Vlera e vetme e raportit mbi financimet ruse për të rritur influencën politike në botë, është se ka zhvlerësuar gjithë akuzat e Berishës dhe krahut të tij ndaj Xhorxh Sorosit dhe e kanë kthyer atë në një njeri të dashur dhe të besueshëm për ta. Gjë tjetër të re nuk ka. Dy agjencitë kryesore të lajmeve AFP dhe AP, që i referoheshin zyrtarit amerikan, kanë risjellë historinë e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA të paguara në finale nga dy biznesmenë rus. “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, e ka zgjeruar raportin duke risjellë gjithë raportet e vjetra rreth kësaj historie, dhe ngjan si histori e zgjeruar amerikane rreth kësaj ngjarje. Në fakt në burimin kryesor të AFP dhe AP, përmendet vetëm përfolja e PD për pagesën prej 500 mijë dollarëve nga dy biznesmenë rusë për një lobist në SHBA. Të tjerat janë politikë redaksionale e VOA.
Lobisti amerikan i Partisë Demokratike i lidhur ngushtë me Trumpin dhe me infiltrimet ruse, është e sigurt që ka marrë pare ruse, ose ka justikuar pare të padeklaruara në emër të rusëve. Ky është fakt juridik i provueshëm nga kushdo. Lulzim Basha në atë kohë është mbrojtur se nuk mban përgjegjësi për pare që ka marrë lobisti i PD nga palë të treta, por mban përgjegjësi vetëm për paret që ka paguar në emër të PD. Mbrojtja e tij u bë e dobët, pasi në një moment tentoi ti justifikoj ato pagesa me një kontribute të shqiptaro amerikanëve, por kur u ballafaqua me drejtësinë, ai e kaloi përgjegjësinë vetëm tek lobisti. Prej asaj kohe ky mbetet një problem që duhet hetuar në SHBA, se si paret ruse mërijnë tek lobistë të lidhur me Trumpin. Shpresojmë që një ditë ta zbardhin në SHBA këtë hsitori.
Në atë kohë Sali Berisha dhe gjithë mbështetësit e PD e shpërfillën akuzën me alibinë e përjetshme që kanë gjetur për çdo akuzë ndaj tyre në këtë botë, duke ja veshur Xhorxh Sorosit. Dhe në kushtet të tilla është e vështirë të debatosh me idiotët. Duhet ti lësh se zoti merr hak vet ndaj tyre, dhe ua kthen Xhorxh Sorosin në aleatë.
Ja ku erdhi dita sot dhe Xhorxh Sorosi, ose “Mother Sorosi”, siç e quante Berisha revistën “Mother Jones” që botoi skandalin në SHBA, të bëhet i besueshëm për Sali Berishën dhe ushtarët e tij. Ata sot në një zë thonë se Lulzim Basha paska marrë pare ruse dhe ata sot janë të tronditur. Madje dhe vet Berisha beson se ashtu si lekët e “Toyota Yaris” i ndau Taulant Balla me Lulzim Bahsën, ashtu dhe këto lekët e Rusisë i ka marrë Lulzim Basha dhe s’ia ka treguar Shkëlzenit.
Kjo është vlera e vetme që ka ripërmendja e sotme e aferës së pagesës së lobistëve amerikanë me pare ruse për llogari të PD në Shqipëri. Sali Berisha dhe mbështetësit e tij që refuzojnë të pranojnë akuzat zyrtare të Sekretarit Amerikan të Shtetit për futjen në listë e zezë të SHBA dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar, befas qenkan ngritur në mëngjes entuziast që një burim amerikan ka ripërmendur akuzat ndaj PD të vitit 2017.
Në fakt shpresa e tij është se kështu ai mund ta krahasoj veten me Lulzim Bashën. Nëse e vutë re në reagimin e tij të parë, ai kishte një gëzim fëminor, duke deklaruar se Lulzim Basha nuk shkon dot në SHBA. Tamam tamam desh të thoshte “as Lulzim Basha” nuk shkon dot në SHBA.
Por politika e SHBA ndaj Berishës dhe Lulzim Bashës është e qartë. SHBA ka qëndrim zyrtar të pakorrigjueshëm në histori ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij, si minues të demokracisë, shantazhues të sistemit gjyqësor dhe të përfshirë në korrupsion madhor. Ndaj Lulzim Bashës ka një mbështetje publike që vazhdon, dhe që nuk ka lidhje me këtë akuzë e cila është hetuar në Shqipëri si problem shqiptar dhe po hetohet dhe në SHBA si problem amerikan.
Por zbulimi më i madh që bëri kjo histori lidhet me kompleksin e Sali Berishës si antiamerikan. Kur ne të gjithë po bindeshim se ai ishte i vendosur të vdiste si antiamerikan, ai befas zbuloi dobësinë e tij për tu mëshiruar si antiamerikan, pasi sipas tij ka dhe antiamerikanë më të këqijë se ai. Ishte Lulzim Basha.
Problemi i hetimit ligjor për paret ruse është punë e drejtësisë amerikane jo e politikës amerikane. Sali Berisha është ai që ka lidhur distancimin e Lulzim Bashës më 9 Shtator nga ai, me këtë akuzë. Për ata që e kanë harruar një vit më parë Sali Berisha ka deklaruar se SHBA mbylli hetimet për Lulzim Bashën që të më ndëshkonte mua. Ja që SHBA nuk paska mbyllur asgjë, dhe sa herë që duhet e përmend, dhe nuk ka asnjë kompleks. Në SHBA drejtësia nuk është nën mbikëqyrjen e politikës dhe politika nuk i zgjidh dot hallet e drejtësisë sic i ka pas zgjidh Berisha me Prel Martinin apo Xhin Xhonin.
Prandaj Berisha duhet ta ndaj mendjen se si duhet ta luftoj SHBA dhe me Lulzim Bashën në Shqipëri. Sot ai tregoi se strategjia për të luftuar Lulzim Bashën është që “edhe Lulzim Basha ka probleme me SHBA”. Dakord, por demokratët e shkret mendojnë se nuk duhet pyetur a ke probleme me SHBA, por duhet luftuar kundër SHBA. Nëse qenka kështu puna, që PD paska dy liderë me probleme në SHBA, njëri “non grata” e tjetri i përfolur nga shtypi, atëhere më mirë të bëhen me këtë të dytin si e keqja më e vogël për SHBA.
Demokratët që mbështesin Sali Berishën dhe që e lënë trurin të flej në shtëpi kur shkojnë me të, mendojnë se kanë dal në luftë me SHBA dhe Sorosin, dhe janë aleatë me çdo njeri që ka probleme me SHBA. Kjo e sotmja u ka përmbysur botën, pasi me këtë kriter që ata kanë, sot duhet të gëzoheshin që Basha u bë si ata, pra me probleme me SHBA dhe jo ta sulmonin .
E gjithë kjo tregon në fakt se sa të drejt ka pasur Lulzim Basha, kur tha se pas Berishës ka shkuar vetëm llumi i PD. Rasti i sotëm tregon qartë se Berisha është një lider i kompleksuar nga SHBA dhe jo një luftëtar i vendosur siç u paraqitet talibanëve të tij. Nëse citojmë vet Sali Berishën, ai një “lider i thyer” antiamerikan, pasi ai është duke kërkuar disa të tjerë që të kenë probleme me SHBA dhe të krahasohet me ta. Ndërse ne mendonim se ishte në garë me Bin Ladenin, të dukej më i fort se ai, ky qenka në garë me Lulzim Bashën të mos duket më i keq se ai. Nuk ka ditë më të zezë për demokratët e Berishës se kjo. Për më tepër që e dinë se qysh nesër SHBA mund ti krahasoj dhe të thotë “Po, jemi me Bashën”.
Mero, je gazetar i respektuar, por boll me Bashen! Thjeshte eshte njeri pa kurrfare yndyre! Ne cfardo ekuacioni ta perfshishe, vlera e tij mbetet zero!