Rusia “nuk refuzon asnjë format negociatash për Ukrainën, qoftë bilateral apo trilateral”, deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov këtë të martë. Ai iu referua mundësisë për të organizuar një samit që do të sillte përballë presidentët Vladimir Putin, Volodymyr Zelensky dhe më pas Donald Trump.
Duke folur për kanalin shtetëror Rossiya-24, Lavrov tha se Rusia është e hapur për takime si në formate bilaterale ashtu edhe trilaterale. Por sipas Lavrov çdo takim mes liderëve rusë dhe ukrainas duhet të përgatitet me kujdes maksimal dhe nuk duhet të zhvillohet thjesht për efekt mediatik.
“Pika kyçe është që këto formate të mos ndiqen për mbulim mediatik apo transmetime mbrëmjeje. Çdo kontakt që përfshin liderë kombëtarë duhet të përgatitet me përpikëri të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm rus tha po ashtu se, Rusia nuk ka synuar kurrë thjesht pushtimin e territoreve në Ukrainë, qoftë në Krime, Donbas apo Novorossiya, por mbrojtjen e rusëve që historikisht kanë jetuar në ato zona.
“Dua të nënvizoj edhe një herë se nuk kemi folur kurrë për pushtimin e territoreve. As Krimeja, as Donbasi, as Novorossiya nuk kanë qenë objektiva si territore. Objektivi ynë ka qenë mbrojtja e njerëzve, popullit rus, që ka jetuar në këto toka për shekuj, që i ka zbuluar, ka derdhur gjak për to, ka ndërtuar qytete si Odessa, Nikolaev dhe shumë të tjera, porte, fabrika, uzina”, tha Lavrov.











