Zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi ka folur për emisionin “Europiani 3D” në RTSH1 mbi ndeshjen e kuqezinjve ndaj Kroacisë dhe ndeshjes që do të zhvillohet të hënën në orën 21:00.
Salihi theksoi se me Kroacinë, kombëtarja shqiptare mund të kishte arritur më shumë por gjithsesi me barazimin siç përfundoi ndeshja, sipas Salihit tashmë Shqipëria shkon me objektiv të qartë ndaj Spanjës.
“Ndeshjet janë shumë të ngjeshura, si shkoi mirë, si shkoi keq, nuk ke shumë kohë, duhet me analizuar me marrë më të mirë dhe përmirësuar të këqijat dhe të kalojmë te ndeshja tjetër. Pasi e kemi analizuar ndeshjen ishte gjynah pasi në pjesën më të madhe ndeshja ka qenë në dorën tonë. Ashtu siç shkoi ndeshja na çon në ndeshjen e tretë me objektiva”, tha Salihi.
Zëvendëstrajneri Salihi shtoi se me këto ndeshje dhe me pjesëmarrjen 2 herë në kampionatet Europiane, kombëtarja shqiptare po fiton eksperiencë në kompeticione të tilla.
“Ndeshjet nuk i ngjajnë asnjëherë njëra-tjetrën. Fakti që mund të ndodhin episode nuk do të thotë gjë se kështu është futbolli. Mund të shënohen 2-3 gola në fillim të lojës, mund të shënohen në fund. Nuk ndalem shumë te kjo pjesë sepse për mua janë vazhdimësi e lojës.
Ne vërtet kemi lojtarë shumë të mirë që luajnë në kompeticione të rëndësishme por ky është një tjetër nivel. Ky është një kompeticion tjetër, edhe kombëtaret kur vijnë këtu nuk janë më të njëjta, nuk janë më kombëtaret që luajnë nëpër kualifikuese.
Gjithçka është shumë ndryshe dhe ajo fjala eksperiencë vlen shumë dhe ne si kombëtare do të rritemi me eksperiencën e këtyre ndeshjeve. Besoj se do të vlejë edhe në kompeticionet e ardhshme”, u shpreh Salihi.
/a.r