• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, March 12, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Saliu dhe Luli, të vjetrit që flasin për Republikën e Re

by Carlo Bollino
09/05/2017 09:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Carlo Bollino

Lulzim Basha, produkt politik i “Republikës së Vjetër” nga e cila është emëruar më parë ministër, pastaj kryebashkiak dhe së fundi kryetar i Partisë Demokratike, e harron origjinën e tij dhe sot paraqitet si babai i ”Republikës së Re”. Ai që është kryetar i një partie e cila ka nënshkruar reformën zgjedhore që u jepte partive pushtet absolut në zgjedhjen e deputetëve, sot paraqitet si armik i partitokracisë dhe në mbrojtje të popullit.

“Nuk duhet të jenë partitë ato që vendosin, por populli”, thirri brenda çadrës së tij, duke harruar që pikërisht partia e tij ka vendosur deri më tani t’u mohojë 600 mijë mbështetësve të PD të drejtën për të votuar më 18 qershor. Si mund të thuash se fjala e fundit u takon qytetarëve, kur, pa u konsultuar me ta, vendos të bojkotohen zgjedhjet, të cilat janë pikërisht i vetmi rast kur qytetarët mund të shprehin vullnetin e tyre?

Ajo çka Basha dhe Berisha përsëritin çdo ditë nuk ka të bëjë fare me historinë e tyre politike dhe personale. Është një gënjeshtër flagrante, krejtësisht e njejtë me shpifjet ndaj kundërshtarëve të tyre me të cilat për vite të tëra kanë gatuar fjalimet e tyre politike, vetëm se, këtë here, protagonistë të gënjeshtrës janë vetë ata. Të huajt kanë mësuar t’i njohin në këto vite shpifjesh të përsëritura në infinit, pa sjellë kurrë ndonjë provë, kështu që natyrisht tani nuk i besojnë. Është pikërisht kjo mungesë absolute e besimit tek Basha dhe Berisha (në planin personal, përveç atij  politik) e ushqyer nga vite gënjeshtrash, ajo që ka penguar çdo personalitet ndërkombëtar t’i ofrojë çfarëdo mbështetje PD-së.

Deri tani protesta vetëvrasëse e organizuar nga lidershipi i Partisë Demokratike, me kërcënimin pasues për të mos votuar vettingun dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje, është dënuar publikisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, nga Bashkimi Evropian, nga vendet kryesore të Unionit duke nisur nga Gjermania e nga Britania e Madhe, nga OSBE-ODIHR dhe nga të gjithë aleatët e PD, përfshirë Partinë Popullore Evropiane, dhe nga tre prej eksponentëve më të rëndësishëm të vetë PD-së: Majlinda Bregu (e cila përfaqëson PD në marrëdhëniet me Brukselin), Eduard Selami (i cili përfaqëson PD në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara) dhe nga Jozefina Topalli (e cila përfaqëson PD në marrëdhëniet me elektoratin e Veriut katolik të Shqipërisë, bastjon politik i opozitës aktuale).

E vërteta, për të cilën janë bindur tashmë të gjithë diplomatët, është që Basha dhe Berisha kanë inskenuar protestën e çadrës vetëm e vetëm për të bllokuar reformën në drejtësi dhe për t’i shpëtuar testimit të zgjedhjeve politike, duke e ditur mirë se i kanë të humbura. Dhe është pikërisht frika nga disfata elektorale, që sot e shtyn Bashën të refuzojë çdo propozim për ndërmjetësim që i ofrohet, duke përfshirë edhe atë super të favorshme për opozitën, që u prezantua nga Mc Allister më 26 prill dhe që, në fakt, pranonte gati të gjitha kërkesat e opozitës:
a)shtyrjen me një muaj të zgjedhjeve
b) emërimin e të paktën katër ministrave teknikë
c) ndryshimet në drejtimin më të lartë të Policisë
d) kryesimin e KQZ-së
e) reformimin e Kodit Zgjedhor dhe ashpërsimin e dënimeve për shitblerje të votave.
Dhe, së fundi, madje, zgjedhjen e një presidenti konsensual të Republikës. Rama dhe Meta pranuan, Basha në mënyrë të pabesueshme refuzoi. Si ka mundësi? Pse Basha hodhi poshtë edhe propozimin e ri, të bërë nga Edi Rama gjatë negociatave të organizuara nga presidenti Bujar Nishani, për të drejtuar me një zëvendëskryeministër, një ministër dhe tre zëvendësministra të PD-së një task forcë qeveritare, të ngarkuar me detyrën e kontrollit të të gjithë pikave kyç brenda administratës publike që, sipas OSBE-ODIHR, në të gjitha zgjedhjet e mëparshme politike (pra edhe kur ishte PD në pushtet) kanë qenë në qendër të dyshimeve për abuzimeve elektorale?

Propozimi i bërë nga ana e Partisë Popullore Evropiane dhe ai alternativ, i sugjeruar nga Edi Rama, duket që plotësojnë nevojën e shpallur nga Basha për një kontroll të plotë dhe total të procesit zgjedhor, për të shmangur manipulimin e rezultateve. Por Basha, pas çdo propozimi të ri, i rrit kërkesat e tij, për të patur mundësinë që të thotë jo. Kështu, Mc Allister-it, për shembull, i kërkoi që të votohet me sistemin elektronik, duke e ditur mirë që një procedurë e tillë nuk mund të realizohet teknikisht para se të kalojnë gjashtë muaj. Kështu që nuk i mjafton shtyrja e zgjedhjeve 100 ditë (siç kishte kërkuar deri atëhere), por shtyrja bëhet të paktën gjashtë muaj. Dhe, për më tepër, nuk i mjafton një qeveri teknike, siç kishte kërkuar deri atëhere, por një kryeministër teknik. Praktikisht, Basha kërkon pushtetin në tavolinë, pretendon që PS dhe LSI t’ia japin qeverinë në dorë për gjashtë muajt e ardhshëm, para se të shkohet në zgjedhje.

Dhe është kjo që flet për qëllimet e vërteta të Bashës dhe Berishës: ata kërkojnë qeveri dhe kryeministër teknik, jo për të plotësuar kërkesën e shmangies së abuzimeve elektorale, por faktikisht për të qeverisur deri në zgjedhjet e reja, me objektivin për të maksimalizuar rezultatet zgjedhore, duke shfrytëzuar pushtetin që rrjedh nga qenia në qeveri dhe, ndoshta, duke vënë në zbatim të gjitha ato abuzime për të cilat Berisha është mjeshtër. Domethënë, denoncojnë rrezikun e mashtrimeve, duke shpresuar të fitojnë hapësirë të duhur për t’i bërë vetë ato.

Arsya e dytë e refuzimit të çdo garancie të vërtetë elektorale është se shumë garanci e terrorizojnë Bashën. Domethënë, po të marrë atë pushtet ekzekutiv, që Edi Rama është i gatshëm t’i lëshojë, me qëllimin e vetëm për të shmangur mashtrimet elektorale, kjo e vendos Bashën përballë një pamundësie të mëvonshme për të justifikuar disfatën e tij në zgjedhjet. Pasi bie alibia e mashtrimeve elektorale për zgjedhje që ai vetë i ka drejtuar dhe kontrolluar, përballë disfatës së mundshme elektorale, Bashës nuk do t’i mbetej rrugë tjetër veçse të jepte dorëheqjen, pikërisht ashtu siç bëri simbolikisht në vitin 2013 Sali Berisha.

E gjithë kjo nuk mund t’u thuhet zgjedhësve dhe ja pra, sajohet tymi dhe alibia e Republikës së Re, e cila, në gojën e Berishës dhe të Bashës tingëllon si një propozim komik. Sot premtojnë gjëra, të cilat gjatë tetë viteve të qeverisjes (të mos harrojmë që PD qeverisi me pushtet absolut nga viti 2005 deri në 2013-ën), ata nuk i kanë realizuar kurrë. Republikat e reja propozohen nga forcat politike që nuk kanë qenë kurrë pjesë e të vjetrave.

Zakonisht, janë forcat ekstraparlamentare, të cilat, për t’u bërë pjesë e sistemit, luftojnë për ta ndryshuar atë ekzistentin. Ndryshe nga kjo, Berisha dhe Basha pretendojnë të veprojnë në të kundërtën: për të rinovuar sistemin, hiqen sikur duan të dalin prej tij. E kanë kuptuar të gjithë që kjo është një gënjeshtër. Duke përfshirë edhe ata që kujtojnë një detaj, jo pak të rëndësishëm: Sali Berisha e pati rastin për të krijuar një Republikë të Re.

Kjo ndodhi më 1992, kur iu dha mundësia të drejtojë lindjen e Shqipërisë së re post-komuniste. Se ç’Republikë të Re zgjodhi Sali Berisha të ndërtonte, këtë e dimë të gjithë, pasi të gjithë jemi dëshmitarë të saj: SHIK-un e Gazidedes, Policinë e Agim Shehut, Prokurorinë dhe Gjykatat që i drejtonte vetë ai, piramidat mashtruese financiare, çmontimin e çdo lloj forme të shtetit, përhapjen e korrupsionit familjar, trafikun e klandestinëve, republikën e Lazaratit, persekutimin e gazetarëve të lirë, pushtetin absolut në duart e tij ndërkohë që populli jetonte në anarkine më absolute.

Republikën e Re Sali Berisha e ka ndërtuar një herë dhe është po ajo, që sot e quan Republika e Vjetër, nga e cila thotë se kërkon të ikë. Kush e njeh, e di mirë këtë. Ja pse në “çadrën e lirisë” ai dhe Lulzimi janë të destinuar të mbeten vetëm.

Next Post
INSTAT: 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, as në punë dhe as në shkollë

INSTAT: 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç, as në punë dhe as në shkollë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Largohen protestuesit, Berisha njofton datën e protestës së radhës

Rrezikon deri në 5 vite burg/ Gjesti kërcënoi me armë pronarin e kompanisë muzikore…

March 12, 2026
Shqipëria prezanton progresin dhe reformat për barazinë gjinore në forumin e OKB-së

Shqipëria prezanton progresin dhe reformat për barazinë gjinore në forumin e OKB-së

March 12, 2026
Izraeli godet një central bërthamor iranian, paralajmëron zgjerim të luftës në Liban

Izraeli godet një central bërthamor iranian, paralajmëron zgjerim të luftës në Liban

March 12, 2026
VIDEO / Ambasadorja e SHBA në Athinë, vizitë ‘misterioze’ në Kryeministri tek Rama

VIDEO / Ambasadorja e SHBA në Athinë, vizitë ‘misterioze’ në Kryeministri tek Rama

March 12, 2026
AKU sekuestron 738 kg mish pule të KMY-së dhe 329 kg djathë në Tiranë

AKU sekuestron 738 kg mish pule të KMY-së dhe 329 kg djathë në Tiranë

March 12, 2026
Votimi për Ballukun, reagon Komisioni Europian: SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij

Votimi për Ballukun, reagon Komisioni Europian: SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij

March 12, 2026
Bardhi pas rrëzimit të kërkesës së SPAK për Ballukun: Rama shpalli fajtore drejtësinë

Bardhi pas rrëzimit të kërkesës së SPAK për Ballukun: Rama shpalli fajtore drejtësinë

March 12, 2026
“Nëse Kosova është në kërcënim, është edhe Shqipëria”, Rama për median turke: S’kemi plan B për anëtarësimin në BE

“Nëse Kosova është në kërcënim, është edhe Shqipëria”, Rama për median turke: S’kemi plan B për anëtarësimin në BE

March 12, 2026
Ambasada holandeze reagon pas votimit për Ballukun: Drejtësia të mos pengohet!

Ambasada holandeze reagon pas votimit për Ballukun: Drejtësia të mos pengohet!

March 12, 2026
Misteri që shqetëson Tajvanin: Pse Kina ka larguar avionët e luftës prej 2 javësh?

Misteri që shqetëson Tajvanin: Pse Kina ka larguar avionët e luftës prej 2 javësh?

March 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In