Nga Liridona Beqiri
Kur një gjykatës kushtetues flet me gjuhën e frikës nga barazia, ai mund të duket sikur po mbron Kushtetutën, por në fakt po i bën autopsinë saj. Ky është një fenomen i zakonshëm i asaj që mund ta quajmë nekrofilia tipike politike: një mendësi që refuzon të pranojë se nuk mund të ringjallen fantazmat e një epoke që historia e ka varrosur.
Një sulm tjetër ndaj identitetit dhe barazisë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të hedhë poshtë të gjitha nismat që kontestojnë ligjshmërinë e sistemit “Safe City”, një sistem që regjistron automatikisht kundërvajtjet në komunikacion dhe dërgon njoftime përmes SMS-it..Në Kushtetuese u ngritën katër nisma qe argumentonin se zgjidhjet e reja për evidentimin elektronik të kundërvajtjeve në komunikacion krijojnë pabarazi, pasi sistemi zbatohet vetëm në disa qytete, dhe se mesazhet për kundërvajtjet duhet të jenë gjithashtu në gjuhën shqipe. Gjykata Kushtetuese i refuzoi të gjitha këto ankesa, duke konfirmuar ligjshmërinë e sistemit, e gjitha kjo e bashkangjitur me një deklaratë degraduese nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski I cili theksoi që porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, gjë qe përbën diskriminim të hapur dhe shkelje të frymës së Kushtetutës.
Sistemi “Safe City” është simbolikisht më shumë se një radar për shpejtësi, nuk kap vetëm shpejtësinë e makinave. Ai kap edhe mllefin e atyre që pengon gjuha shqipe dhe indignimin që lind kur institucioneve nuk u pëlqen të respektojnë shqipen, të cilët e shohin atë si një shkelje të shpejtësisë politike. Për ta, shqipja nuk është thjesht një gjuhë, por një pengesë që ndez ankthin e vjetër institucional dhe si rrezik për rendin zyrtar. Refuzimi i shqipes nuk është thjesht një vendim tekniko-administrativ, nuk është vetëm burokraci e thatë. Ai është shenjë e vazhdueshme e aversionit institucional ndaj shqiptarëve që po bëhet në mënyrë konstante.
Ndërsa ajo që ndez ankth te shqiptarët është që ata shqiptarë që ndodhen brenda institucioneve shpesh heshtin, duke lejuar që gjuhës shqipe t’i refuzohet statusi i saj i plotë dhe duke e bërë atë objekt i indiferencës. Thjesht janë të pozicionuar në pushtet – kolltukqarë, karrigofagë, dhe pozicionarë komodë, por gjitha këto nuk i mbrojnë dot nga turpi i padëgjueshmërisë gjuhësore . Ata shijojnë këto komoditete duke e trajtuar gjuhën shqipe si alergji pranverore ose virus administrative.
Në këtë betejë dhe në çdo tjetër, shqipja nuk është thjesht një gjuhë, ajo është simbol i dinjitetit, i barazisë dhe i drejtësisë. Çdo heshtje, çdo shmangie dhe çdo refuzim është një provokim institucional që ndez mllefin dhe indinjatën e shqiptarëve.
Shqipja është një e drejtë, mjafton vetëm vullnet t’a zbatoni atë!
- Ditari i nje shqiptareje nga Maqedonia e Veriut











