“Sa më shumë ligje, aq më i korruptuar shteti”
Nga Ben Andoni
Nuk ka fjalë më të përhapur në ligjërim dhe dokumentet bashkëkohore shqiptare sesa korrupsioni. Sot, e hasim në dokumentet shtetërorë, e përball për çdo ditë në media, diskursi politik e mban si kryefjalë, por e identifikon edhe me persona realë. Në mënyrë metaforike e nënkupton për çdo lloj veprimi negativ përvetësimi por edhe pozitiv, siç është mënyra ballkanase për të treguar ‘zotësinë’ e disave. Përkufizimi universal është i tillë: “Përdorimi i pozicionit publik për përfitime private”. Të etiketuar të tillë janë më shumë zyrtarët
qeveritarë, duke lënë jashtë korrupsionin në sektorin privat!! Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka rreth 20 nene, të cilat, që në titull përmbajnë fjalën korrupsion.
Vendi ynë, referuar raportit të fundit të Transparency International (TI) ka shënuar një përmirësim të lehtë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2023. Shqipëria vlerësohet tashmë me 37 pikë nga 36 pikë, të matura një vit më parë, duke u renditur e 98-ta mes 180 vendeve syresh, që konsiderohen në këtë vlerësim. Shqipërisë i quhet pozitive referimi i të dhënave lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë, ku përparimi më i madh varet nga forcimi i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive të degës ekzekutive, sipas vlerësimit të TI-së.
Realisht, shteti shqiptar është një nga më të njohurit për kuadrin ligjor dhe burokracitë. Sikur të mos mjaftonte një strukturë e tërë anti-korrupsion në vend, në muajt e fundit, kryeministri Rama shtoi edhe krijimin e ministrisë së Shtetit për Administratës Publike dhe Antikorrupsionin me në krye Adea Pirdenin, ish-zëvendës ministre se Drejtësisë dhe dikur zv\ kryenegociatore me BE-në. I rrëmbyer nga entuziazmi me këtë nismë të re, kryeministri Rama do ta prezantonte kështu idenë në rrjetin social X: “Është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”. Dashur, pa dashur kryeministri e tregoi se korrupsioni ishte i thellë në vend dhe jo më kot, kundër tij dedikoi një Ministër! Janë disa individë dhe subjekte që i tregojnë shqetësimet e korrupsionit, por vërejtjet e Dhomave të Tregtisë së SHBA dhe Gjermanisë e kanë treguar hapur problematikën e korrupsionit në vend para faktorit ndërkombëtar. Nuk mbaron vetëm me ato.
Prej vitit 2017, ishte Ministria e Drejtësisë, e cila kishte rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit (KKK). Me tagrin e vet rregullonte përpjekjet strategjike dhe të politikave bazuar në një qasje tri dimensionale: parandalimin, ndëshkimin, dhe ndërgjegjësimin. Në bazë të funksionit të saj KKK-ja realizonte inspektime dhe kontrolle në sektorë të prirur për korrupsion dhe po ashtu mbikëqyrte veprimtarinë e Koordinatorëve të Rrjetit Antikorrupsion, të vendosur në 44 institucione qendrore dhe në nivel rajonal për zyrat vendore të 4 prej tyre.
Një rrjet i tërë, që po të fusësh edhe tagrin e KLSH-së, ILDKP-së apo deri edhe strukturat e bilbilfryrësve nëpër institucione (këto të fundit dështuan krejtësisht, për fatin e keq), synonte ta fuste në morsën shtrënguese, korrupsionin e frikshëm në vend. Por, ritmet e goditjes lënë ende për të dëshiruar, paçka se SPAK-u e ka trandur jo pak mandatin e tretë të z. Rama. Një sërë ish-zyrtarësh dhe zyrtarë të tij bëjnë ecejake të vazhdueshme në këtë institucion. Kurse raportet e KLSH-së kalojnë pa ndëshkime për zyrtarët dhe nuk i shqetësojnë fare ‘kundravajtësit’. “Gjatë periudhës janar-prill 2024, janë dhënë 134 rekomandime mbi gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 2,107,937 mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 20,790 mijë lekë, menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 2,000,168 mijë lekë dhe 86,979 mijë lekë në mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor/doganor” (KLSH, Buletini i parë, 2024).
Sërish pas në argumentin tonë: ka një sërë ligjesh, që e dënojnë korrupsionin në vend. Manuali “Aspekte juridike penale të korrupsionit në Republikën e Shqipërisë” (2023) tregon se në titujt dhe nenet përkatëse të Kodit Penal shqiptar veprimi korruptiv ndahet në dy lloje; në aktiv dhe në pasiv. Teksti i nenit respektiv sqaron se prej kujt dhe si kryhet veprimi shoqërisht i rrezikshëm dhe i dënueshëm sipas Kodit. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin Nr. 7895, datë 27.1.1995, ndarja është bërë në krerë të ndryshëm, si, për shembull: Në Kreun III, janë të parashikuara “Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, të cilat kryhen nga ose ndaj personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat. Në Kreun VIII, të titulluar “Krime kundër autoritetit të shtetit”, gjejmë të parashikuara në Seksionin I, “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit”. Ndërsa në Seksionin II, gjejmë “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik”. Kodi Penal parashikon edhe “Vepra penale kundër drejtësisë”, në Kreun
IX të tij…Një vend të posaçëm zënë edhe “Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, të parashikuara në Kreun X. Në Kodin Penal janë nenet 328 dhe 328/b që parashikojnë korrupsionin në zgjedhje. Ndër ligjet e posaçme që trajtojnë luftën ndaj korrupsionit është edhe Ligji Nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. (ILIR PANDA, 2023) Një mal me ligje, por Dosjet zgjedhore të Dibrës dhe Durrësit janë harruar, ashtu si për zgjedhjet e fundit mbahet në burg vetëm… Fredi Bejleri!!!
Ekspertët kritikuan dhe nismën e pak viteve më parë të qeverisë për paketën anti-KÇK, që asokohe u konsiderua se “sjell një gjykatë të jashtëzakonshme, që është e ndaluar nga Kushtetuta” (Krasniqi, 2020). Madje, politologu do shtyhej më tej asokohe.“Nëse duan vërtetë të luftojnë krimin dhe korrupsionin, kemi një listë zyrtarësh, mes të cilëve 3 zyrtarë që nuk u lejohet hyrja në Amerikë, që mazhoranca duhet t’i hetojë për të treguar se ka vullnet” (Krasniqi, A2).
Reagimi i heshtur i faktorit të huaj tregoi se nisma ishte e kotë dhe tregoi se krimi dhe korrupsioni luftohet me sjellje serioze të institucioneve, jo me nisma ligjore. Dhe, fakti është se qysh atëherë Shqipëria ka luajtur fare pak nga Indeksi i Korrupsionit. E në këtë vazhdë, sërish me nismën e kryeministrit Edi Rama, parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolutë pak ditë më parë për krijimin e një Komisioni të ri të Posaçëm Antikorrupsion, ndërkohë që një sërë ish-ministrash dhe deputetësh socialistë janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimi i Organizuar (SPAK), për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kryeministri e justifikoi nismën para ligjvënësve më 27 maj se “është e nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”!! Bojkoti i opozitës tregoi se nisma po çalon qysh në fillim, ndërsa ekspertët po i druhen ndërhyrjes në sistemin e reformuar të drejtësisë në vend dhe synimin për të penguar punën e SPAK dhe GjKKO, organe të krijuara si rezultat i një programi reforme në drejtësi që u bë me mbështetjen e SHBA dhe BE-së, që nga viti 2016.
Një rrjetë e tërë ligjesh, nisma pa fund, deklarata nga politikanët e dy krahëve, po pse korruptohen në fund shqiptarët? Grykësia nuk po njeh kufizime, kurse jeta boshe dhe me luks e një shtrese pa kontribute reale, po e trandin shoqërinë shqiptarë, shtuar me mungesën e transparencës publike, besimit të munguar në religjion dhe mbi të gjitha shpërdorimit të koncepteve të demokracisë, kurse më “qëndrestarët” prej konformizmit, nënshtrimit ndaj autoritetit dhe ku ta dish përpjekjes për t’u identifikuar me një grup në këtë tollovi shoqërore. Mungesa e dënimeve, po i bën të korruptuarit dhe jetën e tyre të shfrenuar në luksin dekadent, në “modele” për shoqërinë e sotme. Përballja mbetet vetëm tek ndershmëria e individit dhe disiplinimi i institucioneve dhe ligjeve të pafundme, që merren me korrupsionin. Në lashtësi thuhej më bukur, si për shembull nga Taciti: “Corruptissima republica, plurimae leges”. (Sa më të shumta të jenë ligjet, aq më i korruptuar është shteti). (Homo Albanicus)