Në një intervistë për “TemA” ish-ministri i Mbrojtjes dhe njëri ndër ish-zyrtarët më të lartë të PS Sabit Brokaj shprehet se Sali Berisha është kundër reformës në drejtësi pasi ka frikë se përfundon në qelitë e burgut, për shkak të krimeve që janë bërë gjatë pushtetit të tij dhe në këto 25 vite të paskomunzimit. Duke qënë se e njeh në detaje, Brokaj është dhe personi që ka dhënë autorizimin që Sali Berisha të pranohej anëtar i PPSH, ai thotë se Berisha e ka gjenetike kundërshtimin e çdo gjëjë të mirë që bëhet në këtë vend në drejtim të ndërtimit të shtetit.
Brokaj nuk ka munguar të komentojë dhe përplasjen e institucioneve për të ashtuquajturën çështje të “përgjimeve”, duke deklaruar se këto janë lojra të ish-kryeministrit, që përmes vasalëve të tij në gjykata dhe prokurori, dhe më kryesorin në Presidencë, ai tentoi të krijonte një “mikrogrusht shteti” me veglat e tij Visho Ajazi Lika, Adriatik Llalla, Bujar Nishani dhe gjykatat.
Për Brokajn, Edi Rama ka bërë një gabim të pafalshëm që ka mbajtur në detyrë dhe nuk ka shkarkuar menjëherë sapo erdhi në pushtet kreun e SHISH dhe kryeprokurorin, pasi dihej se ishin shërbëtorë të ish-kryemninistrit. Rama sipas tij për këtë arësye ishte votuar nga qytetarët shqiptarë. Ai shpreh besimin se reforma në drejtësi do të miratohet, duke parë dhe mbështetjen e fortë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.
Brokaj! Reforma në drejtësi po has shumë vështirësi për shkak të kundërshtimit të opozitës dhe konkretisht të ish-kryeministrit Sali Berisha por dhe nga aleatët e tyre. Cili mendoni se është shkaku i kësaj kundështie të fortë?
Shkaku i kundërshtimit të opozitës dhe i ish-kryeministrit Sali Berisha që dominon dhe PD partinë më të madhe në opozitë për reformën në drejtësi dihet. Gjithnjë ka një shkak për një kundërshtim në princip sjellja e Sali Berishës ndaj çdo veprimi që ka të bëjë me ndërtimin e shtetit shqiptar, ndërtimin e strukturave të rëndësishme të shtetit shqiptar, që është qëndrim gjithnjë kundër. E ka në princip dhe sjellje të tij, që të dalë gjithnjë kundër çdo gjëje të mirë që bëhet në këtë vend. Unë do sillja periudhën kur ai kundërshtoi Kushtetutën në vitin 1998, kur u miratua për herë të parë pas komunizmit Kushtetuta e vendit. Nëse ka një dokument një shtet, themeltar dhe të paanshëm për cilindo është Kushtetuta. Pikërisht Kushtetutën kundërshtoi Berisha. Eshtë në misonin e tij ta bëjë këtë gjë, nuk del nga formati. Dhe kur ai kundërshtoi Kushtetutën, aktin themeltar të shtetit shqiptar mos prisni të mos kundështojë reformën në drejtësi, që nuk ka të bëje thjeshtë me ndërtimin e drejtësisë së shtetit, por kjo reformë e atakon atë drejtëpërdejt. Kështu Sali Berisha e kundërshton reformën në drejtësi, pasi e para, është e rëndësishme se ka të bëje më shtetin dhe Berisha e kundërshton pasi e ka mision të tij mosndërtimin e shtetit. E dyta kjo reformë prek figurën e Berishës dhe medeomos që ai nuk e do, sepse kështu ruan veten.
Por kjo reformë është produkt i partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE…?
Kundërshtimi nga ana e Sali Berishës për aq kohë i reformës në drejtësi, me gjithë manovrimin e tij, e nxorën e zbuluar pozicionin e Saliut kundër saj. Kohëzgjatja me debate e miratimit të reformës në drejtësi, vonesat e opozitës me pretekste dhe kërkesa të minutës së fundit, dhe veçanërisht veprimet ambasadorëve Lu dhe Vlahutin që kanë qënë shumë të përcaktuara dhe ultimative, e nxorën Berishën lakuriq siç është para shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ai ka nxjerrë një mori shkaqesh, arsyesh, sajesash për ta kundërshtuar dhe për të mos u bërë reforma në drejtësi. Deri ditët e fundit demarshi që ndërmori ai nëpërmjet vasalëve të tij, Prokurorisë dhe gjykatës së shkallës së parë, ku në mënyrën më skandaloze pezullohet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është absurd por i kalkuluar me kujdes për të goditur shtetin paligjshmërisht përmes institucioneve të dominuara prej tij, duke i përplasur ato. Po ta shikosh në thelb goditjen ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme, synimin për të kapur “kokën” e ministrit Tahiri në këtë moment delikat, duke përdorur një institucion të pavarur ndaj institucionit të shtetit, të kujton një mikrogrusht shteti. Dhe nga ana tjetër është për të ardhur keq që shteti ishte në këtë nivel dhe në këtë gjendje, pasojë e qëndrimit të luhatur dhe jo të përcaktuar nga PS që është shumica qeverisëse, ku në këtë moment u desh që dhe ata si institucion të atakojnë prokurorinë. Pra ky është Berisha, nuk është asgje e re, që bën gjithçka që të përleshën institucionet, që të krijojë konflikt tek institucionet, të krijojë zallamahi vetëm e vetëm që të shmanget Parlamenti shqiptar nga reforma në drejtësi.
Pra opozita e Berisha tashmë i ka në konsumuar të gjitha dhe reforma do të miratohet?
Sali Berisha ka ardhur në momentin që i ka konsumuar të gjitha armët, motivet, strukturat dhe individet, të cilët qoftë dhe nëpërmjet termit konsensus etj kishin një synim: Vetëm të mos realizohej miratimi i reformës në drejtësi. Eshtë një nga rastet e rralla në këto 25 vjet që faktori ndërkombëtar ka qënë qartësisht i përcaktuar dhe i paluhatur në qëndrimin e vet. Dhe ky ka qënë faktori kryesor dhe determinues që reforma në drejtësi të arrijë të shkojë deri në Parlament. Pasi dihen luhatjen e faktorit ndërkombëtar që për hir të “stabilitetit” ka mbajtur qëndrime mjaft të dëmshme siç është mbështetja e dhënë dhe miratimi e reklama që i bënë ndryshimeve të Kushtetutës më 2008, ndryshime që bashkë me Kodin Zgjedhor sollën këtë lloj Parlamenti që është sot. Parë në këtë kontekst, por dhe duke besuar te përgjegjshmëria e deputetëve të opozitës që besoj e kanë dëgjuar thirrjen e miqve të Shqipërisë për të votuar reformën në drejtësi, tashmë e besoj që reforma do të miratohet.
Mendoni se pas miratimit të reformës në drejtësi, çështje të tilla të rënda që kanë ndodhur, si “21 janari”, “Gërdeci”, abuzimi me “Rrugën e Kombit” do të marrin udhë dhe fajtorët do të dërgohen prapa hekurave të burgut?
Unë besoj se shumë çështje të rëndësishme të këtyrë 25 viteve, ku disa nga ato janë dhe “21 janari” apo “Gërdeci” e “Rruga e Kombit”, do të trajtohen me efektivitet, përparësi dhe drejtësi. Dhe unë gjykoj që edhe qëndrimi unanim i të gjithë shqiptarëve për reformën në drejtësi, pikërisht këtë ka parasysh, se do të trajtohen këto skandale dhe krime madhore të pushtetit ndaj shtetit dhe shtetasve të vet. Natyrisht nëse do trajtohen me drejtësi, ata që bënë krimin do të ndëshkohen, por nuk do të guxojnë as pasardhësit e tyre në pushtet të bëjnë krime, jo vetëm të atyre përmasave, por as shkelje të thjeshta të ligjit. Do të krijohet precedenti i ndëshkueshmërisë, ajo që përgjithësisht klasa politike nuk ka dashur ta krijojë. Prandaj Berisha nuk është dënuar kurrë, jo vetëm se janë të lidhur me Berishën pikërisht nuk kanë dashur të krijojnë precedentin ne lëkurën e tyre politikanët tanë, dhe këta mund të jenë dhe të majtë.
Mendoni se precedenti kroat, rumun etj ku janë arrestuar ish-kryeministra dhe ministra mund të vijojë dhe në Shqipëri…?
Padiskutim që po. Nëse do të ndërtohet drejtësia në përputhje me ato principe që kanë vendet demokratike, me ato kritere që e bëjnë një vend të pranueshëm për BE, pra të gjitha të barabartë para ligjit, në mënyrë të pashmangshme do të fillojë që nga koka e shkeljes së rëndë të ligjeve, kam parasysh President apo ish-President, Kryeministër apo ish-Kryeministër, ministër apo ish ministër pa asnjë dallim nga qytetarët e thjeshtë. Kjo është drejtësia e BE.
Kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, gjykatat dhe kryeprokurori Adriatik Llalla bashkëpunojnë me Berishën kundër kryeministrit Edi Rama. Sa dëm i sjell vendit dhe institucioneve?
Atyre bravo u qoftë për mua, ata i qëndrojnë besnik zotit të tyre që është Sali Berisha, sepse nuk kanë të bëjnë me ndërtimin e shtetit. Thashë “bravo”, sepse e kundërta mund të thuhet për Edi Ramën që i mbajti në detyrë. Eshtë një nga qëndrimet më të papranueshme për Ramën. Për mua kjo e bën të gjykohet jo mirë për të: Si është e mundur që Kryeministri i socialistëve që tani është përballë popullit të cilit i premtoi se do të bëjë shtet, do të largojë të gjithë të korruptuarit e të inkriminuarit, dhe tani të mbajë në detyrë Visho Ajazi Likën, ish-nëndrejtorin e SHIK-ut famëkeq të Gazidedes. Është një nga sjelljet më të kompromentuara të Ramës. Dhe nga ana tjetër si është e mundur që nën pretekstin e mosndërhyrjes në pavarësinë e prokurorisë të mos mbante asnjë qëndsrim ndaj Llalës, i cili realisht është pjesë e ekzekutivit, është ai që mbron akuzën në emër të shtetit, pra në emër të shtetit të Edi Ramës dhe e la të livadhisë kaq kohë sa t’i kundërvihet reformës në drejtësi, ndaj çdo veprimi që është bërë që të vendoset drejtësia. Të gjithë këto qëndrime të këtyre krerëve të institucioneve, bashkë me Presidentin Nishani dukeshin që në ‘mëngjes’ para se të merrej në pushteti nga socialistët dhe u mbajtën deri në fund të mandatit. Si për t’u thënë qytetarëve shqiptarë se nuk e kishin qëndrimin e prerë kur u kërkuan votat, që këta do të largoheshin. Për mendimin tim është e papranueshme që ndërkaq, të dy Visho Ajazi Lika dhe Adriatik Llalla, përshirë dhe Presidentin Nishani të sosin mandatin qetësisht deri në fund të mandatit të parë të pushtetit socialist, pasi diheshin se janë pengesa kryesore e bërjes së shtetit ligjor dhe realizimit të programit të socialistëve dhe mazhorancës që erdhi në pushtet me votat e qytetarëve për të bërë shtet dhe për të larguar ata që e shkatërruan këtë shtet nga postet e tyre./ TeMa/ a.k