Liverpool është në krizë totale. Barazimi i fundit 3-3 ndaj Leeds, ka shtuar presionin mbi trajnerin, i cili nuk e ka më të sigurt vendin.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në klub ka shpërthyer edhe një tjetër çështje. Mohamed Salah ka dalë hapur kundër trajnerit, pasi e ka lënë shpesh në stol në këtë sezon.
Në prononcimin pas ndeshjes, egjiptiani nuk u kursye në fjalët e tij, duke thënë se duket sikur dikush nuk e dëshiron më në klub.
“Jam shumë i zhgënjyer. Kam bërë kaq shumë për këtë klub… Tani jam në stol dhe nuk e di pse. Ndihem sikur klubi më ka hedhur poshtë. Mendoj se është shumë e qartë se dikush dëshiron të më hedhë të gjithë fajin mua. Nuk kemi më asnjë marrëdhënie me trajnerin. Kam marrë shumë premtime gjatë verës dhe deri më tani kam qenë në stol për tre ndeshje. Nuk e di pse, por ndiej sikur dikush nuk më do në klub”, u shpreh Salah.
Ai meditoi largimin, duke thënë se në ndeshjen e radhës ndaj Brighton do shkojë për t’u thënë lamtumirë tifozëve.
“Ejani në ndeshjen kundër Brighton. Nuk e di nëse do të luaj apo jo, por do ta shijoj. Do të jem në “Anfield” për t’u thënë lamtumirë tifozëve dhe për të shkuar në Kupën e Kombeve të Afrikës. Nuk e di çfarë do të ndodhë kur të shkoj atje”, deklaroi Salah.
Pavarësisht se ishte skuadra që shpenzoi më shumë në merkaton e verës, Liverpool po përballet me vështirësi të mëdha, pasi renditet në vendin e tetë në renditje me vetëm 23 pikë në 15 javë kampionat.
Trajneri Slot rrezikon shkarkimin, ndërsa kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë për ta zëvendësuar.











