Shqipëria është një narko shtet, kështu shprehet deputeti demokrat Ervin Salianji për gazetën britanike “The Sun”, në një artikull për fluksin e madh të shqiptarëve që largohen ilegalisht drejt Brianisë.
Salianji thotë se qeveria shqiptare nuk po bën asgjë për ta ndaluar këtë fenomen, teksa ngre alarmin për shpopullimin e Shqipërisë.
Trafikimi i qenieve njerëzore është një problem i madh për Shqipërinë. Për shkak se kaq shumë njerëz po largohen, kjo po shkakton një fatkeqësi ekonomike. Ka qytete dhe fshatra të tëra ku nuk do të gjesh njeri nën moshën 40-vjeçare, siç janë larguar të gjithë të rinjtë.
Një raport i OKB-së ka deklaruar se popullsia e Shqipërisë do të bjerë nga 2.8 milion në një milion në shekullin e ardhshëm dhe është e vështirë të imagjinohet ndikimi që do të ketë.
Por përballja me kriminelët nuk duket të jetë prioritet për qeverinë. Në vend të kësaj, kryeministri Edi Rama po propozon një ‘amnisti fiskale’ që do t’u lejonte shqiptarëve që jetojnë jashtë të kthejnë deri në dy milionë euro pa u hetuar. Qeveria dëshiron t’i taksojë këto para me shtatë për qind, por është e qartë se një sistem i tillë do t’i lejojë kriminelët të pastrojnë paratë e tyre të pista”, është shprehur Salianji.
Artikulli i “The Sun” është në vazhdën e dhjetra artikujve të ngjashëm të publikuar në mediat britanike gjatë ditëve të fundit, ku ngrenë alarmin për numrin e lartë të emigrantëve ilegalë shqiptarë që po hyjnë në vend.