Presidenti ukrainas, Voldymyr Zelensky, në një deklaratë këtë të hënë, pretendon se Rusia ka humbur deri tani që prej fillimit të luftës në Ukrainë 99 mijë ushtarë.
Një shifër tejet e lartë, edhe pse e pa konfirmuar, ndërsa thotë se shumë shpejtë ata do të bëhen 100 mijë dhe në Moska askush nuk ka ende një përgjigje.
“Ata luftojnë dhe vrasin njerëz. Pse? Vetëm sepse një grup në Kremlin nuk pranon gabimet që ka bërë dhe ka tmerrësisht frikë nga realiteti, por realiteti flet vetë”, u shpreh Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Ndërkohë, këtë të hënë, Putin udhëtoi jashtë Rusisë, duke takuar aleatin e tij bjellorus Alexander Lukashenko. Vizita e Putinit vjen në një kohë kur ekziston frika rreth ngushtimit të aleancës mes dy vendeve në drejtim të veprimeve që merren për luftën në Ukrainë. Udhëtimi i liderit rus është i pari që ai bën në Minsk që nga viti 2019. Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se Putin është shprehur se Rusia është e gatshme të zhvillojë projekte bërthamore në Bjellorusi.
/a.r