Disa nga avokatët që asistojnë presidentin Donald Trump, janë duke kërkuar mënyra për të kufizuar apo minuar hetimin e prokurorit special, Robert Mueller mbi çështjen e ashtuquajtur, “Russiagate”.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta amerikane “Washington Post”, e cila citon burime të informuara, sipas të cilës avokatët e Trump janë duke shqyrtuar mes të tjerash edhe kushtet e pushtetit të presidentit që e lejon të përfitojë amnisti.
Ndërkohë, sipas “New York Times” pjesëtarët e ekipit të presidentit Trump, mes avokatëve dhe bashkëpunëtorëve, janë duke kërkuar në të kaluarën profesionale dhe politike të investiguesve që bashkëpunojnë me prokurorin Mueller, në kërkim të elementëve që mund të diskretitojnë çështjen “Russiagate”.
Gjithnjë sipas gazetës, bëhet fjalë për kërkime me rreze të gjerë: verifikimi i donacioneve të kandidatëve demokratë, klientët e së shkuarës, deri te marrëdhënia e vetë Mueller-it me ish-drejtorin e FBI-së James Comey, shkarkimi i të cilit nga ana e Trump ishte edhe objekt i hetimit të prokurorit special.
Ndërkohë ka dhënë dorëheqjen zëdhënësi i skuadrës së avokatëve që asiston Trump. Sipas “Politico”-s, që citon burime të informuara, Mark Corallo ka lënë detyrën vetëm dy muaj pasi e kishte marrë, për shkak të rritjes së frustrimit me luftërat e brendshme të ekipit të avokatëve, shkruan gazeta.
ma.me