Policia tha se Sadetin Erkoçeviq u arrestua falë informacionit që dhanë qytetarët. Në fakt është mjaft e vështirë që një qytetar të kuptojë ndryshimet në sjellje të një personi në rrugë dhe aq më tepër të arrijë të kuptojë se në çantë ka edhe armë.
Identifikimi i personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i dënuar me 20 vjet burg për vrasje u bë nga një drejtor policie në një qark të Shqipërisë. Dhe në fakt ka ndodhur krejt rastësisht.
Drejtori i policisë këtë të mërkurë duhet të ishte në Tiranë për një takim me ministrin Sandër Lleshaj mbi kriminalitetin në vend, nisur nga disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur sidomos në dy javët e para të muajit gusht. Ai ka banesën në rrugën ku u kap i kërkuari dhe sapo e pikasi këtë person, pa asnjë ide se kush ishte, por thjesht nga disa veprime informoi kolegët, për çfarë kishte parë dhe për çfarë mund të dyshonte.
Vetëm një polic, mirëfilli i tillë mund të kuptonte sjelljen e çuditshme të vrasësit, që sipas burimeve ishte aty për të kryer një tjetër vrasje. Kaq ka mjaftuar dhe megjithatë Erkoçeviq u arrestua.
Kjo është njëra anë e medaljes. Tjetra sapo ka nisur. Ndaj Erkoçeviq ka një dënim, por është shumë pak krahasuar me ato çfarë ai di për krimet e Shkodrës dhe në këmbim Policia po bën gjithçka.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se për Erkoçeviq po bëhet gjithçka që ai të përfitojë statusin “i penduar”. Sipas Policisë, kjo masë lehtësuese do të jetë favorizuese për të, por mjaft efikase për Policinë. Sepse kjo e fundit më në fund do të ketë mundësinë të hedhë dritë mbi shumë krime ende pa autorë në Shkodër dhe jo vetëm.
Policia ka arritur të verifikojë plotësisht se Sadetin Erkoçeviq është një prej më kryesorëve të bandës “Bajri” në Shkodër dhe se përveç ekzekutimeve ai ka dijeni të plotë për trafikun e drogës nga Tirana e Shkodra, e deri në Bruksel, Holandë e Spanjë.
Një grup oficerësh të Policisë janë duke përgatitur një “marrëveshje” mes shtetit shqiptar dhe Sadetin Erkoçeviqit, e cila do të marrë formë ligjore, së pari nëse pranon i arrestuari dhe së dyti nëse grupi hetimor bindet në informacionet që do të japë ai.
Deri në orët e vona të së mërkurës, Sadetin Erkoçeviq nuk ka folur asnjë fjalë. Por as nuk ka kërkuar një avokat mbrojtës, qoftë edhe për procedurat e arrestimit, sepse për të nuk ka më hetime, pasi ligjërisht ka një vendim gjykate, që e ka dënuar me 20 vjet burg.
Sipas burimeve policore që, Sadetin Erkoçeviq ka informacion të plotë për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, që u vranë në lagjen Kiras në Shkodër.
Jo më pak detaje ka i arrestuari për vrasjet e Arjan Ferracakut dhe Fatbardh Licit, për të cilët në kohën kur janë vrarë u dyshua si autor Iir Bajri, ose ndonjë prej “ushtarëve” të bandës së tij.
Policia dyshon se Sadetin Erkoçeviq ka dijeni të plotë edhe për vrasjen në makinë të ish-punonjësit të Policisë, Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvi Ndoci.
Për Policinë, nëse Sadetin Erkoçeviq pranon të bashkëpunojë, atëherë shumë krime në Shkodër që kanë mbetur pa autorë prej vitesh do të mund të rihyjnë në rrugën e Drejtësisë. /l.m











