjedhat e transformimit europian, që ishin në të njetën kohë ngjarje në jetën e tyre prej vendit që i përkisnin dhe rolit që luanin.
Në tërësi romani përshkruhet nga një eros për ndryshimin, që ndoshta ka dhe një riverberim me ndryshimet bashkëkohore në shoqërinë tonë, të cilat po ndodhin për një komunikim me standarde brenda dhe përtej vendit. E gjithë kjo ëndërr që përsëritet pa mundur përfundimisht të zërë shtrat në kulturën tonë konstitucionale, vishet me tisin e bukurisë dhe pashpjegueshmrisë së feminitetit të Saras, e cila edhe udhëheq ndryshimin, pa qënë e përgjegjshme për të. Ky roman lexohet rrjedhshëm dhe ka intimitetin e një krestomacie salloni./Mapo